Visar Zhiti: Në Poloni me Maks Velon, atje ku s’bëhet show me vuajtjen e të persekutuarve. Si e kam njohur në burg, librat që sajonte me gazeta


Gazeta Express
12 Qershor 2019 9:51

Në Varshavë pak ditë më parë u mbajt një takim ndërkombëtar me rëndësi për kujtesën e njerëzimit, ndërsa te ne, nga shkaku i kujtesës së keqe, ka një krizë të rrezikshme ngaqë s’ditëm të përballemi me të shkuarën diktatoriale, me pasojat e saj, me të tashmen e korruptuar e të vjedhur, që nuk sjell të ardhme, por kthim të dëshpëruar pas.

Visar Zhiti me bashkëshorten, Edën dhe Maks Velon
Visar Zhiti me bashkëshorten, Edën dhe Maks Velon

Në Varshavë u mblodhëm dhe folëm në senat ish-të burgosur politikë nga të gjithë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të këtyre vendeve, duke filluar nga Polonia, vendi pritës dhe organizator, nga Hungaria, Sllovenia, Kroacia, Sllovakia, Çekia, Serbia, Gjermania, Bosnja, Bullgaria, nga Rusia dhe ish-republikat e ishBashkimit Sovjetik, Ukraina, Armenia, Azerbajxhani etj.. Patjetër që ishim dhe nga Shqipëria, ku nuk kemi dhe aq zë, i cili tradhtohet gjithnjë e më shpesh.

Samiti i Varshavës ishte organizuar nga Parlamenti dhe Senati i Polonisë me rastin e 30-vjetorit të zgjedhjeve të lira të vitit 1989, duke e konsideruar atë si “Vitin e Lirisë së Popujve dhe Fitore të Fjalës së Lirë”, teksa te ne nuk dimë të bëjmë zgjedhje, sepse na vetëzgjidhen ata që i çorodisin zgjedhjet për interesa që “ikin në drejtim të paditur”, veç jo të vendit.

Visar Zhiti me bashkëshorten, Edën dhe Maks Velon
Visar Zhiti me bashkëshorten, Edën dhe Maks Velon

Në Varshavë u shpalosën përvojat kolektive e vetjake nëpërmjet fjalës dramatike të ish-të burgosurve politikë në perandorinë komuniste, e gjitha kjo për një njohje më të gjerë e më të thellë të së shkuarës së përbashkët, për një përballje ndaj sfidave të kohës moderne, që politikanët e të gjitha vendeve të dinë të veprojnë më mirë e më drejt, u tha atje.

Po këtu, ç’bëjnë politikanët tanë? Shihet dhe ajo që nuk shihet, por nuk po bëhet ajo që duhet… Por po flas për takimet në Poloni, mbase ndihmohet dhe kujtesa jonë për më mire.

Të gjithë të ftuarit si fillim shkuan në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku u takuam zyrtarisht me ministrin Jacek Czaputowicz, ish-i burgosur politik. Ju jeni ministrat e vërtetë,- u tha ndër të tjera ai miqve nga bota e persekutimit.

Më pas, pritja ceremoniale në Parlamentin e Republikës së Polonisë nga kryetari i Parlamentit, z. Marek Kuchcinski, dhe kryetari i Senatit, z. Stanislaë Karczeëski, me parakalimin e rojeve të nderit me flamur dhe shpata dhe himne, e gjitha në nderim të qëndresëtarëve dhe heronjve në përballje me diktaturat. Në radhën hijerëndë të flamujve, në krye ishte dhe flamuri shqiptar. Mes të ftuarve të shumtë aty takuam dhe znj. Mimi Kodheli, përfaqësuese nga Parlamenti shqiptar, si dhe ambasadoren e Shqipërisë në Poloni.

Ne ekranin e Senatit duke folur
Ne ekranin e Senatit duke folur

Pastaj dy seancat e samitit në senat, me dëshmi dhe ide, me dramacitet dhe hijen e zhgënjimeve, me kundërvënie e shpresë, ku përhiteshin telat me gjemba dhe rrezet e ditës… teksa më vinte një si rrapëllimë, mos dëgjoheshin protestat e Tiranës deri këtej? Jo, ishte zhaurima e butë e tramvajeve, të cilët në fushata zgjedhjesh premtoheshin, por që nuk kanë nisur ende te ne, janë harruar dhe as që e kanë radhën ata, madje as vetë zgjedhjet.

KUJTESA NË TË SHKUARËN:

Si të burgosur politikë të dikurshëm nga Shqipëria e sotme, së bashku me Maks Velon ishim të ftuar dhe unë me Edën. Do të desha të thosha ca fjalë për Maksin, që sadopak e di që marrin domethënie dhe tregojnë jo vetëm atë, por dhe të tjerët përreth, shoqërinë, qëndrimin ndaj vuajtjes njerëzore dhe vlerave që krijohen, ku ai është ndër më të shquarit.

Maks Velo është personalitet i kulturës sonë, krijues dhe veprimtar, me njohje më përtej, në Europë dhe Amerikë, do të thosha. Arkitekt me profesion, me vepra të njohura në Tiranë si “pallati kubist” i shkrimtarëve, për të cilin dhe u kritikua dhe që do të ndikonte në dënimin e tij, piktor ndërkohë, i veçantë, pararendës i modernes, ku përzihej antropologjia shqiptare me avangardizmin europian, tradita me risinë, “njolla e zezë” e artit me fatin… veprat e tij në pikturë do të digjeshin me vendim gjyqi si abstrakte, që nxinin realitetin socialist… te Maksi ka dhe muzikë, ai ka marrë mësime pianoje që nga fëminija, muzikë të heshtur dhe linja e gjeste valleje të ngrirë e ajo përzihet me marshet funebre të kohëve të mëpasme ashtu si dhe rrëfimi i tij, i shndërruar në letërsi, prozë, poezi dhe dokument.

Me Maks Velon, te muri i pushkatimeve në burg
Me Maks Velon, te muri i pushkatimeve në burg

Bashkëvuajtës me të në të njëjtin burg, në Spaçin e tmerrshëm, ku vazhdimisht revolta e dikurshme e ’73-shit e trandte tokën nën këmbët tona, Maksin e njoha atje, ku edhe pse i burgosur, spikaste aristokracia e tij, qoftë dhe në hutimet në rresht apo në humorin e zi. Edhe në të ngrënë në mensën e ferrit kishte qytetari. Dinjitet në përballjen e urisë kombëtare brenda telave me gjemba.

Edhe aty me Maksin bisedohej për artin, librat dhe jetën e antijetën, për tiraninë dhe neverinë e rënies morale përreth, vjedhjet dhe spiunimet dhe injorancën shtetërore, e shënjuar me gardianët e deri lart. Si arkitekt ai thirrej në përmirësimin e mjedisit, që ç’mundej e kthente në dobinë e të burgosurve.

Kujtoj që në burg unë kisha maninë t’i ruaja tregimet dhe poezitë që lexonim në revistat që na lejoheshin, i grisja prej tyre që të mund t’i rilexoja kur dilnim nga miniera, nga puna e rëndë prej skllavi. Fletët i bashkoja, ia jepja këpucarit të burgut të m’i qepte me gjilpërën e trashë të opingave dhe pastaj Maksi u sajonte kopertinat, tjetër vepër kjo me “mjetet rrethanore”, me një figurinë nga revistat, me germat që i priste nga gazetat, i ngjiste një nga një duke krijuar titullin e veprës, emrin e autorit. Ende ruaj dy antologji të tilla, një me poezi dhe një tjetër në prozë, Maksi më bëri një kopertinë elegante për dramën “Jerma” të Lorkës, po kështu dhe me pjesët e romanit të mëvonshëm të Kadaresë “Dosja H”, botimi i parë i së cilës iu bë në burg nga ne, unikal, vetëm në një kopje, që ia dhurova Kadaresë pas burgut.

Maksi në liri bëri hakmarrjen më të bukur me vepra dhe art, ekspozita pikture brenda dhe jashtë vendit, me albume e studime, poezi e tregime, që kanë tërhequr vëmendjen dhe janë përkthyer dhe botuar dhe në vende të tjera.

Maksin e shohim në ekranet e televizorit, në debate e protesta, në avangardë, por dhe të tërhequr, të zhgënjyer, të urtë, por dhe shpërthyes befas, i acaruar me gjithçka që i duket e padrejtë.

Ndërkaq, Maksi udhëton shumë. Ftohet si ish-i burgosur dhe si artist, që tashmë i janë bërë një e vetme. Përvojë dha art. Po shkonim në Poloni, por duhej të ndërronim avion në Vjenë.

– Të tjerë vuajtën burgun dhe të tjerë bëjnë festën, – i thashë pa të keq znj. Jonila Godole, veprimtare e kujtesës, të cilën e takuam rastësisht në aeroport.

Para ca ditësh kishin përkujtuar me nderime dhe bujë dy revoltat tona, në burgjet e Spaçit e të Qafë-Barit, të vetmet në të gjithë perandorinë komuniste, e pikërisht atë, Maksin, arkitekt në burg, që mund të jepte ide të vlefshme më mirë se kushdo se si mund të shndërrohet në muze, kishin harruar ta ftonin, edhe mua, që atyre qosheve infernale të burgut kisha shkruar poezi, ca dhe të bëra me mend në fillim, që i fshihnim vrimave, në kashtën e dyshekut apo nën tokë, madje pata fatin t’i nxjerr poezitë para se të dilja dhe vetë nga burgu, i kam botuar shumicën dhe janë përkthyer. Në revoltën e Qafë-Barit isha brenda. Kam shkruar dhe një libër mbi 500 faqe për burgun e Spaçit, “Rrugët e ferrit”, dhe po aq për Qafë-Barin, “Ferri i çarë”.

Natyrisht, në ato manifestime përkujtimore në Spaç e QafëBari ishin bashkëvuajtës nga tanët, miq plot, dhimbja jonë dhe ne u ndjemë së bashku me ata dhe i mbartim si shqetësim dhe atje ku po shkonim. Në Varshavë.

Aspak nuk i harrojmë ndryshimet e vendit për mirë dhe ç’është bërë për ne, jo pak, dimë të jemi mirënjohës, por të burgosurit shqiptarë kanë bërë shumë e më shumë për vendin, themele në baltë dhe vepra, kujtesë dhe art dhe shpërdorimi i të persekutuarve të diktaturës është shpërdorim i lirisë, i ndërgjegjes, i kohës dhe i vetes.

Sipas një shkrimtari nobelist, i qenë dhe në kampin e Aushvicit, çdo qeveri, institucion e individ, kuptohet se ç’janë nga qëndrimet që mbajnë ndaj vuajtjes njerëzore, “burgut”, tashmë të shndërruar dhe në kulturë, po sipas tij.

Pak a shumë biseda të tilla po bënim me Maksin, por kishim nevojë për ca qiell më shumë, që vetëm avioni na e jepte, Pegasi modern prej duralumini. Sa alumin kemi nxjerrë në burg? Bakër më shumë, pirit i përzier me flori. I gjithë për të tjerët, i vjedhur…

E shikoja me adhurim Maksin, kishte një si re të bardhë mbi krye, leshrat e zbardhura në moshën e thyer të burrit, trupmadh, diçka mes Hemingway-it dhe Anthony Quinn, me çantën e lëkurës mbi sup, sportiv, ashtu siç mund ta ndeshim duke vrapuar në parkun e Tiranës, edhe pse 84 vjeç, i urtë si një akademik, gjaknxehtë si ai që ka të drejtë, artist dhe në gjeste, bisedon dhe për gratë ashtu si për pikturën dhe artet.

Megjithatë, midis reve lart po flisnin dhe për burgun, ferri ngjitet dhe atje ku s’e prêt, për shoqatat e shkatërruara të të burgosurve, për krizën shqiptare, zgjedhjet pa zgjidhje, zgjidhjet pa zgjedhje, politikën, shpërdorimin e vuajtjes të mijëra e mijëra të persekutuarve, edhe institucionalisht, edhe parlamentarisht, edhe presidencialisht, edhe nga ne vetë, nga ata si ne që duhej të na përfaqësonin përtej narcizizmit të përgjithshëm, biznesit me vuajtjen e të tjerëve apo persekutimin që vazhdon me format e një demokracie trashanike, me korrupsion të përditësuar, edhe moral… dhe buzëqeshim hidhur.

KUJTESA NË TË ARDHMEN:

Në aeroportin “Frederic Chopin” në Varshavë na pritën befas te salla VIP, pa asnjë radhë për pasaportat, siç duket ne i kishim kaluar radhët e gjatë që më parë, ato të të dënuarve, tani vazhdonte mirënjohja edhe në vend tjetër e nga të tjerë. I them këto jo se ne e donim, por shoqëria jonë duhet të dijë të nderojë… vuajtjen si dhe vetveten.

U takuam me të tjerë si ne nga Europa Qendrore e Lindore. Mikrobusin tonë rrugëve të gjera të Varshavës, mes blerimeve “qytetare” gjithandej, e paraprinte makina e policisë. Prapë me policë? Për të na ruajtur, dikur si “të rrezikshëm”, tani nga “rreziqet e rrugës”.

Nga “Regent Hotel” shkuam në “Muzeun e ushtarëve të mallkuar dhe të burgosurve politikë të Republikës Popullore të Polonisë”. Brenda në Varshavë, në qendër a afër saj. Ushtarë të mallkuar apo e përktheva gabim? Që këtu fillon dënimi i diktaturës. Telat me gjemba, porta të larta, qeli, por me tualetin brenda. Muri i pushkatimeve, kurorat me lule. Nën tokë, qelia e varjeve. Deri në vitin 1956, pastaj komunizmi polak u zbut, veç në Shqipëri mbeti diktaturë e egër staliniste, një gjysmë shekulli paranojë me Enver Hoxhën.

Autobusët komodë me makinat e policisë para dha pas ndalën në “Kështjellën Mbretërore”. Dreka me gjithë të ftuarit nga Europa. Në mbrëmje në Teatrin Wielki, Opera Kombëtare Polake. Ndër më të mëdhatë në botë. Shkallë mermeri, kolona, katet e lozhave. Shoh programin: “Moniuszko – Mazurka nga opera “Halka”… Fryderyk Chopin, Fantazi… Górecki, “Tre valle për orkestër..”.

Vezullime të ylberta dritash, duartrokitje të gjata. Nga burgu, në opera. Nga kujtesa e tronditur, në muzikë qiellore. A ka pasur në Tiranë ndonjëherë shfaqje për spektatorë të tillë? Nëpër mend… kujtoj drama të tjera.

Në takimin me ministrin e Jashtëm të Polonisë, Maksi tregoi një ngjarje me të burgosur që i kishte njohur, një grup armiqësor, i sajuar me agjentë polakë, që prej torturave pranuan, ndërsa kryetarja e grupit, një grua polake, e martuar një Shqipëri, nuk pranoi, Qeveria polake atëherë mbajti peng një anije shqiptare në Gdans në port. O lironi qytetaren time, – iu drejtuan me ultimatum qeverisë shqiptare, – o… po qytetarët shqiptarë, kush mund t’i mbronte nga qeveria e tyre, as avokat s’kishte, s’lejohej…

Edhe në Senat, fjala e Maks Velos bëri përshtypje. Mes duartrokitjeve ai u ngrit dhe shkoi në krye, u dhuroi kryetarit të Parlamentit dhe kryetarit të Senatit nga një album të vetin, shenja këto që në Shqipëri vuajtjen ai e kishte shndërruar në kujtesë arti, në vlerë për të gjithë.

Dhe unë në tri minutat e mia fola për poezitë e burgut si dëshmi dhe për revanshin e nostalgjikëve të komunizmit, të oficerëve të diktaturës, të konvertuar dhe e mbylla fjalën time duke thënë se në Shqipëri nuk është aq i madh rreziku i rikthimit të komunizmit, sepse nuk ka ikur rrënjësisht, gjendet në mendësi dhe bëma, në simbole dhe tekste…

Shumë nga folësit cituan dhe papën polak, Shenjtin Gjon Pali II, e citova dhe unë, i pari papë që ka vizituar Shqipërinë,- thashë,- në dy mijë vjet krishterim dhe shenjtëria e tij porosit se nuk na duhet një demokraci pa virtyte. Ai u dha zemër polakëve dhe jo vetëm, që të guxonin të ngriheshin. Dhe Muri i Berlinit, që ndante botën dhe njerëzit, u shemb. Ra dhe perandoria komuniste.

Po në mjediset e Parlamentit, të gjithë së bashku pastaj, vizituam ekspozitën “Shtypi klandestin” në komunizëm, broshura, libra, bojëra, makineri dore, gazeta e deri te Solidarnosti.

Dhe në Shqipëri kanë shpërndarë trakte, kanë guxuar. Ne bëmë dhe një letërsi të fshehtë dhe krijuam lexuesin tonë të fshehtë në burg. Por që të kujtohesh te ne, zakonisht o duhet të jesh i huaj, o i pushkatuar.

Pasdite Maksi dhe unë ishim të ftuar në Universitetin e Varshavës, u intervistuam për studentët nga pedagogu Adam Balcer, dinte dhe shqip.

Maksi paraqiti nga grafikat e tij një golgotë vuajtjesh, kryqin dhe monstrat e dhunës, mundimin e qëndresës, një cikël marramendës, estetika e zhgjunjëzimit krenar, me shenjtëri njeriu…

Unë fola për gjuhën në diktaturë se si u godit gjuha liturgjike, teksa po sundonte gjuha e ftohtë, ajo e sloganeve dhe e urrejtjes si drapër dhe çakan dhune etj., etj..

Shëtitjet e fundit në Varshavë. Andej nga Qyteti i Vjetër, i rrënuar i tëri gjatë Luftës II Botërore nga bombardimet dhe i ringritur siç ishte, me rrugët me kalldrëm, me kishat. Edhe Tirana jonë, modernizuar dhe bërë metropol i Ballkanit, duhet ta dojë më shumë vetveten e hershme, rrugicat, urat, ngrehinat, teatrin, shtëpinë e Musine Kokalarit etj., etj., ta ruajë fort kujtesën e saj prej guri.

Eda gjeti Kishën e Kryqit të Shenjtë, futemi këtu, na tha… ku është murosur zemra e muzikantit të madh me kërkesën e tij, teksa vdiste larg. Vetëm zemra, se trupi i prehet në Paris.

Polonia ka zemrën, po, po, ka zemër të madhe Polonia, plot me dashuri dhe muzikë, me art dhe kujtesë zemre, me poetë e shkrimtarë nobelistë, ka një popull heroik me histori, me kulturë të fuqishme katolike, europiane, me njerëz të zakonshëm gjithë edukatë e dinjitet, sheshe të bukura e të pastra, parqe natyrale pa kufi, dritë nga qiell sublim verior.

Dhe më vjen zëri i tim eti, që thoshte se Shqipëria është krijuar për të plasur zemrat e shqiptarëve, e ka thënë Dedë Gjo Luli,- shtonte.

Ndjeva rektima të shpeshta, duhej të ishin emocionale. Përsëri në sallën VIP të aeroportit “Frederic Chopin” në Varshavë, sikur të ishim brenda në zemrën e Shopenit. Teksa pinim çaj, Maksi po na fliste për “Pllakatin Polak”, që është shumë i arrirë, ndoshta më i suksesshmi në botë dhe mua befas në etazherin e madh përballë, mes librave të shumtë më kapi syri një album pllakatesh. E nxora prej andej dhe po e shfletonim. Maksi na tregoi nja dy autorë, i kishte njohur, madje dhe i kishte shoqëruar gjatë vizitave të tyre në Tiranë. Teksa na shpjegonte linjat, gjetjet, kumtet, ngjyrat, shoqëruesja polake tha se po mësonte prej Maksit dhe për artin polak dhe se ku shkoi, veç kur u kthye duke buzëqeshur e i tha Maksit se albumin mund ta merrte si dhuratë nga aeroporti.

Avioni doli sipër reve të bardha në qiejt e Polonisë. Zbritëm në Vjenën perandorake dhe, pasi humbëm avionin, në fakt ai na humbi ne, ndërruam disa aeroporte për të ardhur në Tiranën e pasmesnatës, me gjurmët e protestave rrugëve.

Taksia kaloi pranë ambasadës polake dhe m’u nëpërmend takimi me ambasadorin Karol Bachura, që pasi na dha kartëvizitën e tij e unë i thashë që s’kam, ai u përgjigj: S’ka gjë, ju jeni vetë kartëvizita e Shqipërisë.

E kishte fjalën për të përvuajturit, ish-të burgosurit politikë. Po, po, por ne jemi kartëvizita e humbur…

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart