Katër persona kanë rënë në pranga në Berat si autorë të vënies së zjarreve në disa fshatra.
Si pasojë e zjarreve u rrezikuan banesa dhe sera, si dhe u dogjën sipërfaqe toke dhe pemë frutore.
*Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat arrestuan shtetasit:
-Sh. D., 49 vjeç, banues në lagjen “Uznovë”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në këtë lagje, ku si pasojë janë rrezikuar banesa dhe është djegur një sipërfaqe toke;
-Z. M., 56 vjeç, banues në fshatin Osmëzezë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në këtë fshat, ku si pasojë janë djegur sipërfaqe toke dhe pemë frutore në pronësi të 2 shtetasve.
*Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal arrestuan shtetasit S. M., 53 vjeç dhe L. B., 56 vjeç, të dy banues në fshatin Samatic, pasi dyshohet se kanë ndezur zjarre në fshatin Drenovicë, ku janë djegur pemë ulliri, si dhe është rrezikuar djegia e disa serave.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon sërish, për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me pasoja penale.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.