Vetura e popullarizuar franceze merr zero yje në vlerësimin e sigurisë - Gazeta Express
string(70) "vetura-e-popullarizuar-franceze-merr-zero-yje-ne-vleresimin-e-sigurise"

Vetura e popullarizuar franceze merr zero yje në vlerësimin e sigurisë

Lajme

Gazeta Express

08/12/2021 12:45

Prodhuesi i njohur francez i veturave, Renault, mori një goditje të mërkurën, pasi modeli i tij i popullarizuar, Zoe, mori zero yje në vlerësimin e sigurisë nga Programi Evropian për Vlerësimin e Veturave të Reja (NCAP), në testet që janë standarde për Evropë.

Kompania u vlerësua dobët edhe për modelin e prodhuesit tjetër, që është pjesë e saj, Dacia, më saktësisht për modelin Dacia Spring, me vetëm një yll.

Lexo Edhe:

“Renault dikur ishte sinonim i sigurisë, por këto rezultate zhgënjyese për Zoe dhe Spring tregojnë se siguria tashmë është bërë dëm kolateral në tranzicionin e grupit te veturat elektrike”, tha sekretari i përgjithshëm i programit NCAP, Michiel van Ratingen.

Për ta parë videon e testimit të veturës Renault Zoe, klikoni KËTU.

Sidoqoftë, kompania franceze tha përmes një deklarate se modeli “Zoe” është veturë e sigurt, që i ka plotësuar të gjitha standardet e rregullatorëve për siguri, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Pamje brenda veturës gjatë testimit

“Këto standarde janë duke evlouuar vazhdimisht dhe po bëhen gjithnjë më të rrepta në të gjitha fushat, sidomos në aspektin e sigurisë. Prandaj, Renault vazhdimisht është duke e përmirësuar ofertën me qëllim të plotësimit të rregulloreve të zbatueshme ku shiten veturat e saj”, thuhet në deklaratën e prodhuesit francez.

Kjo është vetëm hera e tretë që Euro NCAP ka vlerësuar një veturë me zero yje dhe nëse ky vlerësim i dëmton shitjet e modelit “Zoe”, mund ta shtyjë prodhuesin që të bëjë një përditësim të shpejtë ose ta përshpejtojë hedhjen në treg të versionit të ardhshëm të veturës.