Veton Surroi pozicionohet pro LDK’së dhe Vetëvendosjes, thotë se mund ta ndryshojnë vendin


Gazeta Express
20 Shtator 2019 22:45

Publicisti Veton Surroi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se zgjedhjet e 6 tetorit janë shumë të rëndësishme dhe do të duhej të shënonin një kthesë politike në Kosovë. Në intervistën dhënë korrespodentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zoti Surroi thotë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të ndërtoj një platformë dhe konsensus me partitë politike për përfaqësimin e Kosovës në bisedimet me Serbinë të cilat pritet të intensifikohen me përfshirjen më të madhe amerikane.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor. Si i shihni këto zgjedhje dhe sa janë të rëndësishme ato për Kosovën dhe zhvillimet aktuale brenda e jashtë saj?

Veton Surroi: Unë mendoj se janë jashtëzakonisht të rëndësishme këto zgjedhje sepse është momenti i fundit se kur duhet të bëhet kthesë në Kosovë. Kosova ka degjeneruar në këto dhjetë vitet e fundit të pavarësisë, në vend se ta shfrytëzoj dhe ta krijojë një avantazh, ka shënuar prapakthim në shumë aspekte dhe është shndërruar në shtet të kapur dhe është jashtëzakonisht me rëndësi që qytetarët ta japin votën e vet në mënyrë që të ç’kapet shteti.

Zëri i Amerikës: Si do të mund të bëhej kjo duke e ditur që tashmë shumica e partive politike në Kosovë ka qe disa vite që janë në pushtet?

Veton Surroi: Nuk është e vërtetë, nuk mund t’i relitivizojmë, do të thotë kemi lëvizjen Vetëvendosje e cila nuk ka qenë në pushtet, ka dalë me një agjendë reformiste. Lidhja Demokratike ka nominuar një personalitet i cili nuk është pajtuar me kapjen e shtetit pra ka qenë një zë pakicë brenda LDK-së kështu që kemi një, nëse mund të them, një energji reformiste edhe tek këto dy parti por edhe në shoqëri në përgjithësi dhe kjo shihet me mobilizim të jashtëzakonshëm të votës së diasporës. Kjo mund të jetë një valë e rëndësishme e cila e ndryshon vendin.

Zëri i Amerikës: Si e shihni rezultatin e këtyre zgjedhjeve?

Veton Surroi: Nuk mund ta parashikoj, por nëse Kosova nuk voton për reformë, për ndryshim, atëherë do të shënoj të njëjtat rezultate të cilat i ka shënuar deri më sot. Nuk mund kërkohet diçka më mirë nëse në pushtet mbetet kapja e shtetit.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, cilat sipas jush çështjet kryesore me të cilat do të përballet qeveria që do të dalë nga këto zgjedhje? Po flasim këtu për sfida të brendshme dhe të jashtme?

Veton Surroi: Nëse flasim për një qeveri reformiste dhe nëse kjo është ajo çka do të dalë nga këto zgjedhje, atëherë do të kemi të bëjmë me korrigjimin për aq sa është e mundur, të shumë aspekteve të jetës së brendshme dhe këto janë sfida jashtëzakonisht të mëdha. Mos të harrojmë që qeveria e kaluar ka nënshkruar një kontratë jashtëzakonisht të dëmshme për shtetin me Contour Global me çka i tërë vendi faktikisht, qytetarët duhet të punojnë për një kompani private, të sigurojnë kredi, t’ia paguajnë rrymën me çmim i cili nuk është i tregut, por me një çmim të paracaktuar dhe ky është një dëm i jashtëzakonshëm dhe qeveria duhet të ballafaqohet me këso gjëra. Natyrisht, duhet të ballafaqohet me përfundimin e konfliktit me Serbinë në një proces negociator, por duke pasur parasysh se janë bërë dëme të mëdha gjatë këtyre viteve, pra duhet korrigjuar duhet vendosur një formë të re të negociatave që e përfundon konfliktin, që krijon një hapësirë të lirisë në regjion dhe që e nxjerr Kosovën nga izolimi në të cilën e ka futur jo vetëm Serbia, Rusia e këto shtete, por edhe kapja e pushtetit këtu.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, çështja e tarifave ndaj mallrave serbe dhe ripërtëritja e bisedimeve me Serbinë sipas diplomatëve perëndimorë, janë detyrat kryesore të qeverisë së re. Sipas jush si do të mund të menaxhohen kërkesat e tilla duke e ditur që shumica e partive politike janë për masa ndaj Serbisë, disa me tarifa e disa me reciprocitet?

Veton Surroi: E para që duhet të ndodhë është që qeveria duhet të ketë një politikë të vet të jashtme, një politikë të vetën e cila është e përcaktuar dhe brenda kësaj politike, natyrisht është politika karshi Serbisë. Kjo politikë, si politikë e jashtme e vlefshme për një shtet, duhet të jetë konsensuale, pra atë që qeveria mendon që duhet ta ndërtoj si politikë, duhet po ashtu ta ndaj me partitë opozitare në mënyrë që të krijohet një fuqi e përfaqësimit të Kosovës dhe ashtu siç ndërtohet platforma ashtu do të ndërtohet edhe fuqia përfaqësuese. Unë besoj thellë që në të ardhmen çfarëdo procesi negociator për një kryeministër apo kryeministre të vendit duhet të pasohet me një ftesë opozitës që të marr pjesë në një proces të këtillë dhe do të ishte krejtësisht normale që kjo të ndodhte.

Zëri i Amerikës: Duke e parë që një e gjë e tillë nuk ndodhi muajve të kaluar, a e shihni sfidë këtë edhe gjatë mandatit të ardhshëm?

Veton Surroi: Por është akull që duhet thyer. Do të thotë nuk duhet mbajtur gjendjen gjithmonë pse nuk ka ndodhur në mandatin e kaluar hajde të mos ndodh edhe tash. Pra, një qeveri reformiste duhet të jetë shumë më e hapur në bashkëpunim me opozitën sepse në fund të fundit, Kosova duhet të ketë një unitet të plotë për aq sa është i mundur ky unitet, në përfaqësimin e vet me Serbinë, sepse është faza kur duhet të përmbyllet ky konflikt, duhet të krijohet paqja, duhet të implementohen marrëveshjet e arritura.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës emëruan zotin Mattheë Palmer përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Çfarë do të thotë kjo për rajonin?

Veton Surroi: Është shenjë krejtësisht e qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të intensifikojnë zgjidhjen e problemeve të mbetura. Nuk mund të mbeten konfliktet të pambaruara edhe njëzet vjet pas luftës në Kosovë dhe kjo nënkupton një lloj dhënie, një lloj energjie plotësuese e këtij procesi, i cili pak a shumë ka qenë i dështuar.

Zëri i Amerikës: A po e merr përsipër Amerika përmbylljen e bisedimeve Kosovë-Serbi?

Veton Surroi: Nuk besoj sepse edhe në paralajmërimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe të fuqive të mëdha është thënë se konteksti, korniza e negociatave do të jetë prapë brenda Bashkimit Evropian, brenda Komisionit, brenda vet shërbimit të jashtëm por kjo nuk mund të jetë ekskluzivisht pronë e këtij shërbimi sepse është treguar se pa një përkrahje më të madhe politike, gjërat nuk mund të ecin përpara. Ndonëse konteksti do të mbetet i njëjtë, një strukturë përkrahëse të themi politike, duhet të ndërtohet.

Zëri i Amerikës: Edhe diplomatët evropianë kanë hedhur kërkesën për emërimin e një përfaqësuesi të posaçëm të BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi. Çfarë do të thotë kjo, ndryshim formati të bisedimeve?

Veton Surroi: Mos të spekulojmë, por do ta dimë në nëntor kur do të themelohet Komisioni i ri Evropian, a do të ketë nevojë apo jo për emërim të një të dërguari të veçantë i cili do të merret me çështjen e Kosovës. Është pak e mundur që njeriu që është në krye të shërbimit të jashtëm të merret ekskluzivisht me Kosovën sepse ka kriza shumë më të mëdha me të cilat duhet të merret gjithandej, nga Ukraina, Irani e gjitha këto çështje të hapura janë çështje që e konsumojnë energjinë e Komisionit Evropian dhe është pak e mundur që e tërë energjia të përqendrohet tek Kosova dhe marrëdhëniet me Serbinë, prandaj është e mundur që Bashkimi Evropian të kërkoj një figurë politike e cila do të ndihmoj, do të lehtësoj këtë proces.

Zëri i Amerikës: Nëse BE-ja emëron një përfaqësues të Posaçëm, sa janë gjasat që edhe Rusia të kërkoj një të tillë dhe çfarë do të thoshte kjo për pozicionin e Kosovës?

Veton Surroi: Është padyshim se do të jetë një kërkesë e tillë e Federatës ruse për aq sa mos të harrojmë se i tërë procesi i negociatave brenda këtij konteksti është pjesë e vendimit të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së dhe anëtarësimi eventual i Kosovës ose anëtarësimi i cili duhet të vijë në fund të këtij procesi negociator, është proces i cili duhet shkoj nëpërmjet OKB-së, e ku Federata ruse ka të drejtën e vetos.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, a po kthehen bisedimet Kosovë-Serbi në një format të themi ashtu sikurse që ishin për statusin e Kosovës, ku ishit pjesëmarrës edhe ju?

Veton Surroi: Do të ketë më shumë energji, por për dallim prej të gjitha negociatave të tera, unë mendoj që është me rëndësi që Kosova të ndërtoj një ofertë të vetën sepse ato çfarë kemi parë deri më sot është një degradim i një procesi negociator dhe një pranim nga ana e Kosovës, i paprecedent i gjërave të cilat i bëjnë dëm vendit. Do të thotë pushteti i Kosovës i ka bërë një dëm shumë të madh gjatë procesit negocciator nga mos dija, nga pakujdesia, nga arsyet tjera që nuk i di, por duhet të rivendosen parimet të cilat e mbrojnë Republikën e Kosovës, interesat e vet dhe ardhmërinë evropiane dhe ardhmërinë e Kosovës në NATO.

Zëri i Amerikës: Si do të duket përfundimi i bisedimeve sipas jush?

Veton Surroi: Përfundimi i bisedimeve Kosovë-Serbi domosdoshmërisht duhet të jetë gjithëpërfshirës, duhet të jetë një marrëveshje e cila trajton çështjet e hapura mes Kosovës e Serbisë. Nuk mund të kemi paqe shkel e shko sepse fundja e kemi parë në Bosnje se si gjërat që bëhen shkel e shko pastaj vazhdojnë. Ne nuk kemi llogari si vend, nuk mund t’i lejojmë qytetarëve të vendit që të mbërrijmë në një situatë që gjeneratë pas gjenerate të hapen prapë problemet me Serbinë. Duhet të mbyllen këto probleme dhe këto probleme mbyllen ashtu që të mbrohen interesat e vendit. Interesat strategjike të Kosovës janë që të jemi shtet anëtar i NATO-s, interes strategjik është që të kemi një rrugë të qartë integrimi në Bashkim Evropian, interes strategjik është që të kemi një hapësirë komunikimi të lirë e të paqes me Serbinë dhe gjithë fqinjët tanë, pra të jetojmë në një hapësirë lirie, komunikimi, mungesë të frikës dhe sigurisë së plotë. Qytetarët e Kosovës duhet të jetojnë në siguri jo vetëm për gjeneratat e ardhshme por duhet të jetojnë në siguri për këtë gjeneratë.

Te fundit


Kthehu lart