Vetëvendosje s’del prej koalicionit me LDK’në në Vushtrri - Gazeta Express
string(55) "vetevendosje-sdel-prej-koalicionit-me-ldkne-ne-vushtrri"

Vetëvendosje s’del prej koalicionit me LDK’në në Vushtrri

Arbër Jashari

30/05/2020 13:09

Vetëvendosja dhe LDK’ja në Vushtrri do të vazhdojnë të bashkëqeverisin, edhe pas ndërprerjes së koalicionit në nivelin qendror. Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se në degën e LDK’së në këtë komunë nuk është në agjendë një gjë e tillë. Edhe nënkryetari i kësaj komune, Besim Muzaqi, që vjen nga Vetëvendosja ka thënë se nuk është e vërtetë që koalicioni do të prishet.

‘Koalicioni i Shpresës’ që zgjati vetëm 50 ditë në nivelin qendror mes VV’së dhe LDK’së nuk do ta afektojë koalicionin komunal në Vushtrri mes dy partive.

Lexo Edhe:

Dy subjektet politike, kanë lidhur koalicion në Vushtrri në nëntor të vitit 2017 pas zgjedhjeve lokale.

Kryetari dhe nënkryetari i Vushtrrisë që janë nga LDK’ja përkatësisht VV’ja kanë thënë për Gazetën Express se koalicioni mes dy subjekteve politike në këtë komunë do të vazhdojë.

Xhafer Tahiri tha se dega e LDK’së në Vushtrri nuk ka në agjendë prishjen e koalicionin me Vetëvendosjen kur është pyetur për këtë çështje.

“Unë nuk kam informacion të tillë, si dhe nuk kam asnjë informatë nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë çështje, vendimi është i tyre por nuk kam një informacion të tillë. Tek dega e LDK’së në Vushtrri nuk është diskutuar një gjë e tillë, dhe nuk është diçka që kemi në agjendë”, tha Tahiri për Express të shtunën.

Ndërkaq, Besim Muzaqi që është nënkryetar i Vushtrrisë dhe kryetar i degës së Vetëvendosjes në këtë komunë ka thënë se nuk është e vërtetë që koalicioni me LDK’në do të ndërpritet.

“Jo nuk është e vërtetë, së paku unë nuk kam asnjë informatë, mund të flas për aq sa di por informatë s’kam kurrfare”, u shpreh Muzaqi.

Vetëvendosja dhe LDK’ja kanë prishur koalicionin edhe në Prizren në shkurt të këtij viti, pak ditë pasi ishte votuar qeveria Kurti.

Mytaher Haskuka që drejton komunën e Prizrenit, kishe deklaruar se kanë vendosur të prishin koalicionin me LDK’në në këtë komunë, pasi LDK’ja nuk ka marrë pjesë në votimin e kryesuesit të ri të Kuvendit Komunal./GazetaExpress/