Vetëmbytja e milingonave në minilegen


Gazeta Express
23 Nëntor 2019 10:19

Minishengeni është një aksion dhe akt politik që kulminoi pas refuzimit kategorik franko-holandez ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Shikuar këtë akt me syze të shqiptarit kulturosferik, aksioni sipërfaqësisht duket më tepër degjenerues se i dobishëm: Përveçse hap plagë të vjetra që mëpërdhunojnë toposë e nyje të kujtesës ndërshqiptare, ai për synim qendror ka një vend e shtet, flamuri i të cilit s’merr pjesë në të: Kosova refuzon të përzihet në projekt dhe akuzon qeverinë në Tiranë për tradhti. Shikuar nga jashtë, por me «sy shqiptarë» këtë konflikt si del  të jetë projekti: pragmatik apo «thikë» pas shpinë, siç e konsiderojnë të ashtuquajturit «kosovëcentrikë» atë?

Xhemal AHMETI

Majtas: Efendiu plak, kokën-mbuluar me fes të kuq xhonturk e mjekërkrehur. Djathtas: malësori plisbardhë gjunjëzohet për të puthur Flamurin. Ismail Beu i urtë e i veshur «aristokratçe» në njërën anë, e në tjetrën «kosovari», Isë malësori me tirqi e deri në fyt i koburezuar. Kësaj pikture socrealiste shqiptare – e cila aq tepër shpërndahet festave të Nëntorit – desha dikur t’ia zëvendësoj figurat: në vend të Efendi Qemalit ta vë Salon e Tropojës e në vend të Isës Rugovën, i cili atëbotë printe me fuqite politike kosovare. Ide koti më doli, ngase rolet dhe habituset e figurave nuk më përshtateshin më as për nga gjeografia e as për nga faktografia me origjinalët e saj, me paraardhësit e dyve. Përveç kësaj, rol luante edhe frika e bërë muze brenda meje, ai konglomerati i emocioneve pra që mban frymën time të pranguar për etnisë: Çka më del vallë pasi t’i fshijë me benzinë plagësh ngjyrat e vajshme të piktorit? Ndonjë dokument që do ma prishte pallatin tim të bukur kulturor e nacional që e kam ndërtuar me legot e tim biri dhe që e konsideroj histori për lavdi?

NGA MESJETA TEK BLLOKU

Mesjetari Mirandola e dinte se Dinjiteti (dignitas) duhet të jetë baza e çdo drejtësie ndër njerëz, popuj e kultura. Kant idealisti madje na çau trurin me urdhëresat e Konfuçios dhe profetëve pas tij për të na bindur se paqja e përjetshme është e mundur nëse bëhemi gjithë si Jezu Krishti. John Rawls, Amartya Sen, Sandel e plotë të tjerë na e ribënë të qartë se fabrikimi i imperativëve global mbi barazinë, ekosistemet e paqësitë është humbjekohe nëse këto nuk realizohen brenda kopéve të veçanta. Shqip: me shtet të korruptuar; me pabarazi totale ndërmjet shtresave sociale, gjinive, etnive, me një gropë kaq të madhe ndërmjet masave dhe «katrapestëve» oligarkë me falangerinë e tyre, s’ke çkërkon, nuk ke d.m.th. mandat e kapital të eterosh parada retorike as për paqen në rajon e lerë më në plan kontinental a global.

Po ku përfill juglindori i Bllokut apo i Dukagjinit këto primesa. Ai ka lindur gjeni. Ora biologjike e tij e mbiquajtur me leksemën «instinkte» i ngjanë precizitetit helvetik: i kap, di dhe rregullon të gjitha me perfeksionin më të lartë – qoftë kjo metodë edhe vetvrasëse!

 «Postmoderni» me plis ta thotë 1 mijë herë në ditë se di mirë çka thonë teoritë, dijet dhe profetët, porse nuk i përfill qëllimisht, ngase idetë e tyre i konsideron llafologji për ndeja pubeve brenda Bllokut, andej pra, ku inteligjencia filizerike bën sikur lufton narcizerinë duke kërkuar mungesën totale nga habitusi personal: ky mendon se jo dinjiteti përcakton dhe rregullon paqen ndër njerëz e kopéra që në gjuhën e sotme thirren me nofkat «shoqëri» e «popuj», por paraja. Kapitali korrupton edhe viktimën më depresive të kësaj bote – thotë veprueshëm «gjeniu» politik «ballkanik» qoftë ai nga Buroja e (i)Skënderajt apo me origjinë nga ish-blloku i Tiranës postrurale.

Problemi mirëpo është se kjo kategori që refuzon moralin në favor të parasë, as të fundit s’di ta gjenerojë. Ose e gjeneron vetëm sa për të mbushur grykën e vetë dhe të enturazhit lojal që i ec pas, si ato pulat qorre, të cilat as glasat nuk i ndjejnë kur u shpëtojnë.

Minishengeni! Ç’është e ç’i sjell shqipërisë?

VARRET E PAMBYLLURA

Do ishte një defile redundante dhe e mërzitshme po t’ia krisnim për së milionti herë se pse nuk duhet bërë asnjë marrëveshje me Serbinë pa u shëruar ajo nga shovenizmi i saj shtetëror kundër shqiptarëve, maqedonëve, boshnjakëve, kroatëve e gjithë atyre që s’janë serbë. Fundifundit fqinjët e saj nuk janë ambulanca psikiatrike dhe brendavetes nuk i kanë gjendjet më lule se fshatarët racistë të Shumadisë e as instruktorët e këtyre që me opinga defilojnë Terazisë.

Telegrafisht: Serbia nuk ka ndryshuar politikën e saj karshi shqiptarëve. Ende pa u mbyllur varret e pasviteve 1900 ajo ende pa u mbyllur shekulli hapi varre të reja masive Kosovës. Mijëra gra vdesin për çdo ditë jo vetëm në nder por edhe fizikisht pa parë drejtësi me sy. Po siç thamë le ta lëmë moralin se atyre që u kushtohet ky tekst nuk e kapin dot këtë gjë. Le të merremi me tezën e tyre se «Minishengeni ballkanik» qenka edhe në të mirë të shqiptarëve. Ja le t’i harrojmë gjitha projektet që nga ndeja e Titos me Dimitrovin në atë kafenenë e famshme të Moskës e deri tek dashuriçkat platoniko-intergjinore të Ramës dhe Vuçiçit dhe le të pyesim me pragmatizmin më të thellë të mundshëm se ç’qenka puna e këaj ideje.

ARGUMENTET QË S’JANË

Argumenti i parë: Lëvizja e lirë? E kujt? Njerëzve dhe mallrave – thonë.

Kundërargumenti: Serbët e shqiptarët vijnë e vajnë në këto dy vende pa pengesën minimale. Firmat serbe nuk janë as të sanksionuara e as të refuzuara në Shqipëri. Përkundrazi.Tregu ec njëdimensionalisht: serbët kanë ç’shesin e shqiptarët më pak. Po të krijonin një marrëveshje për ashpërsimin e kontrollit të tregtisë ilegale (edhe me qenie njerëzore – sidomos agjencitë që u shesin gra buqjëve serb) do të ishte hap i mirëpritur, por jo. Ky argument nuk është i tillë por është fasadë që s’rri ngjitur murrit, ngase donë të mëlirojë diçka që lulëzon në anarki.

Argumenti i dytë: Pas refuzimit nga BE, vendet e Ballkanit duhet të organizojnë ekonominë e tyre për të mbijtetuar dhe për t’i dëshmuar asaj se shtetet juglindore kanë alternativa tjera.

Kundërargumenti: Ato nisen nga një stad mbijetimi jashtë BE-së. Cilat do jenë instrumentet që do ta bëjnë BE- në ta vë gishtin në kokë? Se këto shtete do orientohen drejt Turqisë e Rusisë? Po ato janë qëmoti në këtë vijë qoftë ekonomikisht e politikisht. Se ky bllok trinitar post-osman do ta shtrrngojë Europën duke mos ia dhënë prodhimet ekskluzive që i prodhojnë këto? Cilat? Lakrat, peshqit, pinxhurin apo vorbat e Kërçovës? Apo në mos gazin rus apo suxhukun turk? Vendet juglindore nuk kanë asnjë mekanizën për ta vënë nën presion BE-në. Të vetmen gjë që kanë në dorë për ta kërcënuar perëndimin janë refugjatët e Erdoganit. E se ç’kërkojnë shqiptarët brenda këtij kërcënimi e di vetëm inteligjencia postbllokiste bashkë me gjenitë që i këshillojnë.

Argumenti i tretë: Ky mund të ishte i qëndrueshmi. Ky spekulim është i gjysmëzëshëm, por dydimensional: Minishengeni sugjeron të jetë një nismë që nëpërmjet këtij instrumenti Serbia të mundet që pa njohur Kosovën t’i mundësohet sërish depërtimi në atje, kështu duke u defaktorizuar taksa dhe ndonjë reciprocitet eventual vetëm politik. Me këtë aksion do të depolitizohej ekonomia dhe shteti i Kosovës si «player» bllokues apo favorizues, pastaj politika, mund të vazhdonte me luftën e përmasave (agresive) e një konkurrence diploimatike: unë luftoj për çnjohje ti lufto për njohje. Shqipëria në këtë dasëm do bënte punën e Ponc Pilatit: ç’a u bëjmë ne ju, shtrrngohuni si serbët; ose nuk i kemi ne fajet që ju mbrrini kaq vonë në shpalljen e pavarësisë, nuk prisnim dot më gjatë e më hiç të dilnim kah Prizreni a Shkupi, obobo (…).

Nuk ka asnjë argument pragmatik që «Minishengeni» i nisur nga Vuçiçi, Rama dhe Zaevi të jetë në favor të shqiptarëve, pro rrugës europiane apo në favor të zgjidhjes së problemeve «kosovare» -serbe. Ai as që ka të bëjë me BE-në apo ndonjë zgjuarësi mirakuloze «ballkanike», në drejtim të kosnsolidimit të rajonit. Përkundrazi ai rezulton si instrument politik për ti elimiunuar masat kosovare ndaj shitësve të caktuar. Shitës që kurrë nuk e kanë as mundësinë ta ndajnë ekonominë nga politika e tyre. As atëherë kur pllakatet i mbushë fytyra e bukur e ndonjë ylli global si ajo e Rita Orës.

MORALI I FILIZERISË POSTBLLOKISTE

Ka ikur ajo kohë e instrumentalizimit të malësorëve të Boletinit për interesa të bejlerëve kuazi-aristokratë politik të Kapalı Çarşı-së apo anasjelltas. Koha e tapive të Bajram Currit nuk është më. Dy shtetet shqiptare janë të barabarta në subjektivitet sot. Natyrisht do të ishte mirë që këto të bashkëvepronin se i njejti komb klulturor, por të detyruara s’janë. Ata «gjenitë» fluturakë e filizorë të qeverisë në Tiranë mund të bëjnë marrëveshje – siç kanë edhe përvojë në këtë drejtim – për konfederata, minishengene, qofshin ato titiste apo milladinçe, ndërkaq kosovarët kanë të drejtë të ndihen të tradhëtuar dhe të refuzojnë pjesmarrjen në akte të tilla. Por të bënin ndryshe do gabonin. Politikisht: Kemi të bëjmë me një aksion politik kundër interesave ekzistenciale të tyre si shtet. Moralisht: Në relacion me Kosovën «Minishengeni» nuk e ka fare!

Te fundit


Kthehu lart