Veseli nënshkruan vendimin për shpërndarjen e Kuvendit


Gazeta Express
22 Gusht 2019 14:30

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka bërë edhe hapin e fundit si kryeparlamentar duke e nënshkruar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit, raporton Gazeta Express.

Këtë e ka bërë të ditur përmes Facebook-ut vetë Veseli, derisa ai ka shkruar se ka marrë iniciativat ligjore dhe kushtetuese për shpërndarje.

“Si Kryetar i Kuvendit i kam marrë të gjitha iniciativat ligjore dhe kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më vjen mirë që sot të gjitha partitë politike iu bashkuan iniciativës sime dhe votuan për shpërndarjen e Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sapo nënshkrova edhe zyrtarisht vendimin për shpërndarjen e saj”, tha ai, derisa, tutje, ka shkruar se në mandatin e ardhshëm do të ketë sa më shumë të rinj në partinë e tij.

“Në këtë legjislaturë nuk ka pasur mjaftueshëm gra dhe të rinj. Shpresoj të shoh më shumë në mandatin e ardhshëm. Sa i përket PDK-së, jam i sigurt që do të ketë shumë të rinj dhe gra në listën e saj. Ne u përpoqëm shumë që të merrnim një shumicë mbështetëse për iniciativat tona kundër korrupsionit. Në mandatin tjetër do të jetë ndryshe, pasi ne do të vendosim një kod të ri etik”, tha ai./Express/

Te fundit


Kthehu lart