Veseli kërkon të caktohet data e zgjedhjeve, nis edhe përpilimi i listës për kandidatë për deputetë


Gazeta Express
22 Korrik 2019 14:57

Në një komunikatë për media, PDK-ja ka njoftuar se kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, ka mbajtur sot një takim me kryetarët e degëve të PDK-së, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.

Veseli ka thënë se PDK-ja është gati për zgjedhje dhe në këtë proces hyn për të fituar.

“Tashmë data zgjedhjeve duhet të caktohet sa më parë. Ne kemi përfunduar procesin e brendshëm zgjedhor, që ka fuqizuar PDK-në, dhe jemi të përgatitur për zgjedhje si asnjëherë më parë”, është shprehur kryetari Veseli.

Në takim është vendosur që të gjitha degët e PDK-së të krijojnë shtabet zgjedhore gjatë kësaj jave dhe, po ashtu, është kërkuar nga kryetarët e degëve që të fillojnë propozimet për kandidatët për deputetë që do të jenë pjesë e listës kandiduese të PDK-së.

“PDK-ja hyn në zgjedhje me qëllimin e qartë për të fituar në këtë proces dhe për t’i dhënë vendit një Qeveri me legjitimitet të plotë qytetar dhe me vizion të qartë për të ardhmen euro-atlantike”, ka thënë kryetari Veseli.

Te fundit


Kthehu lart