Shkruan: Fejzullah Hasani
Prodhimi, përpunimi dhe tregtia e narkotikëve dhe substancave psikotrope paraqet një kërcënim serioz për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve, për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe për sistemin politik të vendit. Kjo dukuri kërcënon seriozisht shtresa të ndryshme të shoqërisë, veçanërisht fëmijët, të cilët shpesh përdoren si treg për shfrytëzimin e narkotikëve dhe substancave psikotrope. Fatkeqësisht, kjo po paraqitet edhe në vendin tonë, ndonëse më parë nuk ka qenë një dukuri e tillë. Tregtia e kundërligjshme e narkotikëve dhe substancave psikotrope, së bashku me veprimtaritë tjera kriminale, e destabilizon ekonominë e ligjshme dhe paraqet një kërcënim serioz për stabilitetin dhe sigurinë e vendit.
1.A SAKSIONOHEJ VEPRA PENALE POSEDIMI I NARKOTIVE PA QËLLIM SHITJE ( PËR PËRDORIM PERSONALE ) ME LIGJIN PENALE QË APLIKOHEJ NË KOSOVË DERI NË VITIN 2004 DHE KODIN E PËRKOHSHËM PENALE TË VITI 2003 QË KA HYRË NË FUQI NË VITIN 2004 DERI MË 01 JANAR 2013
Vepra penale posedimi i narkotikëve pa qëllim shitje ( për nevoja personale ) nuk ka qenë e sanksionuar me Ligjin Penal të ish Jugosllavisë i cili është aplikuar në terë territorin e ish Jugosllavisë [1], e që në Kosovë ka qenë i aplikueshëm deri në vitin 2004 , e as me KPPK , të viti 2003, që ka filluar të aplikohet nga 4 prilli i viti 2024 [2].
Në komentin e LPJ që ishte në aplikim edhe në Kosovë deri në vitin 2004 theksohej: “ blerja dhe posedimi i drogave dehëse për nevoja personale nuk përmban vepre penale .[3]
2.KUR ËSHTË SANKSIONUAR ME LEGJSLACIONIN PENAL TË KOSOVËS POSEDIMI I NARKOTIVE
PA QËLLIM SHITJE ( PËR PËRDORIM PERSONALE )
Posedimi i drogave dehëse pa qëllim shitje për herë të parë në legjislacionin e Kosovës është paraparë me neni 275 të KPK të viti 2012 e pastaj me nenit 269 të KPK të viti 2019, këtë emërtim : “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge “
Përshkrimi ligjor i veprës penale nga neni 275 i KPK( 2012) dhe nenin 269 i KPK (2019)
1. Kushdo që pa autorizim posedon narkotikë, substanca psikotrope apo analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet.
2. Kryesi që kryen veprën nga paragrafi 1. i këtij neni për herë të parë dhe i cili posedon më pak se tre (3) gram të substancave narkotike apo substancave psikotropike ose analoge dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
3. Substancat narkotike, substancat psikotrope ose substancat analoge konfiskohen.
3.SI ËSHTË E RREGULLUAR KJO VEPËR PENALE NË LIGJET-KP TË REGJIONIT
Nga vendet e regjionit ( të ish Jugosllavisë ) dhe Shqipërisë , posedimin pa qëllim shitje(për përdorim personal) e sanksionojnë si vepre penale përpos Kosovës , Bosnja dhe Hercegovinës dhe Republika e Serbisë .
LIGJI PENAL I FEDERATËS SË BOSNJËS DHE HERCEGOVINËS
Ligji Penal i Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës posedimin pa qëllim shitje e parasheh në nenin 239 paragrafi 3.[4]
Përshkrim ligjor
1. “Kushdo që pa autorizim posedon droga dehëse dënohet me dënim me burgim deri në një (1) vite”.
REPUBLIKA E SERBISË
Përshkrimi ligjor i veprës penale
“Kush do që pa autorizim, për përdorim personal posedon sasi të vogël të substancave apo preparateve që janë të shpallura për droga dehëse , dënohen me gjobë apo me burgim deri në tri vite , por mund edhe të lirohen nga dënimi”. [5]
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Neni 283
Prodhimi dhe shitja e narkotikëve
Shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi,dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
4.NGJASHMËRIA E NENIT 275(2012) DDHE 269 (2019) TË KPK-ËS, ME NENIN 239 PARAGRAFI 3 TË
LIGJIT TË FEDERATËS SË BOSNJËS DHE HERCEGOVINËS.
Nëse e krahasojmë nenin 275 (2012) , nenin 269(2019) të KPK-ës, është identik me nenin 239.par.3. i Ligjit Penal të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Edhe njëri, edhe tjetri përdorin shprehjen “posedim i paautorizuar i narkotikëve“, me dallim te dënimi, ngase Ligji Penal i Bosnjës parasheh vetëm dënimin me burgim deri në një vit dhe nuk e ka paragrafin 2, kur sasia e drogës është më pak se 3 gr, siç e ka KPK-ës dhe po duket se neni 275 i KPK (2012) është kopjuar nga ky ligj.
Me rastin e komentimit të nenit 239, par. 3, të Ligjit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, autorët theksojnë: “ se ky nen vjen në zbatim vetëm atëherë kur posedimi, blerja apo kultivimi i substancave psikotropike bëhet për nevoja personale.[6]
5.APLIKIMI I GABUAR I NENIT 275 (KPK –ës ,2012) PËRKATËSISHT NENIT 269 (kpk-ës, 2019)
Si ish gjyqtar dhe kryetari Gjykatës Supreme por edhe si profesor i lëndëve penale, qysh në fillimin e zbatimit të kësaj vepre të re penale , kam vërejtur se ligj zbatuesi-prokurorë , kanë qasje të gabuar në interpretimin e këtij neni , për faktin se pa përjashtim veprimet e poseduesve të drogave të ndryshme po i cilësojnë sipas nenit 275 (2012) përkatësisht nenit 269 ( 2019) të KPK-ës, nëse sasia është e vogël.
Nga rastet që kam hulumtuar kam arritur në përfundimin se prokurorët janë përcaktuar për të aplikuar nenin 275 (2012) – 269 (2019) të KPK-së, vetëm duke u bazuar në sasinë e drogës që është gjetur tek të pandehurit, edhe pse në asnjë aktakuzë nuk kanë dhënë arsye se pse nuk kanë aplikuar nenin 273, paragrafi 1 (KPK 2012) ose nenin 267, paragrafi 1 (KPK 2019).
Sipas vlerësimit tim, në asnjë rast nuk ka pasur bazë ligjore për t’i aplikuar këto nene, ngase jo vetëm që të pandehurit nuk kanë ofruar prova se droga ishte për përdorim personal, por as që ka marrë mundin prokuroria të sqarojë se pse e paska poseduar të pandehurit drogën: për ta shitur apo për nevoja personale?.
Është Lehtë për t’i dalluar nenin 273, par. 1 dhe nenin 275, par. 1(2012), përkatësisht nenin 267, par. 1 dhe 269, par. 1(2019), dhe nuk është e nevojshme të kesh ndonjë përvojë, vetëm të lexosh drejt juridikisht, ngase 273 (2012) dhe 267 (2019) përdorin shprehjen “posedon pa autorizim për shitje”, ndërsa 275 dhe 269 përdorin vetëm “posedon pa autorizim” pa shprehjen për shitje. Dënimi për veprat penale nga neni 273-267 është me gjobë dhe me burgim prej dy deri në tetë vjet, ndërsa për veprat penale nga neni 275-269 është me gjobë dhe me burgim deri në tri vjet.
Mungesa e shprehjes “për shitje” dhe dënimi maksimal deri në tri vjet, për veprën penale nga neni 275-269 të KPK, tregon qartë se këto nene , zbatohen vetëm nëse provohet se kryesi , drogën e ka poseduar për nevoja personale dhe janë plotësuar edhe kriteret tjera.
Për t’i cilësuar veprimet e posedimit të e pa autorizim të drogave sipas nenit 273 par.1.KPK-ës( 2019) përkatësisht nenin 267.par.1.të KPK-ës(2019), është e mjaftueshme që të vërtetohet se ai drogën e ka poseduar për ta shitur , pavarësisht se çfarë sasie të drogës ka pas në posedim , ndërsa kur ka sasi të madhe të drogës , e që e posedonte për ta shitur , atëherë aplikohet neni , 281.KPK (2012) 275 të KPK-ës (2019).
Pyetja që u parashtrohet ligj zbatuesve , që po aplikojnë pa përjashtim nenet 275(2012)-269 (2019 të KPK), nëse kryesit kanë sasi të vogël të drogës , pavarësisht qëllimit të posedimit , është : “ si qenka e mundur që psh. për 70.gr. drogë që mbahet pa autorizim sipas neneve të cituara më sipër, të dënohet prej 30 ditëve deri në 3 vite, ndërsa po për të njëjtën sasi droge , në posedim për ta shitur , të dënohen prej dy deri në tetë vjet, sipas nenit 273(2012) 267(2019” ?:
Mungesa e shprehjes: “për ta shitur “në nenin 275(2012) përkatësisht 269(2019) si dhe dënim që parashihet sipas këtyre neneve , qartë tregojnë se kjo dispozitë aplikohet vetëm për ata që janë përdorues-vartës të drogave dehëse dhe assesi ndaj atyre që nuk janë përdorues –vartës të drogave dehëse, pavarësisht sasinë, siç gabimisht është vepruar nga viti 2013 e tutje.
Kur lexon arsyetimet në aktakuza dhe aktgjykime hasë arsyetime paradoksale psh.me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë P.nr.5144/2019, dt. 27.12.2025, i pandehuri është shpallur fajtor për veprën penale nga neni 275, posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, dhe është gjykuar me dënim me burgim kusht dhe dënim me gjobë , me këtë arsyetim: citoj “gjykata vëren se, vështruar në aspektin juridik, vepra penale e “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275, par. 1 të KPRK-së kryhet në rastet kur ndokush pa autorizim posedon narkotikë, substanca psikotrope apo analoge. Në rastin konkret, pakontestueshme është vërtetuar fakti se i akuzuari N. ka poseduar pa autorizim narkotikë, substanca psikotrope apo analoge dhe se kjo është vërtetuar edhe nga vetë i akuzuari N, anipse vetë i akuzuari ka pretenduar se sasia e substancës narkotike ka qenë rreth dy gram” mbyll citatin.
Posedimin e pa autorizim përmban edhe neni 273, par. 1(2012), edhe neni 267, par 1.(2019), KPK, mirëpo sipas këtyre neneve droga posedohet për ta shitur, ndërsa sipas nenit 275-269, droga posedohet për nevoja personale. Gjykata do të duhej ta arsyetonte se pse po e posedonte narkotikun (për nevoja personale apo për ta shpërndarë – shitur) e jo një dimension “posedimi i paautorizuar“, që nuk është kontestuese, ngase po të ishte me autorizim nuk do procedohej penalisht !. Arsyetimi i gjykatës se kjo vepër penale konsumohet nëse posedohet pa autorizim nuk qëndron, dhe ky nuk është arsyetim, ngase përpos posedimit të paautorizuar, për të aplikuar neni 275-269 duhet sqaruar qëllimi i posedimit.
Meqenëse neni 275 (2012) dhe neni 269 (2019) i Kodit Penale (KPK) nuk përdorin shprehjen “ka poseduar për ta shitur“, siç e përdorin nenet 273 (2012) dhe 267 (2019) të KPK-së, kjo nënkupton se droga është mbajtur për përdorim personal dhe jo për ta shitur. Në doza të vogla—siç janë 5, 10 ose 20 gramë—droga është gjetur në shtëpi, si doza ditore ose 3–4 doza ditore, ndërsa poseduesi ofron kartelë mjekësore ose raport mjekësor që dëshmon se është përdorues i drogave.
Në të gjitha rastet kur droga gjendet jashtë shtëpisë—në lokale nate, në parqe, ose e fshehur në vende të ndryshme—aplikohen nenet 273, paragrafi 1 (2012) dhe 267, paragrafi 1 (2019) të KPK-së edhe për ata posedues që kanë kartelë mjekësore që dëshmon se janë përdorues.
Për të aplikuar neni 275(2019) përkatësisht 269 (2019), droga gjendet në shtëpinë e personi , i cili dëshmon me kartel mjekësore-raport mjekësor se është përdorues-vartës i narkotikëve edhe atë në doza të vogla; mbajtja e drogës jashtë shtëpisë, pavarësisht sasisë, qartazi nënkupton se është mbajtur për ta shitur (distribuuar), dhe jo për nevoja personale.
Ky përfundim im i mbështetet edhe nga autorët e komentarit të Ligjit Penal të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës (gjyqtarë dhe teoricienë të njohur të fushës penale, të cilët i kam cituar më sipër), nga i cili ligj ne kemi kopjuar këtë vepër penale. Mirëpo, edhe norma është e qartë për çdo jurist që di ta lexojë drejt normën. Norma qartë thotë se e posedon pa autorizim, por nuk ka shprehjen “për ta shitur” siç e thekson në nenin 267. Droga nuk posedohet për qëllim tjetër përveçse për ta shitur ose për ta përdorur vetë.
6.A DUHET APLIKUAR KJO DISPOZITË (275 -269) NDAJ POSEDUESEVE TË DROGAVE , NË ÇDO RAST
KUR POSEDON SASI TË VOGËL TË DROGAVE DHE OFRON DËSHMI , KARTEL MJEKËSORE APO RAPORT
MJEKËSOR SE ËSHTË PËRDORUES- VARTËS I DROGAVE
Për ta aplikuar nenin 275 të KPK-së të vitit 2012, ose nenin 269 të KPK-së të vitit 2019, kartela mjekësore apo raporti mjekësor që vërteton se personi është vartës i narkotikëve nuk është kushti i vetëm. Përveç kësaj, duhet të plotësohen edhe kushte të tjera, si p.sh.: ku është gjetur droga? Nëse është gjetur në shtëpi, atëherë duhet parë sasia e drogës, p.sh. nëse kishte drogë për një dozë ditore apo doza për 2-3 ditë, dhe jo sasi të mëdha të drogave. Nëse droga gjendet jashtë shtëpisë (në lokal, park, në objektet e shkollave, afër shkollave etj.), atëherë nuk bëhet fjalë për këtë vepër penale posedimi për nevoja personale por posedimi për ta shitur .
Në momentin kur gjendet droga te personi, pavarësisht se ku gjendet dhe cila është sasia, fillimisht aplikohen dispozitat që parashohin posedimin me qëllim shitjeje ( neni 273-2012, 267-2019). Nëse gjatë procedurës së hetimeve vërtetohet se personi në fjalë është përdorues apo vartës i narkotikëve (duke ofruar kartelë mjekësore apo raport mjekësor), atëherë, duke marrë parasysh edhe rrethana të tjera, si p.sh.: vendi ku është gjetur droga (në shtëpi, rrugë, automjet, lokale), sasia e drogës, etj., veprimet e tij mund të cilësohen sipas nenit 275 (12) të KPK-së së vitit 2012 ose nenit 269 të KPK-së së vitit 2019.
Nuk është detyrim i prokurorit që të kërkojë ekspertizë për të përcaktuar nëse kryesi është përdorues apo vartës i drogave, edhe atëherë kur poseduesi pohon se është i tillë. Ai, gjatë hetimeve, duhet të dëshmojë me prova se vërtet është vartës i drogave.
7. RASTET NGA PRAKTIKA GJYQËSORE LIDHUR ME KËTË VEPËR PENALE
Dënimet për këto vepra penale
Përveç faktit se nga viti 2013 kur ka filluar të aplikohet norma që ka sanksionuar si veprën penale” posedimin pa qëllim shitje” në asnjë rast nuk ishin plotësuar kushtet për të aplikuar nenin 275 përkatësisht nenin 269, por duhej aplikuar neni 273-267.par.1.i KPK , ku pavarësisht sasisë së drogës dënimi është me gjobë dhe me burgim prej dy deri ne tetë vjet edhe dënimet që janë shqiptuar janë të papërfillshme .Nga veprat penale që i kam hulumtuar, duke u bazuar në vendimet gjyqësore të shpallura në faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor vetëm për vitin 2024, numër i madhe i këtyre çështjeve është parashkruar , ndërsa për ato pak aktgjykime dënuese , 90% e dënimeve për vepra penale nga nenet 275-269 janë me gjobë dhe me burgim me kusht.
8.Parashkrimi i këtyre lëndëve penale
Në faqen e Këshillit Gjyqësor për vitin 2024 ishin publikuar 322 lëndë nga neni 275 të KPK-së, ku secila rubrikë përfshinte nga 20 lëndë. Unë kam hulumtuar vetëm dy faqe (rubrika), që gjithsej përfshin 40 lëndë.
Mënyra e vendosjes nga faqja (rubrika) e parë:
Me aktvendim janë hedhur akuzat dhe është pushuar çështja penale për shkak të parashkrimit në këto çështje penale si më poshtë:
P.nr.100/2019,dt.27.09.2024;
P.nr.638/2020,dt.02.03.2020;
P.nr.399/2019,dt.18.12.2023;
P.nr.1033/2019,dt.11.03.2025;
P.nr.431/2018,dt.22.01.2025;
P.nr.2252/2019,dt.23.01.2025;
P.nr.632/2022,dt.08.05.2024;
P.nr.445/2020,dt.23.04.2020;
P.nr.1941/2023,dt.09.09.2024;
P.nr.2269/2019, dt. 08.07.2024.
Me aktgjykimin P.nr.458/2019, dt. 31.05.2025, është refuzuar akuza për shkak të parashkrimit.
Për nëntë raste tjera është marrë aktgjykim dënues.
Mënyra e vendosjes nga faqja (rubrika) e dytë:
Me aktvendim janë hedhur aktakuzat dhe është pushuar çështja penale për këto çështje penale :
P.nr.385/2019,dt.19.01.2024;
P.nr.5216/2018,dt.22.08.2024;
P.nr.5388/2018,dt.22.08.2024;
P.nr.4745/2028,dt.22.08.2024;
P.nr.4577/2018,dt.03.09.2024;
P.nr.5380/2018,dt.02.09.2024;
P.nr.1617/2019,dt.05.07.2024;
P.nr.4087/2018,dt.20.03.2024;
P.nr.2127/2019,dt.25.06.2019;
P.nr.4473/2018,dt.12.02.2024;
P.nr.3149/2018,dt.09.01.2024;
P.nr.3734/2018,dt.08.07.2024;
P.nr.1513/2019,dt.08.07.2024;
P.nr.3632/2018,dt.24.10.2023;
P.nr.361/2018,dt.13.05.2024;
P.nr.86/2018,dt.15.08.2023.
Në faqen e dytë, nga 20 lëndë, 16 kanë përfunduar me aktvendim për shkak të parashkrimit absolut, vetëm katër çështje kanë përfunduar me aktgjykim dënues edhe atë me dënime simbolike me gjobë dhe me dënim me burgim me kusht , pra, nga 20 lëndët në rubrikën e parë, 60% kanë përfunduar për shkak të parashkrimit, ndërsa në rubrikën e dytë, 80% e çështjeve penale kanë përfunduar me aktvendim për shkak të parashkrimit.
9. EFEKTET E DËMSHME QË KA PRODHUAR QASJA E KËTILLË NË RAPORT ME KËTË VEPËR PENALE
Nga hulumtimi që kam bërë, po thuajse 95% e rasteve që kanë shpëtuar pa u parashkruar, të pandehurit veprën penale e kanë pranuar në shqyrtimin fillestar, ngase avokatët e tyre kanë qenë të vetëdijshëm se klientët e tyre në aspektin ligjor pa të drejtë janë favorizuar, sepse po të aplikohej drejt ligji, ata mund të dënoheshin deri në tetë vjet.
Meqë siç përshkrova më sipër, 70% e rasteve janë parashkruar, ata që janë dënuar në 90% të rasteve janë dënuar me gjobë dhe dënim me burgim me kusht. Asnjë efekt nuk ka pasur në aspektin e preventivës – në aspektin e uljes së veprave penale nga kjo fushë. Përkundrazi, qasja e gabuar e prokurorëve, parashkrimet masive dhe dënimet fare të papërfillshme i kanë stimuluar ata të vazhdojnë me veprime të tilla kriminale, të vetëdijshëm se nuk do të kenë asnjë pasojë ligjore.
Dilerizmi (trafikimi) me narkotikë nuk fillon me kilogramë, me tonë, por kështu niset me gramë: 5, 20, 50 etj. Pikërisht për shkak të qasjes së këtillë të organeve të drejtësisë (veçmas të prokurorisë), kemi një prani masive të drogave tek rinia. Dilerët e tillë që shpërndajnë-shesin droga me sasi të vogla, i hasim para shkollave, parqeve dhe vendeve tjera publike, pa asnjë frikë se do të kenë pasoja ligjore.
Jam i bindur se sikur të aplikohej drejt ligji dhe të gjithë këta posedues të procedoheshin sipas nenit 273–267, asnjë vepër nuk do të parashkruhej, ngase afatet relative janë më të gjata – 10 vjet (edhe pse për bindjen time për parashkrim mbajnë përgjegjësi gjyqtarët, nëse për shkak të mos punës së tyre, neglizhencës së tyre ka ardhur deri te parashkrimi). Pastaj, kryesit do të mund të dënoheshin me burgim deri në 8 vjet. Shumë më pak çështje të tilla do të kishim nëpër gjykata, shumë më pak prani të drogave nëpër shkolla, nëpër vende publike etj.
Shpresoj se ky shkrim im do të jetë alarm për institucionet e drejtësisë, e veçmas për eprorët e prokurorive, që urgjentisht të thërrasin një takim me të gjithë prokurorët dhe t’u sugjerojnë se posedimi i paautorizuar i drogave mund të cilësohet sipas nenit 269 të Kodit Penal në aplikim, vetëm kur droga është gjetur në shtëpi, në sasira jo të mëdha dhe poseduesit dëshmojnë me kartelë mjekësore apo raport mjekësor se janë përdorues apo vartës të drogave dhe në gjitha rastet tjera , që ata kanë poseduar drogën për ta shitur , pavarësisht sasisë , të drogave(përpos sasisë së madhe) , aplikohet neni 273 paragrafi1. (2012) përkatësisht neni 267 paragrafi1 (2019),e jo siç po veprojnë gabimisht nga viti 2013, kur kjo vepër penale për herë të parë është paraparë me kod.
PRISHTINË, GUSHT 2025.