Vendimi i Qeverisë për reciprocitetin, 11 maune me mallra serbe s’lejohen të hyjnë në Kosovë - Gazeta Express
string(90) "vendimi-i-qeverise-per-reciprocitetin-11-mauna-me-mallra-serbe-slejohen-te-hyjne-ne-kosove"

Vendimi i Qeverisë për reciprocitetin, 11 maune me mallra serbe s’lejohen të hyjnë në Kosovë

Gazeta Express

01/06/2020 14:27

11 maune me mallra serbe nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë. Arsye për këtë është mosplotësimi i dokumentacionit të kërkuar sipas vendimit të fundit të Qeverisë në detyrë për masa reciproke.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, i ka thënë Gazetës Express se të gjitha kthimet kanë të bëjnë me aplikimin e masave të reciprocitetit.

Lexo Edhe:

 “Vendimi i qeverisë zbatohet në perpikemiri nga Dogana. Deri tani kemi të kthyer rreth 11 maune. Të gjitha kthimet kanë të bëjnë me aplikimin e masave te reciprocitetit sipas pikës 1 respektivisht 1.1 dhe 1.3 dhe gjithashtu edhe pikës 3 te vendimit te qeverisë”, thuhet në përgjigjet e Stavilecit.

Ky vendim i Kurtit ka ngjallur reagime të shumta. Ndaj këtij vendimi, ka reaguar i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Lajçak ka thënë se është i zhgënjyer me këtë vendim.

Sipas tij, veprime të tilla e minojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të largohen menjëherë.

“I zhgënjyer për masat e reja të reciprocitetit, të vendosura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Veprime të tilla të njëanshme e minojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të largohen menjëherë. Siç është thënë vazhdimisht, ne presim që të dyja palët në dialog t’i zbatojnë dhe t’i respektojnë marrëveshjet e kaluara”, ka shkruar Lajçak.

Për masat e reja ka reaguar edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, me këtë veprim Kurti po vazhdon hapat në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së.

“Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada”, ka shkruar Thaçi.

Ndryshe, Qeveria në detyrë e Kosovës, më 28 maj, ka vendosur masa tregtare shtesë për Serbinë, duke ndaluar përdorimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale me “emra vendesh që përmbajnë elemente që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që përmbajnë elemente që mohojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”.

“Sipas plotësimeve dhe ndryshimeve të këtij vendimi, në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate drejtuar mediave.

Ky vendim parasheh që kompanitë nga Serbia të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet me mallra që hyn nga Serbia në Kosovë.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë obligohet të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare, ndërsa operatorët ekonomik nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyn në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi”, thuhet në komunikatën e ZKM-së. /Gazeta Express