Vëllaznimi bllokon Prishtinën, ka kontratë me lojtarin që e prezantuan bardhekaltrit


Gazeta Express
18 Qershor 2019 11:47

Pa kaluar as 24 orë që nga momenti kur Prishtina e zyrtarizoi transferimin e mbrojtësit Tun Bardhoku nga Vëllaznimi, klubi gjakovar ka mohuar të ketë arritur marrëveshjen me Prishtinën për shtijen e futbollistit në fjalë.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në rrjetin social Facebook, Prishtina lajmëroi se mbrojtësi Tun Bardhoku i ishte bashkuar skuadrës bardhekaltër nga Vëllaznimi, raporton Gazeta Express.

“Mirësevjen Tun Bardhoku. Futbollisti i shumë pozitave defansive, sivjet ka spikatur si mbrojtës i majtë. Bardhoku 25 vjeç sot zyrtarisht iu është bashkuar Prishtinës nga Vëllaznimi. Më gjerësisht më vonë…”, shkroi klubi kryeqytetas në Facebook.

Megjithatë, Vëllaznimi e ka kundërshtuar këtë pretendim të Prishtinës, duke thënë se futbollist ka ende marrëveshje me klubin gjakovar dhe se ai ka kërkuar të mos i pengohet largimi vetëm nëse kërkohet nga ndonjë klub jashtë Kosovës.

“Informata që dje u plasua në portale se futbollisti ynë Tun Bardhoku, ka kaluar tek radhët e Klubit të Futbollit “Prishtina” na ka befasuar. Kjo për faktin se futbollisti Bardhoku ka kontratë valide me Klubin tonë. Është e vërtet që Tun Bardhoku ka biseduar me kryetarin e klubit Agim Cana, dhe nga i njejti e ka marrë premtimin preliminar se nuk do të pengohet nëse i jepet rasti që të angazhohet në ndonjë klub jashtë Kosovës, gjë që e ka kërkuar edhe vetë futbollisti”, shkruhet në njoftimin e Vëllaznimit.

Për më tepër, klubi gjakovar shton se Prishtina me këtë veprim i ka shkelur rregullat e Federatës së Futbollit të Kosovës për Transferimin dhe Regjistrimin e Lojtarëve.

“Jemi të befasuar edhe me sjelljen e zyrtarëve të klubit Prishtina, të cilët, edhe pse e kanë ditur që Bardhoku ka kontratë me Vëllaznimin, kanë vënë kontakt me futbollistin pa e paralajmëruar fare klubin tonë, që paraqet shkelje të dispozitave të Rregullores për Transferim dhe Regjistrimin e Lojtarëve të FFK-së”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart