Vëllau i “El Chekës”: Policia ka maltretuar familjarët tanë


Gazeta Express
11 Korrik 2019 10:56

Blerim Ahmedi, vëllau i Sheqerim Ahmedit thotë se policia e Kërçovës dje ka shqetësuar dhe maltretuar familjarët e tij në fshatin Tuhin, por edhe në fshatin Mamudi të Kërçovës.

“Policia ka dërguar ftesa për bisedë informative te familjarët e mi, kushërinjtë, si dhe te familja e motrës sime që është e martuar në fshatin Mamudi. Sjellja e policëve ka qenë arrogante dhe i kanë frikësuar fëmijët. Shkak për dërgimin e ftesave supozon që është fakti se familjarët po shpërndajnë në rrjetet sociale “bombat” që po i publikon El Cheka nga Amerika.

“Fëmijët e motrës janë traumatizuar nga sjellja e policisë, kanë filluar të qajnë. Ky presion është i ngjashëm me atë në kohën e komunizmit”, ka thënë Ahmedi në linjë telefonike për Lajm

Ahmedi vlerëson se qëllimi është të ushtrohet presion politik në prag të protestave të ardhshme, por thekson se me këto metoda vetëm po rritet përkrahja te popullata.

“Ky është presion politik prej BDI-së. Janë të frikësuar nga protestat që do t’i organizojmë në Shkup. Ky është qëllimi i presionit, por e kanë gabim. Me këtë vetëm shtohet revolta kundër BDI-së dhe rritet përkrahja për protestat”, deklaroi Ahmedi.

Për shkak të presioneve të shumta, ai thotë se janë detyruar përkohësisht t’i largojnë familjarët nga vendlindja, shkruan Lajm.

Te fundit


Kthehu lart