Veliu gozhdon Vjosa Osmanin: Përkthyese e Thaçit, s'ke guxuar të garosh në Prishtinë - Gazeta Express
string(84) "veliu-gozhdon-vjosa-osmanin-perkthyese-e-thacit-ske-guxuar-te-garosh-ne-prishtine-ge"

Veliu gozhdon Vjosa Osmanin: Përkthyese e Thaçit, s’ke guxuar të garosh në Prishtinë

Gazeta Express

08/04/2020 18:48

Ish-ministri i Ministrirsë së Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, përmes një shkrimi i është adresuar kryetares së parlamentit, Vjosa Osmanit, duke e quajtur ‘përkthyesja e Thaçit’ dhe duke i thënë se nuk ka guxuar të garojë në Mitrovicë dhe Prishtinë.

Veliu thotë se ajo që nuk guxoi të kandidojë për kryetare të Komunës së Mitrovicës, po ia konteston legjitimitetin atij që i fitoi 15 palë zgjedhje të njëpasnjëshme.

Lexo Edhe:

“Fitoret radhazi në zgjedhjet lokale dhe nacionale flasin më së miri. Përkthyesja e Thaçit, e cila asnjëherë nuk ka guxuar të garojë në zgjedhje në komunën e saj dhe as në degën e saj, po ia konteston legjitimitetin qytetar një fituesi të 15 palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme”, shkruan Veliu.

Gjithashtu, Veliu ia përmendi Osmanit edhe Prishtinën, ku sipas tij, humbjet në Prishtinë erdhën si rezultat rolit të saj destruktiv dhe ambijceve karrieriste të saj.

“Ndërkaq, humbjet në Mitrovicë dhe në Degën e Tretë në Prishtinë kanë qenë të njëpasnjëshme, mes tjerash edhe për shkak të rolit të saj destruktiv e me ambicie karrierist”, tha Veliu.

Veliu gjithashtu tha se ai ka sakrifikuar duke e lënë pozitën e deputetit dhe duke iu kthyer garës për kryetar komune në Podujevë.

“Kur është dashur që të mos rrezikohet komuna, në zgjedhjet lokale më është kërkuar t’i kthehem garës për kryetar komune dhe kam lënë pozitën e deputetit dhe i jam rrekur punës dhe, si rezultat i angazhimit tim dhe elektoratit besnik të LDK-së, i kam fituar zgjedhjet”, shkroi Veliu.

Ai gjithashtu fajësoi Osmanin pse LDK’ja nuk doli e para në zgjedhjet e tetorit.

“Kur u kandidua për kryeministre, LDK-ja në të gjitha sondazhet, përfshirë edhe ato të oponentëve politikë, ishte e para me diferencë prej 7%, por në zgjedhje doli e dyta. Në vend që të marrë përgjegjësi për humbjen, sillej si fituese. Ndoshta ka të drejtë, sepse fitoren e VV-së e konsideronte fitore të saj. Të thuash se strukturat e partisë, duke përfshirë Kuvendin e LDK-së, Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë dhe Kryetarin, nuk përfaqësojnë votuesin e LDK-së, është hipokrizi”.

Tutje Veliu tha se ajo po e përkrah një kryeministër që ia ka mbyllur telefonin Shtëpisë së Bardhë dhe po e izolon Kosovën nga Amerika.

“Të thuash se votuesi i LDK-së përkrahë një kryeministër dhe një parti që ia mbyll telefonin Shtëpisë së Bardhë dhe e izolon Kosovën nga aleati ynë historik, është një hipokrizi tjetër”.

E në fund Veliu thotë se ai nuk merret më me të, sepse Osmani këtë do.

“Por, me të nuk do të merrem më. Sepse ajo këtë e pret. Prej kësaj është rritur. Por, fatkeqësisht nuk është maturua”, shtoi ai.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Veliut.