Veçori stilistike në romanin “Oh” të Anton Pashkut - Gazeta Express
string(48) "vecori-stilistike-ne-romanin-oh-te-anton-pashkut"

Veçori stilistike në romanin “Oh” të Anton Pashkut

Arte

Gazeta Express

07/12/2021 11:15

Mënyra e ndërtimit të tekstit letrar në romanin Oh të Anton Pashkut paraqet një stil modern, me ç’rast kemi të bëjmë më një tendencë autoriale për një shkëputje të mundshme nga traditat klasike të shkrimit letrar

Nga: Fatlum Meholli

Lexo Edhe:

1. Struktura sintaksore

Po të ndjekim logjikën e Anthony Burgess në lidhje me ndarjen e romancierëve në tipa, Anton Pashkun mund ta klasifikojmë si romancier i tipit dy, nisur nga mënyra e përdorimit të gjuhës për krijimin e tekstit të tij letrar, që paraqet një stil të veçantë.

Romani Oh i Anton Pashkut, në radhë të parë shquhet për ndërtimin e veçantë sintaksor, dukuri e cila paraqet një vlerë stilistike të këtij romani. Qysh në fillim të romanit ndeshemi me një konstruksion të pazakontë të tekstit letrar, ku fjalia, gjegjësisht fragmenti hyrës, ka mbi njëqind fjalë. Një ndërtim i tillë sintaksor, që jepet në hyrje të romanit, shenjon një stil të veçantë në letërsinë shqipe dhe neve na shtyn të mendojmë në dy pista: 1. kërkimin e një lexuesi ideal/ të interesuar; dhe 2. irritimin e lexuesit të zakonshëm. Me fjalë të tjera, një ndërtim i tillë i fjalisë së parë të romanit, tregon për një thyerje të traditës letrare, me ç’rast teksti merr tipare të modernitetit. Andaj, edhe kërkesa për një receptivitet “modern”, është e pranishme. Një konstatim i tillë lidhet me raportin autor-lexues, me ç’rast përdoret një stil i veçantë, në këtë rast sintaksor, me qëllim që të kërkohet një lexues i durueshëm dhe intelektual/elitar. Por, përveç kësaj, ky efekt stilistik paraqet një funksion tjetër që ndërlidhet me subjektin rrëfyes. Një ndërtim i tillë stilistik-gramatikor, nëse e shohim edhe në aspektin psikologjik, na asocion me njeriun i cili, potencialisht flet ngadalë dhe tenton që të mos lërë pa përmendur asnjë detaj gjatë rrëfimit të tij. Përveç se në hyrje të romanit, bashkimin e fjalive si një të tërë e hasim edhe në pjesë të tjera. Madje ka raste kur fjalia është aq e gjatë, saqë nuk ndërpritet deri në dy faqe. Një efekt i tillë stilistik, ndër të tjera, mund të merret edhe si rrëfim i turbullt i subjektit për një kujtesë, gjegjësisht një kohë të shkuar empirike.

Ndërtimi i tillë i fjalive në aspektin kuantitativ, përveç të tjerash, realizohet duke pasur për bazë edhe modalitetet poetike si anaforën e enumeracionin, si figura stilistike që hetohen në disa pjesë të këtij romani. Ndërkaq, funksioni i tyre varion. P.sh, po e marrim sa për ilustrim fjalimin e subjektit – mizogamit në sallën vezake, i cili shprehet se:

Do të punojë vetëm nji fabrikë e petkave, vetëm nji fabrikë e këpucëve, vetëm një fabrikë e pullave, vetëm nji fabrikë e rrypave, vetëm nji fabrikë e tojave të këpucëve […] vetëm nji roman, vetëm nji dramë, vetëm nji sonet […] vetëm nji fabrikë të depilatorëve do të ketë sidomos shumë fabrika të barnave që do të prodhojnë:antianemik,antiaritmik, antiaterosklerotik, antibiotik…

Me shprehjen “vetëm një…”, dhe më pas me renditjen e fjalëve të tjera afër saj, qysh prej fabrikave zejtare, kategorive artistike e deri te fabrikat shkencore/laboratorike, shpërfaqet aftësia retorike e subjektit(mizogamit), i cili potencialisht ka synim që të fitojë besimin e të pranishmëve në sallën vezake. Pra, një modelim i tillë na asocion edhe për intencën e subjektit – mizogamit për formimin e një shteti që kontrollon gjithçka. Me fjalë të tjera, secila veprimtari kolektive duhet medoemos të funksionojë përkitazi me kushtet e paracaktuara.

Nga të gjithë këta shembuj, përveç tjerash, mund të konstatojmë se veçoritë sintaksore, gjegjësisht mënyra e ndërtimit të fjalive duke përdorur herë-herë edhe elemente poetike, krijojnë funksione të caktuara dhe, njëkohësisht, një stil të veçantë.

2. Rrëfimi refleksiv i subjektit: loja me kohën, hapësirat retrospektive

Në letërsinë shqipe vështirë gjendet ndonjë vepër letrare, përkatësisht roman, që përmbys vijën lineare të kohës në mënyrë të tillë, sikundër ndodh në romanin Oh të Anton Pashkut. Loja me kohën, në një prozë artistike mund të paraqesë një vlerë stilistike. Andaj, një karakteristikë e tillë, që hetohet në lexim të parë të romanit Oh, nuk mund të tejkalohet pa e përmendur.Grafikisht, vija kohore e rrëfimit në roman mund të duket kështu:

Si fillim, romani nis me rrëfimin e subjektit (Mashkullit) për një të shkuar jo të largët, andaj edhe fjalitë e pjesës hyrëse janë të kohës së kryer të thjeshtë. Pra, na sugjerohet për një të kaluar të afërt me të cilën ishte përballur subjekti në fjalë. Në këtë rast ambienti, në të cilën ndodhej subjekti rrëfyes, para një kohe të shkurtër, është real/aktual: Kur u ktheva, me nder me thanë, prej nevojtores…

Prej kësaj kalohet në një hapësirë tjetër, gjegjësisht te liqeni artificial, përgjatë së cilit qëndrojnë Mashkulli (Ai) dhe Femra (Ajo). Pikërisht kjo është pjesa ku bëhet përmbysja e madhe e vijës kohore. Por si realizohet kjo përmbysje? Kalimi në kohë dhe hapësirë realizohet përmes dimensionit oneirik. Pra, subjekti rrëfyes (Mashkulli), teksa qëndron me femrën përgjatë liqenit artificial e zë gjumi dhe kështu në ëndërr i rrëfehet nga plaku për një kohë të kaluar që lidhet me identitetin shqiptar. Konstatimi se subjekti përmes gjumit/ëndrrës kalon në një kohë dhe hapësirë tjetër, në këtë rast të shkuar, fuqizohet përmes këtyre rreshtave:

Por, nuk i jipsha pesë pare për piskun e madh të vapës: strukesha gjithnji e ma shumë e me andje të madhe në errësinën mbrapa këlkatseve të syve të mi. Kurse mbrapa këlkatseve të syve, në nj içast, ashtu befas, errësinën e laknoi ftyra e plakut të thimë, e atij plaku me mjekër të bardhë, të cilin kur erdhëm unë e ajo, e ndeshëm buzë liqenit artificial.

Pra, kësisoj kalohet në një kohë dhe hapësirë të shkuar, me ç’rast kemi të bëjmë edhe me personazhe e ngjarje të ndryshme, të cilat sigurisht që subjekti i kishte përjetuar ose i ka dëgjuar nga të tjerët.

Prej rrëfimeve të plakut, ngadalë zhvendoset koha dhe hapësira në një të kaluar shekullore, përkatësisht në kohën e ekzistimit të Ilirisë. Kështu që, kemi të bëjmë me ngjarje e personazhe reale, nga e kaluara e largët, që padyshim se lidhen me popullin shqiptar. Por, subjektit rrëfyes në kujtesën e tij i kishin mbetur vetëm pikat kryesore që lidhen me tragjiken dhe mosmarrëveshjen në mes të shqiptarëve. Andaj, ndër të tjera, kemi të bëjmë me trajtimin e mosdakordimit në mes dy fiseve ilire, siç janë: desidiatët dhe breukët; pastaj trajtohet tema e vëllavrasjes, gjegjësisht vrasja e Platorit nga Genti, ku ky i fundit donte ta ruante fronin mbretëror medoemos (është karakteristike se tema e vëllavrasjes është mjaft e pranishme edhe nëpër shumë krijimtari folklorike). Përveç këtyre, trajtohen edhe ngjarje tjera të kësaj periudhe.

Konstatimi se në këtë pjesë kemi të bëjmë me një të kaluar të largët të popullit shqiptar, fuqizohet edhe nga përdorimi i një gjuhe të veçantë, gjegjësisht të fjalëve popullore. Kjo hetohet qysh në përdorimin e simboleve si: qerrja e diellit, barka-çifteli etj., ose në përdorimin e proverbave popullorë, si fjala vjen: fol drejt e rri shtrembët, shnosh krytë se kapuça ka boll etj. Pa dashur që të hyjmë në eksplikime më të gjera të këtyre shprehjeve, i përmendëm vetëm me qëllim që të shohim se edhe përdorimi i një gjuhe të tillë ka funksion të veçantë, sepse na aludon me të kaluarën e popullit shqiptar, gjegjësisht me të kaluarën shekullore.

Teksa subjekti rrëfyes (Mashkulli) është duke ëndërruar në gjumë aty pran liqenit artificial për të kaluarën shekullore, shohim se i ndërpritet gjumi nga femra për një kohë të shkurtër. Radhën tjetër kur subjekti rrëfyes i kthehet gjumit, ëndrra e tij ndërron kohë dhe hapësirë, qëmë shumë i afrohen kohës dhe hapësirës aktuale/moderne të subjektit. Pra, prej ngjarjeve në Iliri që ndërlidheshin me Plakun, kalohet te ngjarja e mizogamit, ngjarje e cila nuk është një e kaluar shekullore, por një e kaluar e afërt.

Një konstatim i tillë fuqizohet edhe përmes përdorimit të një gjuhe më të ndryshe nga ajo që e përmendëm më lart. Gjersa te pjesa e Ilirisë përdorej një gjuhë popullore që lidhej me lashtësinë, te pjesa në fjalë përdoret një gjuhë më shkencore, gjegjësisht moderne. Mjafton t’i kujtojmë disa fjalë të kësaj pjese: shembull nga psikologjia/sociologjia: mizogam, mizogin, mizandri, mizogati, mizokali,genofobi,mizoped, mizokseni, mizokozmietj.; nga artet/mediumet publicistike: roman, gazetë, radiotelevizion, melodi, kritikë letrare etj.; nga farmaceutika: antianemik, antibiotik, antiemetik, antiseptik për gojë e fyt, kardiotonik etj. Hapësira kryesore në të cilën zhvillohen ngjarjet e kësaj pjese është salla e madhe vezake, që na ngjason me një hapësirë të kohës moderne, e cila natyrisht që për subjektin rrëfyes (Mashkullin) ishte empirike.

Pas ngjarjes me mizogamin, subjekti që rrëfen (Mashkulli) zgjohet prapë nga gjumi dhe kthehet në realitet. Pra, tashmë vija rrëfimore e romanit shkon duke u rikthyer në pikën hyrëse, gjegjësisht në kohën dhe hapësirat aktuale/reale, me ç’rast kemi të bëjmë me narracion unazor. Ndërkaq, vlen të përmendet se përdorimi i gjuhës në këtë pjesë, e cila është gjuhë krejt e zakonshme që flitet në mes partnerëve, paraqet një ambient joformal (miqësor, familjar). Po japim shembullin ku bëhet kalimi nga koha më e afërt/ ngjarja me mizogamin, në kohën aktuale të subjektit rrëfyes (Mashkullit):

– Çili, ore, çili sytë e mos u myk! – tha ajo dhe më pickoj. Ky qe nji pickim i papritun që ma këputi prej zemrës nji klithje të thekëshme. Dhimta e shkurtë, por shumë e fortë nga pickimi, si dhe klithja që trazoi qetësinë rreth e rrotull nesh, mëzgjuen.

Nëse e shohim në aspektin gjuhësor, zhvendosja e subjektit rrëfyes në një kohë tjetër nga aktualja, dhe në hapësira të ndryshme, që me gjasë i kishte dëgjuar nga të tjerët (Iliria) ose kishte qenë i pranishëm (ngjarja me mizogamin), ndër të tjera, mund të hetohet edhe nga përdorimi i veçantë leksikor.

3. Dialogjet poetike

Në romanin Oh të Anton Pashkut është shumë interesante edhe mënyra e ndërtimit të dialogjeve. Ato mund t’i hasim në të gjitha pjesët e romanit dhe modelimi i veçantë i tyre është i dukshëm.

Është me interes që në radhë të parë ta përmendim dialogun në mes të Mashkullit dhe Femrës, që ne po e konsiderojmë si dialog real. Këtë dialog mund ta shohim jo shumë herë në tërë strukturën e romanit. Pra, mund ta hasim disa herë në fillim dhe disa herë në fund të tij.Sidoqoftë, është e rëndësishme të trajtohet mënyra e ndërtimit të këtyre dialogjeve në mes të atij dhe asaj. E shohim që kryesisht dialogjet mes tyre kanë elemente poetike që ndërlidhen me rimën e cila i jep një ritëm të shpejtë dialogut.

Gjithashtu fjalët e shkurtra, koncize, janë mjaft të pranishme. E gjithë kjo shpërfaq një stil të veçantë, dhe funksioni i tij mund të na aludojë për raportin e ftohtë ne mes të partnerëve, neverinë e njërit për tjetrin, kundërthëniet e vazhdueshme etj. Këto efekte stilistike mund t’i hasim në shumicën e dialogjeve që realizohen në mes të Mashkullit dhe Femrës, por ne po japim një shembull sa për ilustrim, me qëllim që t’i argumentojmë ato që thamë:

– Hej, – i thashë edhe njiherë, – a e ndjeve atë muzikë diagonale? – S’po të marr vesh çka po thue! – tha shpejt dhe tash u përpush disa herë në ranë.
– Paj, a e ndjeve atë muzikë diagonale?
– Diagonale? – tha dhe heshti nji copë herë; luente kryet e rrudhte ballin e saj të gjanë.
– E pse bash diagonale?
– Po çfarë qe, pra? Mos vertikale, apo ndoshta horizontale?
– Kurrëfare.
– Kurrëfare?! Kështu po thue qe pa pare?
– Jo pse qe pa pare, po pa çapare.
– Hëm, pa çapare? Hëm…

Në aspektin stilistik, përveç tjerash, janë të veçanta edhe dialogjet që hasen te ngjarja e mizogamit, përkatësisht dialogjet në mes të njeriut me flokë të shprishura dhe njeriut me flokë të krehura mirë. Teksa mizogami mbante fjalimin e tij para këtyre të pranishmëve, ata zhvillonin bisedë të çuditshme në mes vete. Gjersa njëri e përkrahte një fjalë si të saktë, tjetri e kundërshtonte këtë mendim. Por, dallimi në mes këtyre fjalëve ishte minor, pra ndryshimi lidhej më një shkronjë. Njëri thoshte “çoç”, tjetri “çuç”; më pas, njëri e merrte si të saktë “tutra”, tjetri “tutla”; më vonë njëri “brisk”, tjetri “trisk”. Një efekt i tillë stilistik mund të na asociojë me mospërputhjen e përhershme, mendimet kontrastive, e ngjashëm. Po e japim një shembull vetëm të shihet se si modelohet një dialog i tillë:

– “Unë po them se asht çoç.”
– “Unë po them se asht çuç.”
– “Jo çuç po çoç.”
– “Jo çoç po çuç.”
– “Çoç!”
– “Çuç!”…

Kategori të shumta stilistike hasen në romanin Oh të Anton Pashkut, të cilat i japin atij vlera letrare/estetike. Secila prej tyre ka karakteristika të veçanta dhe në njëfarë mënyre lidhen me një funksion të caktuar. Si rrjedhojë, i gjithë teksti letrar i romanit, gjegjësisht modelimi i tij stilistik, paraqet një tërësi funksionesh të ndryshme. Kësisoj, të gjitha efektet stilistike që ndërtojnë tërësinë tekstore të romanit, bazohen në funksione variabile. Është e nevojshme që këto funksione të shihen edhe në raport me kontekstin kohor, kontekstin hapësinor, kontekstin shoqëror, kulturor etj.

Në relacion me të gjitha kategoritë stilistike që i theksuam më lart, mund të vijmë në një përfundim që mënyra e ndërtimit të tekstit letrar në romanin Oh të Anton Pashkut paraqet një stil modern, me ç’rast kemi të bëjmë më një tendencë autoriale për një shkëputje të mundshme nga traditat klasike të shkrimit letrar.