Vdes ish-presidenti i Algjerisë, Abdelaziz Bouteflika - politikani me një rekord botëror - Gazeta Express
string(85) "vdes-ish-presidenti-i-algjerise-abdelaziz-bouteflika-politikani-me-nje-rekord-boteror"

Lajme

Gazeta Express

18/09/2021 9:11

Vdes ish-presidenti i Algjerisë, Abdelaziz Bouteflika – politikani me një rekord botëror

Lajme

Gazeta Express

18/09/2021 9:11

Ish-presidenti i Algjerisë, Abdelaziz Bouteflika, ka vdekur pas një sëmundjeje të gjatë në moshën 84-vjeçare.

Ai e udhëhoqi shtetin e Afrikës Veriore për gati dy dekada, por u tërhoq nga pushteti më 2019, pasi synimi i tij për ta marrë mandatin e pestë nxiti protesta masive.

Lexo Edhe:

Bouteflika kishte luajtur rol të rëndësishëm në luftën e Algjerisë për pavarësi në vitet e pesëdhjeta dhe të gjashtëdhjeta, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Më 1999, kur Algjeria po dilte nga një luftë e tmerrshme civile, që la gati 200.000 viktima, Bouteflika u bë president me kërkesën e ushtrisë.

Që nga viti 2013, kur kishte pësuar sulm, ai shihej rrallë në publik dhe lëvizte përmes karrocës. Sulmi e kishte lënë me pasoja në të folur dhe në aftësinë për lëvizje.

Karrierën e tij politike e kishte filluar herët. Pas fitimit të pavarësisë së Algjerisë nga Franca më 1962, ai u bë ministri më i ri në botë i Punëve të Jashtme, kur ishte në të njëzetat. Ky rekord ende nuk është thyer.

Bouteflika shërbeu në postin e ministrit plot 16 vite dhe ishte anëtar aktiv i Kombeve të Bashkuara. Si president i Asamblesë së Përgjithshme më 1974, ai e kishte ftuar udhëheqësin palestinez, Yasser Arafat, që t’i drejtohet organit qeverisës të OKB-së. Veprimi i tij ishte i pashembullt dhe kishte bërë bujë të madhe.

Ai gjithashtu kishte arritur që ta ndërmjetësonte paqen mes ushtrisë dhe militantëve islamikë, të cilët luftonin në luftën civile të Algjerisë.