Vdekja tragjike e shqiptarit në Itali, flet e shoqja: Ende nuk u kam thënë fëmijëve se ai nuk do të kthehet më


load
Gazeta Express
8 Tetor 2019 21:36

Në orët e para të së premtes së kaluar, një aksident rrugor i mori jetën 35 vjeçarit shqiptar Redian Abllanica.

I riu po udhëtonte drejt banesës së tij në Vicenza të Italisë me motorin e tij në momentin kur përfundoi jashtë rrugës dhe u përplas me trotuarin. Vdiq në vend. Por sërish, për familjen e tij, aksidenti tragjik mbetet ende një mister që duhet zgjidhur.

Media italiane ka raportuar detaje të reja mbi ngjarjen dhe dramën e madhe që ka sjellë vdekja e të riut. Bashkëshortja e Redianit, Serena Luicietto ka folur për median. Ajo është shprehur se autopsia e bashkëshortit të saj ende nuk është kryer, ndërsa hetimet janë mbyllur. Gruaja dyshon se ka diçka më shumë mbi aksidentin në fjalë.

 “Na thanë se hetimet janë mbyllur, por ne duam që të kryhet autopsia. Duket gjithçka e çuditshme. Në asfalt janë akoma shenjat e frenimit. Duam të kuptojmë se çfarë ndodhi. Nuk do ta varrosim tim shoq deri sa ta kuptojmë se çfarë ndodhi”, tha gruaja.

Rediani, baba i dy fëmijëve të mitur 3 dhe 6 vjeç kishte shkuar tek e ëma dhe po kthehej në banesë kur ndodhi aksidenti. Gruaja e tij thotë se ende nuk i ka treguar fëmijëve për vdekjen e të atit.

“Fëmijët nuk e dinë akoma se babai nuk jeton më. Janë mësuar sepse shpesh ishte larg për punë dhe nuk dyshojnë asgjë. Unë jam takuar me një psikologe. Së bashku vendosëm që për të mirën e tyre, t’ia japim lajmin kur edhe unë ta kem marrë disi vetën”, ka thënë ajo për mediat.

Deri më tani hetimet e kanë përjashtuar mundësinë e përfshirjes së një automjeti tjetër në aksidentin fatal që i mori jetën shqiptarit./Express

Te fundit


Kthehu lart