Vazhdon revolta në Liban, protestë masive kundër korrupsionit


load
Gazeta Express
21 Tetor 2019 9:48

Protestat më masive në Liban në 14 vjetët e fundit pritet ta bllokojnë këtë vend të hënën si shenjë revolte kundër një qeverie të dobët, shërbimeve të pakënaqshme dhe krizës ekonomike.

Protestuesit i pushtuan rrugët e shumicës së qendrave urbane të dielën për t’i kundërshtuar politikanët që thonë se po i parandalojnë reformat e nevojshme që do t’ia zbraznin xhepat atyre që janë në elitën politike.

Tubimet filluan të enjten pasi shteti vendosi taksa të reja, përfshirë edhe një taksë prej 6 dollarësh në muaj për përdorimin e aplikacionit “WhatsApp”. Tensionet u rritën të premten kur protestuesit i thyen dyqanet në Bejrut dhe një burrë vdiq në qytetin verior të Tripolit.

Prej asaj dite, protestat janë bërë edhe më masive dhe i kanë kaluar kufijtë shoqërorë e fetarë. Ndonëse protestat janë të shpeshta në Liban, tubime kaq të mëdha nuk janë parë në këtë vend që nga viti 2005, kur kishte ndodhur revolucioni “Cedar”, i cili e solli largimin e forcave siriane pas 15 vjetësh të ndërhyrjes së shtetit fqinj.

Ai moment ishte vlerësuar si pikë kthese, por vendi u kaplua nga korrupsioni e nepotizmi, ndërsa dallimi mes shtresës së pasur dhe pjesës tjetër të popullsisë vazhdoi të rritej.

Ekonomia e Libanit është buzë dështimit të plotë, sepse borxhi publik ka arritur në 150 për qind të GDP-së dhe vlera e valutës kombëtare ka rënë në raport me dollarin në muajt e fundit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart