Vazhdon “ping-pongu” për mbikalimin në Bit Pazar, institucionet distancohen nga përgjegjësitë


Gazeta Express
14 Nëntor 2019 16:00

Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit vazhdojnë lojën e ping pongut për kalimin ilegal në Bit Pazar. Kreu i Çairit, Visar Ganiu edhe një herë përsëriti se komuna që ai drejton nuk ka kompetenca për legalizimin ose mbylljen e vendkalimit në fjalë.

Ganiu, thotë se disa herë ka kërkuar nga kreu i Shkupit, Petre Shilegov legalizimin e kalimit por ky i fundit e ka kundërshtuar duke u arsyetuar se në të njejtin vend nuk mund të ekzistojë kalim dhe urë për këmbësorët, shkruan Alsat.

“Ne kemi biseduar me kryetarin e qytetit të Shkupit që ta bëjmë një vendkalim aty ku tash janë duke e përdor për momentin. Mirëpo, arsyeja është se nuk mundet për shkak se ura është shumë afër dhe nuk mund të funksionojë, të ketë edhe zebra edhe atje vendkalim. Është një e vërtet që njëjtë një urë e tillë është ndërtuar dhe nuk është funksionale në lagjen “Vllae”, por shumë shpejt ka intervenuar qyteti i Shkupit, aty kemi udhëkryq por kanë bë edhe zebra edhe kanë bë vendkalim tokësor dhe ju kanë mundësuar qytetarëve që mos ta përdorin atë urë por të kenë vendkalim si solucion poshtë”-tha Visar Ganiu, kryetar i Çairit.

Një ditë më parë, Shilegov tha se vendkalimi mund të legalizohet nëse ura shpallet jofunksionale. Shilegov dy muaj më parë kishte premtuar se do ta mbyll këtë kalimin ilegal si dhe do të pastrojë zonën nga të gjithë shitësit ambulant përfshirë edhe kioskën për të mundësuar qarkullim të lirë të njerëzve, përcjell Gazeta Express.

Ndërkohë, Oda e Tregtarëve vlerëson se kalimi në Bit Pazar duhet të jetë funksional pasi ka rol të rëndësishëm në zhvillimin e bizneseve në Bit Pazar dhe Çarshinë e vjetër të Shkupit. Kreu i tregtarëve, Ekrem Dolek kërkon urgjentisht që institucionet përgjegjëse të vendosin viza të bardha dhe semaforë në këtë kalim. Dolek madje kërkon largimin e urës.

“Në qoftë se ka diçka për mu hequr ose për mu mbyll në këtë vend, është vetë ura e cila duhet të largohet. Më duket shumë banale, e pakuptueshme dhe e pakapshme çka i pengon qytetit të Shkupit ose komunës së Çairit me vendos shenja ose vija të bardha. E dyta zgjidhje që është më efikase dhe më e mira është që aty me vendos semaforë. Sikur që është para 26 korrikut. Edhe semaforët shumë lehtë rregullohen”-tha Ekrem Dolek, Oda e Tregtarëve.

Ura jofunksionale dhe kalimi ilegal paraqesin rrezik serioz për kalimtarët pasi vitin e kaluar është regjistruar edhe një viktime e cila ishte goditur nga autobusi urban deri sa po kalonte rrugën.

Te fundit


Kthehu lart