Vashat e Manchester Unitedit arrijnë sukses historik, ndërsa ekipi i djemve ka hyrë në një krizë


Gazeta Express
18 Prill 2019 12:23

Ekipi i vashave të Manchester Unitedit e siguroi promovimin në Superligën e Grave qysh në sezonin e parë pas themelimit të klubit. Këtë sukses, ato e arritën duke e mposhtur Aston Villën me rezultat 5:0.

Skuadra e Casey Stone është shtatë pikë para klubit të dytë në tabelën e Kampionatit të Grave, nivelit të dytë të futbollit për gratë në Angli. Deri në fund të sezonit kanë mbetur vetëm edhe tri ndeshje, transmeton Gazeta Express.

Millie Turner, Alex Greenwood dhe Jess Sigsworth e shënuan nga një gol në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa, në pjesën e dytë, Manchester Unitedi e thelloi rezultatin përmes golave të Ella Toone dhe Charlie Devinit.

Ky sukses i vashave të Manchester Unitedit i ka gëzuar tifozët e klubit anglez në një kohë kur ekipi i djemve ka hyrë në një krizë të vogël, pas pesë ndeshjeve të humbura nga shtatë të fundit. Së fundi, ata u eliminuan nga Liga e Kampionëve, në përballjen me Barcelonën.

Megjithatë, Manchester Unitedi fillimisht duhet ta marrë licencën nga Federata e Futbollit të Anglisë për të garuar në Superligën e Grave, nivelin e parë të futbollit në Angli, pasi që ky është sezoni i parë për ekipin e vashave.

Manchester Unitedi nuk pritet të ketë probleme për ta siguruar këtë licencë dhe konfirmimi pritet të vijë muajin e ardhshëm.

Ekipi i vashave, i drejtuar nga Casey Stone, i ka fituar 15 nga 17 ndeshjet e zhvilluara këtë sezon dhe do ta fitojë titull nëse e fiton ndeshjen kundër Crystal Palace të shtunën në “Old Trafford”. /Gazeta Express/

Casey Stone, trajnere e Manchester Unitedit

Te fundit


Kthehu lart