Vapë dhe trafik! Shikoni se çfarë ndodh në rrugët e Shqipërisë këtë javë


Gazeta Express
13 Gusht 2019 21:17

Segmenti rrugor nga Thumana në drejtim të Fushë Krujës, po përjeton trafik të rënduar në këto ditë të nxehta të gushtit. Radha e makinave të cilat ecin shumë ngadalë, është mbi disa kilometra. Ky trafik, po vijon i tillë që prej një jave duke bllokuar kështu një aks të rëndësishëm nacional.

Trafiku i rënduar është regjistruar që në orët e para të mëngjesit duke vështirësuar qarkullimin për mijëra mjete, të cilat kryesisht janë drejtuar për në bregdetin tonë.

Pika më problematike ku edhe trafiku fillon të rëndohet, është rrethrrotullimi i Thumanës, pasi rruga që është me dy korsi, reduktohet në një, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim.

Temperaturat e larta, e kanë bërë edhe më të vështirë qëndrimin në trafik. Shoferët shprehen të shqetësuar, pasi për pjesën më të madhe të tyre, dita e parë e pushimeve nisi me një trafik të tillë.

Patrulla të shumta të policisë rrugore janë vendosur në rrugën nga Fushë-Kruja në drejtim të Rrugës së Kombit, si masë e shtuar për parandalimin e aksidenteve dhe mbajtjen nën kontroll të trafikut të sezonit veror. Vetëm në orët e para mëngjesin e së hënës, në pikën e kalimit kufitar të Morinit, kanë hyrë rreth 22 mijë qytetarë kosovarë me rreth 4 mijë mjete, të cilët kanë zgjedhur të pushojnë në vendin tonë.

Ndërkaq, mesditën e së martës, vështirësi në qarkullim pati edhe në hyrje të Tiranës në vendin e quajtuar “Mbikalimi i Kamzës”. Një aksident i ndodhur, me dëme vetëm në mjete, vështirësoi për disa minuta qarkullimin, deri sa makinat u hoqën nga policia rrugore./tch

Te fundit


Kthehu lart