Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, tha të martën para gazetarëve se dislokimi i trupave amerikane në Poloni është shtyrë, por shtoi se nuk është e saktë që të thuhet se ushtarët po tërhiqen nga Evropa.
Zëvendësi i presidentit Donald Trump tha në Shtëpinë e Bardhë se Shtetet e Bashkuara duan ta inkurajojnë Evropën që “të marrë më shumë pronësi” të mbrojtjes së përbashkët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Nuk po flasim për tërheqjen e secilit ushtar amerikan nga Evropa. Po flasim për rivendosjen e disa burimeve në një mënyrë që e maksimalizon sigurinë amerikane. Unë nuk mendoj se kjo është e keqe për Evropën” – tha nënpresidenti amerikan.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë duke e rishikuar praninë e trupave të tyre në Evropë dhe për një kohë të gjatë është pritur që ta zvogëlojnë këtë prani pas kërkesave të Trumpit që NATO-ja të marrë rol më të madh në mbrojtjen e Evropës. Pentagoni ende nuk ka dhënë hollësi për atë se si e parasheh shtrirjen e trupave amerikane në të ardhmen në kontinentin evropian.
“Ne nuk e kemi zvogëluar shkallën e trupave në Poloni për 4.000 ushtarë. Ajo që e bënë është që shtymë një dislokim trupash që do të dërgoheshin në Poloni, ky nuk është zvogëlim, është vetëm një shtyrje standarde në rotacion që nganjëherë ndodh në këto situata” – tha Vance.
Raportimet për ndryshim në dislokimin e 4 mijë ushtarëve në Poloni ka nxitur kritika të ashpra nga ligjvënës amerikanë, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre për mundësinë që Trumpi t’i braktisë aleatët.