"Ushtarët" për shaminë në shkolla marshojnë online, Kurti s'bën ndonjë lëvizje - Gazeta Express
string(74) "ushtaret-per-shamine-ne-shkolla-marshojne-online-kurti-sben-ndonje-levizje"

Lajme

Gazeta Express

11/08/2022 16:14

“Ushtarët” për shaminë në shkolla marshojnë online, Kurti s’bën ndonjë lëvizje

Lajme

Gazeta Express

11/08/2022 16:14

Herë pas here, moslejimi i bartjes së shamisë në shkolla nga vajzat nën 18 vjeç bëhet çështje në Kosovë. Në vendin e izoluar me qytetarë shumë aktivë në rrjetet sociale, këtë herë mjaftoi që kjo i ra në mend një qytetari në Mitrovicë, dhe kërkesa për ta ndryshuar një udhëzim administrativ që ndalon bartjen e uniformës fetare në arsimin parauniversitar u bë trend. Shumë njerëz iu bashkuan atij; profesorë e hoxhallarë u përfshin në debat, ndërsa kryeministri Albin Kurti nuk foli fare. Ish-zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, kërkon që Qeveria ta shpreh qëndrimin për këtë.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, këtë javë kanë marrë mijëra komente në Facebook me hashtag-un “ndryshojeni_ua_për_shaminë”. Pasi asnjëri nga ta nuk e thanë asnjë fjalë për këtë, sot ka nisur një peticion me po këtë kërkesë. Pasdite, Ministria e Arsimit reagoi, duke thënë se “do t’i përmbushim të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore”, pa shpjeguar specifikisht se çfarë do të ndërmerret.

Ministrja Nagavci së fundmi ua hoqi mundësinë për komentim ‘ushtrisë së shamisë’ në llogarinë e saj në Facebook. Kjo duket se i nxiti edhe më shumë. Ata tani po komentojnë në fotografitë dhe postimet e mëhershme të kryeministrit Albin Kurti. Në fotografinë e profilit të Kurtit në Facebook janë bërë 14 mijë komente dhe shumica janë për shaminë. Disa që dolën si prijës të këtij grupi thonë se udhëzimi administrativ i vitit 2014 është kundërkushtetues, por ende askush nuk është nisur drejt gjykatës në qendër të Prishtinës, që është autoriteti përfundimtar për interpretimin e aktit më të lartë juridik të vendit, për ta kontestuar këtë.

Ish-zëvendësministri i Arsimit Nehat Mustafa, i cili ishte numri dy në këtë dikaster kur u gatua ai udhëzim, kujton se në vitin 2011, Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë si të papranueshme një ankesë të një 19 vjeçareje, së cilës i ishte ndaluar hyrja me shami në një shkollë në Viti.

Në opinionin e saj, Gjykata kishte thënë se “me refuzimin e heqjes së shamisë së saj, parashtruesja ka tejkaluar kufijtë rreth të drejtës së shprehjes dhe manifestimit të besimeve fetare në objektet shkollore”.

“Gjykata Kushtetuese e ka dhënë një opinion sa i përket kësaj çështjeje… E kishte refuzuar ankesën, që do të thotë, ka mbetë në fuqi udhëzimi administrativ. Ai udhëzim administrativ është rishikuar edhe dy herë dhe kjo pikë ka mbetë e njëjtë”, thotë Mustafa për Gazetën Express. “Nga atëherë, grupe të ndryshme kanë bërë zhurmë sa i përket kësaj çështje, por kurrë askush nga ta këtë çështje s’e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj shtrohet pyetja: nëse ato palë konsiderojnë se kjo është shkelje kushtetuese, pse nuk e dërgojnë këtë udhëzim në Gjykatën Kushtetuese dhe pastaj Gjykata Kushtetuese le të marrë vendim”, shton ai.

Para se ky udhëzim administrativ të miratohej për herë të parë në vitin 2010, kishte kaluar nëpër zyrën ligjore. Ministria e Arsimit e kishte marrë dritën e gjelbër se ky akt nënligjor ishte konform ligjeve në fuqi dhe Kushtetutës.

“Dhe në preambulë të udhëzimit administrativ përmendet edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e cila e paraqet Kosovën shtet laik”, kujton Mustafa.

Ish-zëvendësministri thotë se ky udhëzim administrativ atëherë i ishte nënshtruar një diskutimi publik paraprakisht. “Palët e ndryshme kanë mundur t’i shprehin qëndrimet e tyre”, shton ai.

Ai thotë se aty nuk përmendet shamia, por uniforma fetare dhe se “nuk është e Ministrisë së Arsimit, nuk është as tash, që ta përcaktojë se çfarë është uniforma fetare”.

Mustafa ka kritika për Ministrinë e Arsimit që nuk po e shtron për diskutim këtë çështje duke e shprehur qëndrimin e institucionit dhe që “po lejon që grupe të ndryshme të manipulojnë me këtë çështje”.

“Ministria e Arsimit nuk guxon të qëndrojë indiferente ndaj kësaj teme që është hapur, ndaj kësaj euforie që ka shpërthy, ndaj këtyre linçimeve ndaj njerëzve të caktuar. Po flitet për nxënës dhe kur flitet për nxënës, Ministria e Arsimit është e obliguar që ta ketë qëndrimin e saj. Ministria e Arsimit duhet të dalë dhe shumë qartë të thotë a e ka ndërmend ta lë në fuqi këtë udhëzim administrativ apo të fillojë ta rishikojë. Nëse fillon me e rishiku, a e di Ministria e Arsimit që ekziston një opinion i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2011”, shprehet ai.

Ish-zëvendësministri i Arsimit kritikon edhe deputetët për mungesë guximi për të folur hapur për këtë.

“Edhe një vërejtje shumë të madhe e kam për shumë deputetë të Parlamentit të Kosovës të cilët koluareve flasin për këtë çështje, nxisin grupe të caktuara, por asnjëri prej tyre nuk ka guxim që këtë çështje ta hapë në Parlamentin e Kosovës, aty ku edhe miratohen ligjet”, tha Mustafa.

Ai thotë se organet kryesore të shtetit po heshtin dhe se bartësit e tyre “e kanë futur kokën si struci në zallë edhe po fshihen”. Mustafa thekson po ashtu se “qytetarët e kanë të drejtën ta dinë qëndrimin e 120 deputetëve të Kosovës për këtë çështje”.

“Çdo deputet që nuk e ka guximin të deklarohet për këtë çështje, nuk e meriton të jetë deputet”, nënvizon ai.

Ligjet dhe vendimet administrative në Kosovë, i lejojnë vajzat myslimane të bartin shami mbi moshën 18 vjeçare, në universitete apo në vende të punës. Mirëpo, një gjë të tillë ua ndalon vajzave në shkolla fillore dhe të mesme përmes udhëzimit administrativ të aprovuar në janar të vitit 2014.
Gjashtë ditë më parë kërkesën për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për shamië Kurti dhe Nagavcit ia bëri edhe Bashkësia Islame e Kosovës sepse sipas tyre në këtë mënyrë po diskriminohen “qytetarët e Kosovës – fëmijët tanë”.