Usain Bolt ankohet: S’m’u dha mundësi ta provoj veten në futboll - Gazeta Express
string(61) "usain-bolt-ankohet-smu-dha-mundesi-ta-provoj-veten-ne-futboll"

Gazeta Express

07/08/2020 9:16

Usain Bolt ankohet: S’m’u dha mundësi ta provoj veten në futboll

Gazeta Express

07/08/2020 9:16

Atleti legjendar Usain Bolt beson se atij nuk iu dha mundësi e drejtë ta provonte veten në futboll, përkundër që ushtroi me një klub australian para dy vjetëve.

Ylli xhamajkan e kishte provuar veten në futboll me klubin australian Central Coast Mariners gjatë verës së vitit 2018, pasi ai dëshironte ta niste një karrierë të re në sport pas pensionimit nga atletika, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Përkundër që i kishte shënuar dy gola në një ndeshje miqësore, Boltit nuk ia dha kontratë profesioniste me klubin dhe më vonë atij i dështoi në fund edhe një marrëveshje me klubin e Maltës, Valletta.

Tani, përderisa po e shijon jetën jashtë sportit pasi së fundi është bërë baba, njeriu më i shpejtë në botë pretendon se tentimet e tij për t’u bërë futbollist nuk u trajtuan ashtu siç duhej.

“Mendoj se nuk m’u dha një mundësi e drejtë. Nuk e bëra ashtu siç doja, por mendoj se futbolli është një gjë në të cilën do të kisha qenë i mirë”, ka thënë Bolt.

“Por, kjo është njëra nga ato gjërat që të rrëshqet nga duart dhe ti duhet të ecësh përpara me karrierën tënde”.

“Mendoj për këtë nganjëherë, se si nuk shkoi ashtu siç doja unë sepse e kam pasion futbollin. Por, e përsëris, kjo është një gjë që duhet ta lë në të kaluarën”.

“Tani më kanë telefonuar disa herë disa njerëz për të më pyetur nëse dua me të vërtetë të kthehem edhe një herë në futboll, por tani ka kaluar ajo kohë. Unë po vjetrohem dhe tani e kam një vajzë që po më mban të zënë”. /Gazeta Express/