A po i shtrëngohet laku Damian Gjiknurit?


Gazeta Express
14 Mars 2019 17:30

Nga Ermal Mulosmani

Një ndjekës i vëmendshëm lajmesh, nuk mund të mos konstatojë një ndryshim të ndjeshëm të mardhënieve të Kryeministrit me ish Ministrin e Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.

Ky ndryshim filloi qysh  ditët  e  para të emërimit të Ministres së re, Belinda Balluku. Vendimi i parë i saj si Ministre ishte shkarkimi i Drejtorëve të OST-së dhe të Autoritetit Rrugor.

Të dy këta ishin të përfshirë në tenderat shumë milionësh  me kompaninë fantazmë DH Albania. Dukej sikur gjithçka ishte një ndëshkim për këta tendera dhe Kryeministri përmes ish vartëses së vet në Bashki po përpiqej të lante duart me skandalin e madh duke djegur veç dy nëpunës të vegjël.

Por, menjëherë pas kësaj, erdhi vendimi tjetër i Kryeministrit. Anulohet projekti i koncesionit Kashar –Thumanë! Pra, Kryeministri kërkonte të largonte çdo lidhje të tij me atë që përflitej si përfituesi direkt i këtyre tenderave, Kompaninë Gener 2. Në emër të paktit për Universitetin, Znj Balluku njoftoi anulimin e kësaj kontrate dhe kalimin e këtyre parave Universitetit.

Dhe nuk ishte vetëm ky lajmi që habiti miletin ato ditë. Po aq binte në sy një sugjerim I çuditshëm në shkresën njoftuese : “Ju lutem të theksohet që Kompania përfituese ishte Gener 2”!

Pra, pasi I lamë duart me dy Drejtorët e paaftë e syleshë, ne po e ndëshkojmë edhe të supozuarin që qëndron mbrapa kompanisë fantazmë.  Sesi mund të anullohet një kontratë vetëm me vullnetin e Ministrisë, në një vlerë që shkon 400 e kusur milion euro, nuk e spjegoi Ministrja. Kur banorët e Valbonës i kërkuan Kryeministrit që të anullonte kontratën koncesionare me Gener 2, për Hidrocentralin në Valbonë, ky u justifikua “Nuk mund të prishim kontrata të tilla pasi kemi gjoba shumëmilionëshe”! Po për Kashar-Thumanë a nuk ka gjoba edhe më të mëdha? Apo tani është miza nën kësulë dhe bëjmë marrëveshje me Gener 2?

Por situata nuk mund të kalojë kaq kollaj. Hajduti me çizme u kap dhe e panë të gjithë. Prokuroria do fillojë se s’bën hetimet. Ndaj duhet vazhduar ndarja e “së mirës nga e keqja”. Dhe duket se do të ketë të reja së shpejti. Top Channel në edicionet e ditëve të fundit kishte dy kronika jo pa interes. Por përpara le të spjegoj pak si ishte situate para këtyre kronikave.

Afrim Qendro, ish Drejtori I Përgjithshëm I Rrugëve, nuk ishte pushuar nga puna, ai vetëm sa kishte ndërruar zyrë. Kishte kaluar në zyrën e Zv/ Drejtorit dhe kjo u bë e ditur nga një deputet I PD-së në një dalje televizive. Edhe Partia mëmë në fillim të zbriste në funksion, nuk të bënte gjëmën menjëherë… Pushimi nga puna duhej bërë me tamtame dhe spektakël televiziv.

Një kamera ishte në pritje tek Drejtoria e Rrugëve dhe filmoi ndalimin që roja I bëri Zv/Drejtorit. Urdhri i Drejtoreshës së re, vajzës së ish- Anëtarit të Byrosë Politike të PPSH-së, nuk ishte vetëm pushim nga puna, ishte poshtërim publik i armiqve të Partisë!

Motivacioni I shkarkimit ishte “mungesë besimi”! Cfarë do të thotë kjo? A është njësoj si dikur degdisja e kulakëve dhe të prekurve në biografi si të pabesueshëm për t’i shërbyer Partisë?!

Po kamera si u gjend aty dhe i filmoi? Dukej një skenar tipik I inskenuar nga lart.

Kjo ishte kronika e parë e Top Channel. E dyta ishte vetëm dy ditë më parë. Kjo kishte në fokus ish Drejtorin e OST-së, Klodian Gradeci.

Dukej që autori i kronikës e kishte bërë mishmash thelbin e saj sepse ajo nuk kishte thelb. Sipas asaj që thoshte kronika “Ish Drejtori I OST, Klodian Gradeci, kishte kontaktuar një Kompani kineze për një koncesion 100 milion eurosh për të bërë ndërhyrje në të gjithë rrjetin vendas të transmetimit. Ai ka kërkuar aprovimin në Ministritë e linjës për këtë koncesion”.

Kaq ishte teksti kryesor. Por, e rëndësishmja nuk ishte kjo. Në fund të fundit kjo nuk kishte fare rëndësi në fakt. Një ish Drejtor ka kërkuar aprovimin për një procedurë siç e parashikon ligji. Por, nëpër rreshtat e kronikës dalim aty ku ishte qëllimi i vërtetë I saj “Top Channel ka mësuar se bëhet fjalë për një kompani kineze që ka pasur kontakte të vazhdueshme me Drejtorinë e OST e madje edhe me Ministrinë e Energjisë”!!!

Mbetet për tu parë nëse Ministria e Energjisë do të vazhdojë me procedurën kontraverse”- mbyllet kronika e Top Channel.

Pra, nënteksti është: “Hajdutët për pak sa nuk I hodhën edhe 100 milionë euro në erë por vigjilenca e Ministres së re nuk mund ta lejojë. Edhe pse ajo “e vjetra”, e Gjiknurit, kishte kontakte të vazhdueshme me këtë kompani”.

Ditë të vështira duket se po vijnë edhe për ish Ministrin. Kështu fillonte në kohët e vjetra, një thashethem, një lajm diku periferik, një shkrim në gazetë e në fund…

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart