Ujku iu vërsul, e kafshoi dhe e tërhoqi zvarrë, babai që për pak humbi djalin tregon ngjarjen


Gazeta Express
26 Qershor 2019 16:50

Mjekët e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës për herë të parë e trajtuan një rast të pacientit që u kafshua nga ujku. Pesëvjeçari nga një fshat i Hanit të Elezit mori lëndime të rënda trupore në kokë, duar, bark e këmbë. Ai po trajtohet në QKUK dhe gjendja shëndetësore e tij, sipas mjekëve, është stabile. Express jua sjellë rrëfimet e babait të djalit si dhe të mjekëve për këtë rast.

Gentiana HASANI

Loja me top gati përfundoi me tragjedi për pesëvjeçarin A. Suma nga fshati Dimcë i komunës së Hanit të Elezit. Ai pasditen e djeshme u sulmua nga një kafshë jo e zakonshme, derisa po luante me motrat e vëllanë e tij.

Ishte ora gati gjashtë e pasdites. Pesëvjeçari A.Suma po luante në një arë pranë shtëpisë së tij. Por loja atyre iu ndal nga një ‘mysafir’ jo i këndshëm. Ujku u shfaq në mes të arës, duke iu vërsulur atyre. Kafsha e egër kishte arritur që ta kafshojë pesëvjeçarin, duke i shkaktuar kështu lëndime jo të lehta trupore.

Ai u tërhoq zvarrë nga ujku për disa metra. Si pasojë, A.Suma mori lëndime në kokë, krah, këmbë e bark.

Lëndimet të cilat i mori pesë vjeçari A.Sopa

Fatmirësisht, pesë vjeçari u shpëtua nga xhaxhai i tij, i cili e kishte marrë nipin dhe me urgjencë e kishte dërguar për në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

E babai i A. Sumës, Mitati, i cili ndodhet bashkë me djalin e tij në QKUK, ka shpjeguar për Gazetën Express se nuk ishte në shtëpi në momentin kur djali i tij u sulmua nga ujku. Ai ka thënë se nuk është hera e parë që në fshatin e tij janë parë ujqërit.

“Unë nuk kam qenë në shtëpi kur u sulmua djali. Kam arritë në QKUK disa orë më vonë. Vëllai im ka qenë aty edhe e ka sjellë këtu në spital. Djali po na thonë që është mirë. Ka disa dhimbje e po qan gjithë kohën”, tregon prindi.

“Ujku edhe më herët është parë në fshat”, thotë Mitati.  

Mjekët: Pesëvjeçari, përveç lëndimeve trupore, ka pësuar edhe traumë 

E nga kafshimet e ujkut, pesëvjeçari ka marrë edhe trauma psikologjike. Për Express, detaje rreth gjendjes shëndetësore të pacientit në fjalë ka dhënë sot edhe drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Plastike, Zejnë Buja, aty ku A.Suma do të qëndrojë edhe për disa ditë.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Plastike,
Zejnë Buja

“Bëhet fjalë për një fëmijë pesëvjeçar. Sipas familjarëve, ngjarja ka ndodhur diku rreth orës 17:00 pas dite. Rreth orës 19:00, fëmija është sjellë në Qendrën Emergjente. Aty, ai është vizituar nga mjeku. Ata i kanë konstatu disa plagë të pacientit, kryesisht në kokë, fytyrë dhe në trup. Është vendos që pacienti të futet në sallën kirurgjike të qendrës emergjente. Aty është bërë i gjithë përpunimi i plagëve kafshuese nga ujku. Pacienti tash gjendet në Klinikën e Kirurgjisë Plastike”, ka shpjeguar për pacientin mjeku në fjalë.

Ai ka treguar se fëmijës i është bërë edhe një intervenim kirurgjik . Ka deklaruar se për ta trajtuar fëmijën është thirrë edhe një psikolog klinik për ta trajtuar.

Drejtori klinik, Besnik Kadriu

“Gjendja aktualisht është stabile. Ne, për shkak të traumës psikike që e ka përjetuar fëmija, e kemi thirrë edhe psikologun. Ekziston mundësi e madhe për infeksion, sepse ai u kafshua nga një ujk. Andaj, ne do ta mbajmë ende këtu nën mbikëqyrje”, tregon tutje doktor Buja.

E ndërkohë, psikologu klinik i cili po merret me aspektin psikik të pesëvjeçarit, Besnik Kadriu, për Express ka folur për gjendjen e pacientit.

“Sapo biseduam me fëmijën. Për momentin ai kishte një shqetësim emocional që e manifestonte edhe me labilitet emocional. Ai po merr trajtime shëndetësore. Ne po e përcjellim gjendjen e tij. Do të mundohemi të lidhemi edhe me familjarët që ta kemi një aleancë për ta përcjellë më lehtë gjendjen e tij”, ka deklaruar për Express psikoterapeuti Besnik Kadriu.

E në vendin e ngjarjes gjatë ditës së sotme kanë dalë edhe zyrtarë të policisë së Kosovës. Ata thonë se rastin po e hetojnë./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart