UEFA e shqyrton mundësinë e përjashtimit të Bjellorusisë, që është në një grup me Kosovën - Gazeta Express
string(88) "uefa-e-shqyrton-mundesine-e-perjashtimit-te-bjellorusise-qe-eshte-ne-nje-grup-me-kosoven"

UEFA e shqyrton mundësinë e përjashtimit të Bjellorusisë, që është në një grup me Kosovën

Sport

Gazeta Express

24/03/2023 19:52

Pas kërkesave të parlamentarëve të BE-së, UEFA dëshiron të diskutojë mundësinë e një përjashtimi të mundshëm të Bjellorusisë.

Kjo është konfirmuar së fundmi edhe nga presidenti Aleksander Ceferin, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Ka qenë prej kohësh qëllimi i UEFA-s për të diskutuar situatën në Bjellorusi në takimin e ardhshëm të Komitetit tonë Ekzekutiv. Dëshirojmë t’ju ​​sigurojmë se situata në Bjellorusi po shqyrtohet tërësisht nga pikëpamja faktike dhe juridike”, citohet të ketë thënë Ceferin në një letër drejtuar Parlamentit Evropian, ka raportuar mediumi gjerman “ARD”.

Mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të mbahet më 4 prill, në Lisbonë. Një ditë më vonë do të hapet Kongresi i UEFA-s, në të cilin Ceferin do të aplikojë për mandatin e tij të tretë dhe të fundit.

Më parë, parlamentarët e BE-së kishin bërë thirrje për përjashtimin jo vetëm të ekipeve nga Rusia, por edhe nga Bjellorusia për shkak të luftës së agresionit rus. Vendi i Evropës Lindore, i udhëhequr nga presidenti Alexander Lukashenko, konsiderohet një aleat i ngushtë i Rusisë.

Lukashenko është përballur me kritika ndërkombëtare për mungesë respekti për të drejtat e njeriut dhe një sistem brutal represioni.

Ceferin, në letrën e dërguar, ia ka bërë me dije Parlamentit të BE-së se UEFA po monitoron nga afër zhvillimet.

Megjithatë, sipas sllovenit që udhëheq me shtëpinë e futbollit evropian, vendimet që do të merren në këtë drejtim do të bien “ekskluzivisht” në kompetencën e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s është edhe përfaqësuesi rus, Alexander Dyukov. Presidenti i Federatës Ruse të Futbollit dhe menaxheri i Gazprom ka ruajtur postin e tij për shkak se FIFA dhe UEFA pezulluan vetëm ekipet ruse. Megjithatë, Federata ruse dhe bjelloruse do të vazhdojnë të listohen si anëtarë të UEFA-s dhe FIFA-s.

Kujtojmë se Kombëtarja e Bjellorusisë është e shortuar në Grupin I në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet në Gjermani vitin e ardhshëm.

Në këtë grup është edhe Kosova, bashkë me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë dhe Andorrën.

Të shtunën, Bjellorusia do të luajë si vendase ndaj Zvicrës. Kjo ndeshje është caktuar për t’u zhvilluar në Novi Sad të Serbisë. Pastaj, më 28 mars, Bjellorusia do të luajë në udhëtim kundër Rumanisë.

Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi për Bjellorusinë nga mbledhja që do mbahet muajin e ardhshëm.

Kujtojmë se xhiro e tretë e fazës së grupeve do të zhvillohet në qershor. Me datën 19 të këtij muaji është e paraparë që Kosova do të luajë si mysafire e Bjellorusisë. /Gazeta Express/