Uebsajti i famshëm sportiv: Historia mbresëlënëse e ekipit kombëtar të Kosovës


Gazeta Express
13 Qershor 2019 13:20

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, ËorldSoccerTalk.com, e ka publikuar një artikull të titulluar “Një shikim i historisë mbresëlënëse të ekipit kombëtar të futbollit të Kosovës”, të cili mund ta lexoni në vijim.

Në përgjithësi, një ndeshje mes Bullgarisë dhe Kosovës nuk do të tërhiqte shumë vëmendje në botën e sportit. Megjithatë, ndeshja kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 mes këtyre dy vendeve, të hënën, ishte ndeshje emocionuese dhe e rëndësishme, shkruan ËorldSoccerTalk.com, transmeton Gazeta Express.

Pasi Bullgaria kaloi në epërsi me rezultat 2:1 në minutën e 55-të, përmes një goli të shënuar nga Kristian Dimitrov, ecuria e Kosovës prej 13 ndeshjeve pa disfatë u rrezikua. Megjithatë, një goditje e sulmuesit Vedat Muriqi e barazoi rezultatin vetëm nëntë minuta më vonë.

Përfundimi i ndeshjes me atë rezultat do ta kishte vazhduar ecurinë e tyre pa humbje, mirëpo Kosova vazhdonte të bënte presion për ta gjetur golin e fitores. Sulmuesi Elba Rashani në fund e shënoi golin e pestë të ndeshjes, që ishte vendimtar në rezultat, në minutën e tretë të kohës shtesë.

Një fitore në fund të ndeshjes, me përmbysje të rezultatit, është gjithmonë emocionuese në botën e sportit. Mirëpo, kjo fitore e Kosovës kishte rëndësi edhe më kuptimplotë për disa arsye. Me ecurinë e tyre prej 14 ndeshjeve pa disfatë, kosovarët e kanë ecurinë më të mirë në të gjithë Evropës. Në fakt, deri kur ta luajnë ndeshjen e tyre të radhës, ata nuk do të kenë pësuar disfatë që pothuajse dy vjet.

Kosova e ka një histori shumë interesante, edhe vetë vendi, por edhe ekipi kombëtar i djemve. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet e 90-ta, Kosova filloi të organizojë ndeshje miqësore jozyrtare për ekipin kombëtar të djemve.

Këto ndeshje kundër shteteve joanëtare të FIFA-s vazhduan gjatë viteve të 90-ta dhe 2000-ta. Edhe pse teknikisht nuk ishte e pranuar nga FIFA dhe UEFA, fitorja me rezultat 7:1 kundër Monacos në vitin 2006 mbetet fitorja me dallimin më të madh në historinë e Kosovës.

Megjithatë, këtyre ndeshjeve jozyrtare u erdhi fundi në vitin 2014, kur FIFA e lejoi Kosovën të luajë kundër kombëtareve të tjera të FIFA-s, por nuk i lejohej paraqitja e simboleve shtetërore. Në mars të vitit 2014, Kosova e zhvilloi miqësoren e parë kundër Haitit, të pranuar nga FIFA. Dy vjet më vonë, Kosova u pranua si anëtare në FIFA dhe UEFA.

Fakti se ky vend i vogël për momentin e mban ecurinë më të mirë në të gjithë Evropën, duke marrë parasysh se ata janë njohur zyrtarisht nga UEFA vetëm tre vjet më parë, është absolutisht e mrekullueshme.

Është gjithashtu mbresëlënëse që Kosova arriti ta kryesojë Grupin 3 të Ligës D gjatë sezonit 2018/19 të Ligës së Kombeve. Ata i shënuan më së shumti gola nga të gjitha skuadrat në Ligën D (15) dhe e kishin dallimin më të mirë në gola (+13).

Triumfi në grupin e tyre do të thotë se ata janë promovuar në Ligën C për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Kosovës i dhurohet edhe një opsion i dytë për t’u kualifikuar në EURO 2020.

Për shkak të suksesit të tyre në Ligën e Kombeve, Kosova tani e ka të garantuar në vend në gjysmëfinale të play-offs për kualifikim të EURO 2020. Megjithatë, pas formës së tyre të mrekullueshme në 20 muajt e fundit, vendi ballkanik do të tentojë të kualifikohet pa pasur nevojë për ndeshjet e play-offs. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart