Udhëtimi pa viza më së largu në janar të 2024 - Presidenca çeke nis negociatat me PE'në - Gazeta Express
string(84) "udhetimi-pa-viza-me-se-largu-ne-janar-te-2024-presidenca-ceke-nis-negociatat-me-pene"

Udhëtimi pa viza më së largu në janar të 2024 – Presidenca çeke nis negociatat me PE’në

Lajme

Gazeta Express

30/11/2022 9:58

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE’së ranë dakord për t’i dhënë mandatin Këshillit Europian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në bazë të këtij mandati, presidenca do të nisë negociatat me Parlamentin Europian, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Këtë e ka bërë të ditur ministri çek i Punëve të Jashtme, Jan Lipavský.

“Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit pa viza për Kosovën dhe tani shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Europian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur nga përpjekjet e Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, migracionin, menaxhimin dhe sigurinë dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm do të forcohet në të ardhmen”, tha ai.

Sipas qëndrimit të Këshillit, udhëtimi do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të ETIAS dhe nëse vonohet funksionimi i këtij sistemi, liberalizimi do të ndodhë jo më vonë se 1 janari i vitit 2024, thotë Komisioni Europian në një deklarata për media.

Kosovarët do të mund të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore.

KE thotë se Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në të gjitha fushat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, duke përfshirë në fushën e sigurisë së dokumenteve, menaxhimit të kufijve dhe migracionit, rendit dhe sigurisë publike, si dhe të drejtave themelore që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes. Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.

“Me moskërkimin e vizave do të sigurohet që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën të njëjtin regjim vizash”, thuhet në komunikatë.

Komisioni tha se do të vazhdojë që në mënyrë aktive të monitorojë zbatimin e këtyre kërkesave [kushteve], duke përfshirë harmonizimin e politikave të vizave, përmes mekanizmit pas liberalizimit të vizave./Gazeta Express/