U takua me Metën, Kume: Presidenti mendon se është koha të komunikohet me popullin shqiptar


Gazeta Express
20 Nëntor 2019 20:24

Këtë të mërkurë Presidenti Meta ka vijuar me takimet e tij konsultuese në lidhje me krizën politike në vend dhe përplasjet e shumta mbi emrat dhe emërimet e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Këtë pasdite në zyrën e Presidentit ka shkuar ish kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume. Në dalje të takimit ish drejtuesi i KQZ-së u shpreh se Presidenti shprehur bindjen se problemet e krijuara në politikën shqiptare mund të zgjidhen po përmes politikës pa qenë nevoja për t’i zgjatur dorën ndërkombëtarëve.

“Nëse nuk ndërhyjmë të gjithë do vuajmë kriza të herëpashershme. Presidenti na ftoi të gjithëve që të jemi pjesë e turit të tij, por ai do ti adresohet popullit për rrugët, për instrumentet që duhet përdorur  për të shëndetësuar jetën demokratike në vendin tonë. Në optikën e presidentit, ne si rezultat i kësaj qeverisjeje nuk kemi arritur në pritshmëritë e dëshiruara, por kemi prodhuar probleme, që duhen të zgjidhen. Këmbënguli po ashtu, se të gjitha këto mund të zgjidhen nga ne dhe mos t’i mbajmë sytë nga ndërkombëtarë, sepse më së shumti ata mund të jenë faktorë pengues se sa zgjidhës për problemet tona.”-tha Kume.

Ish kreu i KQZ-së foli gjithashtu dhe për atë që Meta ka deklaruar në disa dalje të tij të mëparshme ku ka folur për një referendum.

“Nuk di se cila do të jetë mënyra e organizmit, kjo është punë e tij, por ajo që ishte e qartë ka të bëjë që presidenti vlerëson se: është koha dhe nevoja që të komunikohet në mënyrë intensive me shqiptarët, me popullin shqiptar, me ata që kanë të drejtën dhe të ushtrojnë të drejtën e sovranit. Ky ishte qëndrimi i presidentit, aspektet organizative  nuk di se si do bëhet.”-the Kume.

Te fundit


Kthehu lart