U përmend për ministër, djali i Fatmir Limajt tregon se a do të jetë pjesë e Qeverisë - Gazeta Express
string(85) "u-permendd-per-minister-djali-i-fatmir-limajt-tregon-se-a-do-te-jete-pjese-e-qeverise"

Gazeta Express

01/06/2020 12:48

U përmend për ministër, djali i Fatmir Limajt tregon se a do të jetë pjesë e Qeverisë

Gazeta Express

01/06/2020 12:48

Djali i Fatmir Limajt thotë se asnjëherë nuk është përmendur nga Nisma që të jetë pjesë e Qeverisë dhe se nuk është pjesë e partisë. Sipas Durim Limajt, publikimi i emrit të tij nga mediat ka qenë qëllimkeq.

Dje është raportuar në media se Durim Limaj, djali i kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, do të jetë pjesë e Qeverisë së Avdullah Hotit.

Lexo Edhe:

Durim Limaj ka thënë sot për Gazetën Express se emri i tij për pozitë në kabinetin qeveritar nuk është diskutuar asnjëherë në Nismë dhe thotë se lajmet për të kanë qenë tendencioze.

“Jo nuk është diskutuar asnjëherë një gjë e tillë. Lajmet që kanë qarkulluar këto ditë janë tendencioze dhe qëllime këqija”, ka thënë Limaj.

Janë përmendur edhe emra të tjerë për ministra nga Nisma, e Limaj thotë se nuk ka asnjë informatë nëse raportimet për të tjerët janë të sakta.

“Unë nuk jam as nuk kam qenë kurrë në asnjë strukturë udhëheqëse të Nismës. Këto kanë qenë diskutime që i bëjnë në kryesi dhe nuk kam asnjë informatë për këtë çështje”, tha ai.

Nisma ka reaguar dje duke thënë se akoma nuk kanë vendosur për emrat për ministra nga kjo parti.

“Nisma është në pritje të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe vetëm pasi të publikohet vendim i plotë, Nisma do të vendos për përfaqësuesit e saj në qeveri”, shkruhej në reagimin e saj.

Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje ka pasur kritika pas publikimit të emrave të mundshëm për ministra të Qeverisë së re.

Deputeti i LVV-së, Hajrullah Çeku, ka shkruar se është “degradim” të kalohet nga një ministër si Lumir Abdixhiku te Durim Limaj.

“Nga Albin Kurti te Avdullah Hoti. Nga Lumir Abdixhiku te Durim Limaj. Nga Glauk Konjufca te Meliza Haradinaj. Ky është degradim i madh dhe prapakthim i rrezikshëm. Qytetarët nuk kanë votuar për këtë. Rruga e vetme janë zgjedhjet”, ka shkruar Çeku.

Nisma ka arritur koalicion me LDK-në për t’u bërë pjesë e Qeverisë Hoti. Bashkë me ta, pjesë e koalicionit është edhe AAK-ja dhe minoritetet.

Seanca për votim të Qeverisë së re pritet të thirret pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë dekretit të presidentit për mandatimin e Hotit për kryeministër. /Express/