U arrestua për kurdisje ndeshjesh, ish-trajneri i Kombëtares kuqezi shpallet i pafajshëm


load
Gazeta Express
22 Tetor 2019 12:30

Merr fund makthi për ish-portierin e shquar të Vllaznisë, drejtues i saj dhe ish-trajner i kombëtares shqiptare të femrave në futboll, Armir Grima.

Ai u arrestua si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër, kaloi nëpër akuza e dyshime të forta për trukime ndeshjesh, por ditën e sotmë është çliruar nga çdolloj “prangash”.

Gjykata e Shkodrës ka pushuar çështjen ndaj tij, pasi prokuroria e këtij rrethi ka konstatuar se nuk ka bërë vepër penale. Më konkretisht, nuk provohet dot se Grima ka kryer veprën penale të shit-blerjeve të ndeshjeve të futbollit. 

Dyshimet për këtë gjë e burgosën fillimisht, pastaj e lanë me masën “detyrim paraqitje” prej disa muajsh. Prej kësaj të marte, ai është qytetar i lirë dhe pa asnjë njollë mbi shpinë.

Kësisoji, pritet t’i rikthehet aktivitetit normal, pse jo edhe në futboll. Operaciooni policor “Volvo 4” e përfshiu atë në akuza, bashkë me një grup të rrezikshëm kriminal, që operonte në kryeqendrën e veriut.

Grima dyshohej se ishte përfshirë në trukimin e ndeshjes së Kategorisë së Parë, mes Vllaznisë B dhe Tërbunit të Pukës, gjë që nuk është faktuar dot. 

Në shtator 2018, FSHF, duke parë situatën e krijuar me ish-portierin e Vllaznisë, vendosi ta pezullojë nga detyra që mbante, si trajner i kombëtares së Shqipërisë për femra, në futboll.

Vendin e tij e ka zënë ish-bashkëlojtari i Grimës te kuqeblutë, Vioresin Sinani, në krye të vajzave kuqezi.

Mbetet të shihet nëse ky rehabilitim ligjor i Gjykatës së Shkodrës do të shoqërohet edhe me rehabilitim institucional nga Federata Shqiptare e Futbollit. /Telesport/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart