Twitter-i bllokon agjencitë iraniane të lajmeve


Gazeta Express
21 Korrik 2019 8:59

Rrjeti i njohur social, Twitter, i ka bllokuar llogaritë e agjencive iraniane të lajmeve në platformën e vet  për shkak të diskriminimit të pjesëtarëve të besimit Baha.

Klubi i Gazetarëve të Rinj, agjencia shtetërore “IRNA” dhe agjencia “Mehr” janë në mesin e agjencive të bllokuara në Twitter të shtunën. Sidoqoftë, disa agjenci, përfshirë agjencinë “Fars” dhe televizionin në gjuhën angleze “Press TV”, nuk janë bllokuar në këtë rrjet.

Agjencitë e bllokuara nga Twitter-i kanë thënë se veprimi i rrjetit social është marrë për shkak të raportimit të tyre rreth tensioneve në Lindjen e Mesme. Në veçanti, ato besojnë se janë bllokuar për shkak të raportimit lidhur me konfiskimin e anijes britanike nga forcat e Iranit.

Një burim në Twitter ka konfirmuar se këto agjenci janë bllokuar për shkak të sulmeve ndaj komunitetit pakicë të Bahas.

Pjesëtarët e këtij komuniteti kanë thënë se qindra besimtarë të grupit janë vrarë nga vitet e tetëdhjeta, ndërsa shumë të tjerë janë burgosur dhe torturuar.

Besohet se në Iran jetojnë rreth 300 mijë pjesëtarë të këtij besimi, ndonëse Irani nuk e njeh zyrtarisht këtë komunitet. Grupi “Human Rights Watch” ka thënë se pjesëtarët e këtij komuniteti përndiqen dhe burgosen nga autoritetet, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart