Turqia urdhëron arrestimin e 700 personave të dyshuar si përkrahës të Gylenit - Gazeta Express
string(77) "turqia-urdheron-arrestimin-e-700-personave-te-dyshuar-si-perkrahes-te-gylenit"

Turqia urdhëron arrestimin e 700 personave të dyshuar si përkrahës të Gylenit

Gazeta Express

18/02/2020 9:50

Autoritetet turke dhanë urdhër të martën për arrestimin e rreth 700 personave, përfshirë punëtorë të Ministrisë së Drejtësisë dhe pjesëtarë të forcave të armatosura, të dyshuar për pjesëmarrje në puçin e dështuar të vitit 2016.

Organet shtetërore e kanë nisur shtypjen e përkrahësve të dyshuar të klerikut Fetullah Gylen që nga përpjekja për puç në korrik të vitit 2016, kur ishin vrarë rreth 250 persona.

Lexo Edhe:

Operacionet e fundit të policisë paraqesin eskalim të konsiderueshëm të shtypjes ndaj përkrahësve të Gylenit, i cili dikur ishte mik i presidentit Erdogan e më vonë u bë rivali më i madh.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, raportoi se prokurorët kanë dhënë urdhër për arrestimin e 157 personave në forcat e armatosura.

Për më tepër, 71 persona pritet të arrestohen në Ankara. Ata dyshohen se e kanë përkrahur Gylenin duke qenë punëtorë të Ministrisë së Drejtësisë.

Urdhër për arrestime është lëshuar edhe për 467 persona të tjerë në pjesë të ndryshme të vendit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Prej vitit 2016, rreth 80 mijë persona janë dërguar në paraburgim dhe rreth 150 mijë shërbyes civilë, ushtarë dhe punëtorë të tjerë janë përjashtuar nga puna ose janë suspenduar përkohësisht.