Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha në një intervistë për televizionin NTV se vendi i tij nuk do të marrë anë në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë.
Gjatë fundjavës së kaluar, presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, bëri thirrje për përfundim të zhvillimeve shqetësuese në rajonin Donbas të Ukrainës pasi u takua me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Më vonë, ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov tha se Turqia dhe shtetet tjera nuk duhet ta ushqejnë frymën luftarake në Ukrainë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Turqia është anëtare e NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Jens Stoltenberg, e ka kritikuar ashpër Rusinë për grumbullimin e trupave afër kufirit me Ukrainën, duke thënë se ky veprim është i pajustifikueshëm, i pashpjegueshëm dhe thellësisht shqetësues.
Të martën, Stoltenberg e priti në takim ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmitry Kuleba, të cilit ia konfirmoi përkrahjen e palëkundur të NATO-s për integritetin territorial dhe sovranitetin e saj.
Përkrahje të palëkundur Ukrainës i ka dhënë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, gjatë një bisede telefonike me homologun Ukrainas.
Në anën tjetër, Turqia duket se nuk është e gatshme që të solidarizohet me vendet tjera anëtare të NATO-s për t’i ofruar haptazi përkrahje Ukrainës, duke dashur t’i ruajë raportet e mira me Rusinë.
Muajin e kaluar, presidenti turk, Rexhep Erdogan, i doli në mbrojtje homologut rus, Vladimir Putin, duke i cilësuar si të papranueshme komentet e kreut të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, i cili kishte thënë se mendon që Putini është vrasës.