Trumpit i ikën edhe një bashkëpunëtorë


Gazeta Express
12 Korrik 2019 18:30

Presidenti Donald Trump, ka njoftuar se sekretari i Punës Alexander Acosta, ka paraqitur dorëheqjen dhe do të zëvendësohet përkohësisht nga zëvendësi i tij Patrick Pizzella.

Zoti Trump e njoftoi lajmin me zotin Acosta në krah të tij. Ky i fundit tha se u largua pasi mendonte se kishte krijuar shpërqendrim tek administrata e presidentit për shkak të debatit që ka nxitur mënyra se si ai kishte trajtuar rastin e abuzimeve seksuale të financierit miliader Jeffrey Epstein, kur ishte prokuror i Floridas, rreth një dekadë më parë. Nga ana e tij presidenti tha se Aleksandër Acosta kishte bërë një punë shumë të mirë.

Kjo dorëheqje e sekretarit të Punës vjen dy ditë pas një konference për shtyp të tij ku ai i doli në mbrojtje marrëveshjes për pranim faji të vitit 2008 me miliarderin Jeffrey Epstein. Roli i zotit Acosta në këtë çështje u vu në shënjestër pas një hetimi të kryer nga gazeta “Miami Herald”. Këtë javë prokurorët federalë të Nju Jorkut paraqitën akuza të reja për trafikimin e vajzave për qëllime seksuale kundër miliarderit.

Pavarësisht thirrjeve për dorëheqje, sekretari i Punës e refuzoi atë.

Marrëveshja për pranimin e fajësisë e arritur në vitin 2008 në Florida, kohë kur zoti Acosta shërbente si Prokuror i Përgjithshëm i dha mundësi zotit Epstein të kryente vetëm 13 muaj burg me të drejtën për të marrë leje gjatë ditës. Sipas kësaj marrëveshje, ai duhej të regjistrohej si person që kishte kryer krime seksuale. Në një vendim të marrë më parë gjatë këtij viti një gjyqtar federal vendosi kundër kësaj marrëveshjeje.

Të hënën, Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut akuzoi zotin Epstein se kishte joshur me dhjetëra vajza, disa prej të cilave 14 vjeç dhe se i kishte detyruar ato të kryenin marrëdhënie seksuale.

Te fundit


Kthehu lart