Trump thotë se hyri te bunkeri i Shtëpisë së Bardhë gjatë protestës vetëm “për ta inspektuar” - Gazeta Express
string(91) "trump-thote-se-hyri-te-bunkeri-i-shtepise-se-bardhe-gjate-protestes-vetem-per-ta-inspektuar"

Trump thotë se hyri te bunkeri i Shtëpisë së Bardhë gjatë protestës vetëm “për ta inspektuar”

Gazeta Express

03/06/2020 20:15

Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se kishte zbritur në bunkerin e sigurisë së rezidencës së tij presidenciale në Uashington DC “vetëm për ta inspektuar”.

Në një intervistë me Fox News Radio presidenti u pyet për zhvillimin e raportuar nga mediat se gjatë protestave rreth Shtëpisë së Bardhë në fundjavë, ai kishte qëndruar për një periudhë në bunkerin e sigurisë.

Lexo Edhe:

Trump u përgjigj: “Ishte vetëm një inspektim, qëndrova aty për shumë pak kohë. Ata më thanë se ishte koha e duhur për të zbritur poshtë e për t’i hedhur një sy, sepse ndonjëherë do të jetë nevoja për të”.

Trump kishte postuar vetë pamje nga protestat pranë Shtëpisë së Bardhë ndërsa komentonte: “Kam ndjekur çdo lëvizje dhe ndjehem më se i sigurtë”.

CNN raportonte se presidenti kishte kaluar rreth një orë brenda bunkerit gjatë kulmit të protestave, ndërsa më tej ai akuzohej se kishte provokuar përshkallëzimin e tyre kur kërcënonte protestuesit se “do të përballen me qentë më të egër dhe pushkët më famëkeqe” nëse kalonin perimetrin e sigurisë së Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë intervistës në Fox News Radio Trump përsëriti kërcënimet për nxjerrjen në rrugë të ushtrisë: “Nëse ata nuk i thërresin mendjes këtë do ta zgjidh unë, madje shpejt”.

Më herët Trump pozoi për foto me Biblën në shkallët e kishës së St John në Uashington, ku foli për 17 minuta dhe nuk përmendi asnjëherë emrin e George Floyd.