Trump publikon pamje të ndërtesës së vet në Grenlandë


Gazeta Express
20 Gusht 2019 8:38

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka publikuar në Twitter një fotografi të montuar të një kulle gjigante të firmës së vet në Grenlandë, duke premtuar se nuk do të bëjë ndërtime të tilla në ishullin më të madh në botë.

Publikimi i kësaj pamjeje erdhi një ditë pasi ai i vërtetoi raportimet e medieve se është duke e shqyrtuar idenë e blerjes së territorit autonom të Danimarkës, ndonëse ka bërë të ditur se kjo çështje nuk është në mesin e prioriteteve të qeverisë amerikane.

Ndoshta arsye për këtë janë paralajmërimet e ekonomistëve se ekonomia amerikane është duke rrëshqitur drejt recesionit. Sidoqoftë, biznesmeni Trump nuk po mund t’i rezistojë idesë që ai e ka quajtur “marrëveshje e madhe për patundshmëri” me mijëra kilometra bregdet.

“Në aspektin strategjik, kjo ide është interesante dhe ne do të ishim të interesuar, por do të flasim me ta pak”, tha Trump të dielën para gazetarëve.

Lajmi për interesimin e presidentit amerikan për blerjen e ishullit të akullt u bë objekt i talljeve në komunitetin ndërkombëtar. Sidoqoftë, banorët e Grenlandës dhe Danimarka kanë reaguar ashpër ndaj kësaj ideje. “Mendoj se ai është i çmendur”, tha një banor i ishullit.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha se çdo diskutim për shitjen e Grenlandës është absurd. “Grenlanda nuk është në shitje. Shpresoj që kjo gjë nuk është menduar seriozisht”, tha ajo, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart