Tri rrëfime arkitektonike moderne gërshetojnë realitetin e sotëm me nostalgjinë e dikurshme - Gazeta Express
string(91) "tri-rrefime-arkitektonike-moderne-gershetojne-realitetin-e-sotem-me-nostalgjine-e-dikurshme"

Tri rrëfime arkitektonike moderne gërshetojnë realitetin e sotëm me nostalgjinë e dikurshme

Arte

Donjeta Abazi

01/02/2023 16:14

Tre dokumentarë për tri objekte. Mbrëmë në KinoArmata u dha seria e dokumentarëve të realizuar nga arkitektja dhe mësimdhënësja universitare, Flaka Xërxa Beqiri. 

Dokumentarët e mbrëmshëm na shfaqen tri përjetime në tri forma të ndryshme mbi tri objekte të ndryshme e një arkitekture unike.

Lexo Edhe:

“Bankos”-i i Pejës, Pallati i Rinisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës ishin objektet për të cilat u diskutua. Në fakt nuk u diskutua veç sa i përket arkitekturës e funksionit të tyre. Në këto dokumentarë ne pamë një anë tjetër të nostalgjisë, gërshetimit artistik e punës ndër vite. Pjesë të dokumentarëve ishin punonjës, arkitektë, e njerëz që në një formë a tjetrën ishin bashkë për të folur për kohën e dikurshme e për të na lënë neve ta krahasojmë me të tashmen.

“Ngjyrat” e Banksoit të harruar

Arkitekti i këtij objekti është Milan Tajic.

Tashti forma që e shohim në objektin e Bankës së Kosovës, që në kohen e vet ishte revolucion i llojit të vet, në kuptimin e plotë të fjalës, na parapërgatit për një stil unik të një arkitekture që ne as sot nuk e shohim në vendin tonë, ani pse e duam fort këtë gjë. Në pamjen e dokumentarit është një shtypshkronjë e lënë në tokë, e harruar nga koha, dokumente nëpër rafte, karrige të ndotura nga pëllumbat (objekti tash është çerdhe e lirë e çdo lloj krijese). Ngjyrat e objektit, thyerjet që vërehen nga jashtë, mandej struktura nga brenda, janë krejt në harmoni me një objekt modern të kohës së ish-Jugosllavisë. Dikur aty punonin punonjës shqiptarë, ata që me ngazëllim në këtë dokumentar shpalosin ndjenjën e të qenit të lumtur në një ambient pune, kohën e parë kur ata kishin shijuar një ashensor, madje objekti ishte aq i sofistikuar në detaje saqë në dysheme ishin të vendosur lloj sensorësh që punëtoret mund t’i përdornin në rast të ndonjë emergjence.

“Bankosi” i bukur i qytetit të Pejës është sot një objekt i harruar, nuk u restaurua, nuk u investua asnjëherë në të. Objekti mund të shndërrohej në diçka të madhe ose të hyjë në objektet mbrojtëse të shtetit të Kosovës. Sot Bankosi është çerdhe pëllumbash, vend nostalgjie për ish punëtoret e saj dhe një objekt që tërheq vëmendjen e qytetareve të Pejës duke thyer bajatizmin e arkitekturës koklavitëse të objekteve tjera në këtë qytet.

“Vijat” e Pallatit të Rinisë

Arkitekt i këtij objekti është Živorad Janković.

E ky objekt pas themelimit u bë gjithçka tjetër pos qëllimit për të cilin u ndërtua. Plani ishte fantastik, kishte të parapara sallën e vogël të madhe, universale. Salla universale do të ndërtohej për gjithçka madje edhe për patinazh, të shfrytëzohej për të gjitha llojet e sporteve të mundshme. Ky objekt kishte plan që të ishte urëlidhëse mes qytetit të Prishtinës, të ndërlidhte gjithçka, të gërshetonte jetën kulturore, artistike e sportive në një të vetme. Sot në këtë pallat përdoret 30% e kapacitetit që do të mund të përdorej sepse ideja e shfrytëzimit të këtij objekti u keqkuptua me kast. Askush nuk u mor me të ne aspektin serioz të trajtimit të tij, ky objekt sot përdor disa hapësira, ama jo të gjitha. Madje shkatërrimi i tij në pjesë të ndryshme veç është bërë në mënyrë të natyrshme në kuadër të (mos)ndërgjegjes kolektive.

“Kupollat” e famshme të një objekti të famshëm  

Arkitekt i këtij objekti është Andrija Mutnjakovic.

E në hapje të këtij dokumentari mbi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës e shohim një pamje të funksionimit të punës brenda bodrumeve të Bibliotekës si neper filmat klasik. Bibliotekistja e parë aty ka një punë qe e dashuron dhe një kohë plot mall e dashuri për vitet e para kur është hapur Biblioteka.

Arkitektura e këtij objekti është stërkomentuar dhe nuk është se ka shumë gjëra pa thënë ama ndër pikat më të veçanta është holli në hyrje që mban një rreth në mes e që shpjegon diellin ose dijen e mandej vijëzat shpërndarëse përreth që e shpjegojnë shpërndarjen e rrezeve të dijes dhe mandej pikat e pafundme që shpjegojnë marrësin e kësaj dije. Kupolat e objektit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës gërshetojnë stilin islam me atë bizantin, do të thotë ka elemente nga dy kultura të ndryshme, kultura këto që i vërejti arkitekti me të ardhur në Prishtinë dhe si të tilla i jetësoi në objektin që do ta unifikonte kulturën e arkitekturën e kryeqytetit të Kosovës.

Funksioni i Bibliotekës Kombëtare u tjetërsua ndër vite, nuk mbeti shkret si puna e ndërtesës së Bankosit në Pejë, ama që i rezistoi viteve e kohës vet dhe që është objekt i domosdoshëm për vendin kjo nuk ka dyshim.

Tri dokumentare, tri histori, një nostalgji

Faktin që në ish Jugosllavi në vitet e 70-ta e 80-ta deri në fillim të viteve 90-ta në Kosovë u dha një dorë e fuqishme në arkitekturën e vendit kjo nuk do diskutim. Arkitektët që erdhën e dhanë idetë e tyre në vendin tonë në ndërtimin e objekteve kyçe të infrastrukturës kulturore ekonomike e arsimore në vend, shkuan në bazë të rrymave të jetesës në vend dhe nuk bën gabim. Mandej pas viteve të 90-ta kur në Kosovë nuk po ndërtohej por veç po shkatërrohej u bë si u bë dhe arkitektura e krejt jeta kulturore në vend mbeti e zymtë.

Ama pse sot nuk i jepet një dorë këtyre objekteve kjo mbetet e paqartë.

Objekti i Bankosit është një krijim në vete, gjendja në të cilën është katandisur ky objekt sot është për keqardhje.

Në realizimin e këtyre dokumentareve pati një pikë perfeksioni shumë të konsoliduar, sidomos në pamje, në fotografi, në përcjellje të mesazhit, në trajtim teme e çdo detaj tjetër. Bile se këto dokumentare meritohen të marrin vëmendje edhe me të madhe në vend sepse realizimi është tejet i mirë për t’i mbetur sirtarëve të kohës e tema që trajtohet shumë me rëndësi për t’u diskutuar brenda një kornize të shkurtër kohore.

Një diskutimin për të shpalosur këndvështrimet e profesionistëve të arkitekturës mbi vlerat dhe rëndësinë e arkitekturës moderne në Kosovë, u zhvillua pas shfaqjes së tre dokumentarëve. Pjesë e panelit ishin profesori i arkitekturës, Ilir Gjinolli, dhe autorja e dokumentarëve, Flaka Xërxa Beqiri.

Autorja e këtij cikli me dokumentar Flaka Xërxa Beqiri në bashkëbisedimin më pas theksoi idenë e krijimit të këtyre dokumentarëve, inspirimin dhe nevojën që këto dokumentare të realizohen.

“Mendova që edhe në Kosovë si edhe në vendet tjera ku janë realizuar cikle të tilla të dokumentarëve të kemi diçka të tillë, p.sh kemi rastin e Kroacisë të cilët në televizionet shtetërore kanë arritur të realizojnë një numër të dokumentareve mbi objektit e trashëgimisë moderne”.

Flaka rrëfen se të gjitha përjetimet e saj sapo është futur në këto objekte ishin të domosdoshme të barteshin jashtë. Prandaj në dokumentare kjo është arritur sepse emocioni i punëtoreve të dikurshëm të këtyre objekteve krijon një ndjesi ndryshe.

“Përderisa po ecja nëpër këto objekte mendova ta sjell atë ndjesinë e përjetuesit të këtyre objekteve në formë të tillë”.

Ideja në fillim e autores u përkrah me vetëm një dokumentar, por pastaj arritën që të realizohen të tre.

“Në fillim kisha përkrahjen e vetëm një dokumentari pastaj vitin e kaluar kisha mundësinë të realizoj edhe dy dokumentarët e tjerë”.

Dokumentaret janë realizuar në mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

/Express/