Trepça ’89 me rikthimin më të çmendur në futbollin kosovar kundër Ballkanit të Munishit - Gazeta Express
string(84) "trepca-89-me-rikthim-me-te-cmendur-ne-futbollin-kosovar-kunder-ballkanit-te-munishit"

Trepça ’89 me rikthimin më të çmendur në futbollin kosovar kundër Ballkanit të Munishit

Gazeta Express

25/10/2020 16:01

Trepça ’89 e ka bërë mbase rikthimin më mahnitës, më të paparë në historinë e Superligës së Kosovës, duke e mposhtur 4:3 Ballkanin e Ismet Munishit edhe pse po humbiste 3:0 për pjesën më të madhe të takimit.

Klubi mitrovicas ia shkaktoi humbjen e parë Ballkanit në sezonin e ri të Superligës të dielën në Riza Lushta, raproton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Ballkani, si pretendenti kryesor për titull këtë sezon, po vinte në këtë takim plot vetëbesim dhe krijoi një epërsi të hershme të cilën askush nuk ka mundur ta parashikonte se nuk do ta mbante.

Skuadra nga Suhareka i kishte fituar gjashtë ndeshje dhe kishte barazuar një herë në shtatë ndeshje deri tani këtë sezon.

Hazmi Gripshi e kaloi skuadrën e Munishit në epërsi me gol fantastik nga distanca në minutën e 30-të, para se Ermal Krasniqi ta dyfishonte epërsinë në minutën e 47-të.

Mirlind Daku e trefishoi epërsinë e skuadrës nga Suhareka në minutën e 55-të, me golin e 15 personal këtë sezon.

Kur djelmoshat e Munishit menduan se fitorja tashmë ishte siguruar, Sie e nisi atë që do të ishte mrekullia në Mitrovicë.

Ai shënoi golin e parë të Trepçës në minutën e 64-të, para se Rilind Nimani ta kthente në lojë skuadrën mitrovicase një çerek lojë para fundit.

Sie ishte heroi i Trepçës duke shënuar edhe dy herë të tjerë, në minutën e 79-të për 3:3 dhe në minutën e 93-të për fitoren e ëndërruar.

Ky triumf i Trepçës vjen pas pesë ndeshjeve pa fitore.

Ballkani mbetet lider, pavarësisht humbjes, me 19 pikë, gjashtë më shumë se Drita, e cila, megjithatë, i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.

Trepça, në anën tjetër, tani mbledh 11 pikë në vendin e gjashtë, gjashtë më shumë se zona e rënies nga liga. /Gazeta Express/