Tregimi i javës / Kalin Terziyski : A ka njeri që ju do - Gazeta Express
string(51) "tregimi-i-javes-kalin-terziyski-a-ka-njeri-qe-ju-do"

Arte

Gazeta Express

02/12/2022 17:14

Tregimi i javës / Kalin Terziyski : A ka njeri që ju do

Arte

Gazeta Express

02/12/2022 17:14

Kalin Terziyski, shkrimtar bashkëkohor bullgar. Fitues i Çmimit Europian për Letërsi më 2011

MBLEDHËSI I VLERAVE

Lexo Edhe:

Mbledhësi i vlerave nxjerr nga xhepi i pantallonave të tij një paketë cigaresh të zhubrosura, një nga vlerat që zotëron- dhe ndez cigaren. E ndez me një çakmak ku shihet foto e zbehtë e gruas lakuriq- gjithashtu vlerë.

Tërheq hundët, pështyn dhe shtyn karrocën gjysmë të mbushur me vlera. Ecën ngadalë në rrugë. Ndërtesat, e rreshtuara në anë janë gri të errta, sepse rruga është e vjetër. Mbledhësi ngjan si i hutuar, por kjo prej tymit të cigares, ka picërruar sytë, por e sheh me kujdes tokën përpara këmbëve, asgjë s’i shpëton. Ja- shikimi i tij bie mbi një send, që mund të jetë interesant- një copë letre paksa e zverdhur- përkulet dhe nxjerr një faqe gazete, e futur mes koshit të plehrave dhe kioskës së braktisur të gazetave, atje ku është zverdhur përgjatë një viti. Po, data është fiks e njëjta, por para një viti. Në faqen e gazetës ka një titull : “Gjatë muajit mars bricjapi do të ketë sukses në biznes, dashi në dashuri”. Në faqen e pasme ka nekrologji dhe një nga fotografitë është e një gruaje të re, me sy të zgjuar”- vlerë, mendon mbledhësi dhe e fut faqen e gazetës mes vlerash të tjera në karrocën e tij. Bën përpara, i frymëzuar nga bollëku i vlerave që i ofrojnë rrugët, trotuaret, kazanët e plehrave, Bota. Gjen një këmbë të kukullës Barbie, një shishe bosh parfumi, e cila ka akoma aromë, një stilolaps pa bojë, një syth karafili i freskët, një pendë laraskaje, gjysma e dytë e novelës “Sonata e Kroizerit” e Leon Tolstoit, një lugë çaji, një pjesë e një aparati elektronik. I vendos të gjitha në vendin e përshtatshëm në karrocë, që ta ketë më të lehtë gjetjen pastaj. Është i kënaqur nga sendet e gjetura dhe i shkujdesur sheh tokën para vetes, më shumë për kënaqësi- tashmë ka mbledhur mjaft vlera për këtë ditë.  Kthehet në shtëpi, ngre karrocën me kujdes deri në katin e dytë, hap derën dhe hyn në mbretërinë e tij të vlerave. Për çdo njeri tjetër ajo mund të ishte një vrimë e neveritshme, vend plehrash, tmerrësisht e mbushur me plehra të neveritshme, por për mbledhësin e vlerave ky është vendi më përrallor në botë. Ai ka mbledhur mbetje të lumturisë njerëzore, trishtim, kënaqësi, punë, dëshpërim, gjenialitet, frikë, budallëk, dehje dhe çmenduri. Mbledhësi i vlerave sheh i kënaqur mbretërinë e tij, I rregullon një orë të tërë sendet e sapo zbuluara, pastaj ulet në dysheme, ndez cigaren dhe nis të lexojë një nga letrat e dashurisë, gjetur para dhjetë ditësh, të lidhura fort në një pako dhe hedhur në shkurret e një kanali. Letra fillon kështu : “I dashuri, i dashuri, i dashuri im, prej tri ditësh nuk të kam prekur, nuk të kam puthur, nuk kam dëgjuar zërin tënd dhe s’kam ledhatuar flokët e tu. Më mungon kaq shumë sa ndiej një dhimbje fizike, njësoj sikur më është shkulur një organ me rëndësi jetike. Aq sa edhe ajrin që thith pa ty s’ka shije, nuk më mjafton dhe mushkëritë i kam bosh. E gjithë bota është bosh pa ty…”.

   “Vlerë”- mendon mbledhësi i vlerave dhe ndez cigaren tjetër, duke vendosur cigaren e porsafikur në vendin e përshtatshëm.

Përktheu: Milena Selimi