Ernest Hemingway (21 korrik 1899 –2 korrik 1961) romancier, tregimtar dhe gazetar amerikan. Fitues i Çmimit Nobel për letërsi më 1953
Mbreti kishte dalë në kopsht dhe po punonte. Nuk e fshehu gëzimin kur më pa t’i afrohesha. Zumë të shëtisnim nëpër kopsht.
-Ja dhe mbretëresha, – tha ai.
Ajo seç po këpuste ca trëndafila në qejf të vet.
-Tungjatjeta,- tha ajo.
Ne ulëm te një stol, nën hijen e një peme të madhe dhe mbreti porositi t’i sillnin uiski me ujë.
-Uiski është i mirë për sa kohë s’të është mbaruar, – tha mbreti.
Ai më bëri me dije se komiteti revolucionar nuk e kish lejuar të braktiste pallatin.
-Plastirasi është zog kurve,- tha mbreti.- Dhe, që t’i puqësh pipëzat me të, nuk është fort e lehtë. Megjithatë, më thotë një mendje se bëri shumë mirë që i shkoi në plumb ata trimoshat.
Në kësi rastesh, vetëkuptohet, e mira e të mirave është t’i shpëtosh për vete pushkatimit.
Rretheqark, atmosfera ndihej e gëzueshme dhe ne u fjalosëm gjatë kokë më kokë. Si të gjithë grekët, edhe mbreti mezi ç’priste çastin për t’u hedhur në Amerikë.
/Marrë nga Ernest Heminguej: E sotmja është e premte, me përkthim të Artjan Guskiqi, Toena, 1996
/Gazeta Express