Trajneri i Turqisë pohon se sigurimi e rrahu portierin turk pas ndeshjes me Kosovën


Gazeta Express
11 Qershor 2019 23:11

Trajneri i ekipit kombëtar U21 të Turqisë, Vedat Inceefe, është ankuar gjatë një konference për media se sigurimi në stadiumin Fadil Vokrri e ka grushtuar portierin e skuadrës së tij pas ndeshjes me Kosovën.

Golat nga Arbenit Xhemajli, Mirlind Daku dhe Lirim Kastrati i mjaftuan kombëtares dardane ta mposhtë Turqinë në ndeshjen e rrethit të tretë kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit 2021 në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Ky triumf nënkupton se verdhekaltrit tani janë lider të Grupit 3 me gjashtë pikë nga dy ndeshje, dy më shumë se Turqia, e cila madje e ka zhvilluar një ndeshje më shumë.

Por, pas ndeshjes në një konferencë për media, Inceefe u ankua se një anëtar i sigurimit në stadiumin Fadil Vokrri e kishte grushtuar portierin rezervë Irfan Can Egribayat.

“Nuk mund ta pranoj sulmin ndaj lojtarit tim. Një person i sigurimit e ka shtyrë, e ka futur brenda. E ka rrahur me grushte portierin reserve”, ka pohuar Inceefe.

Te fundit


Kthehu lart