Trajneri i Spanjës: De Gea dhe Kepa mund ta ndajnë pozitën e portierit


Gazeta Express
20 Gusht 2019 14:04

David de Gea dhe Kepa Arrizabalaga mund të detyrohet ta ndajnë përgjegjësinë e të qenit portier i parë i ekipit kombëtar të Spanjës, pasi që trajneri i Spanjës, Robert Moreno, s’po ia garanton asnjërit këtë pozitë.

Portieri i Chelseat, Kepa, ka qenë titullar në tri ndeshjet e fundit të Spanjës  që kur trajneri Luis Enrique ia dorëzoi detyrën e trajnerit ndihmësit Robert Moreno, në mars të këtij viti, transmeton Gazeta Express.

Ylli i Manchester Unitedit, De Gea, e mbante këtë pozitë më parë, mirëpo paraqitjet e dobëta në Kampionatin Botëror dhe një fundi zhgënjyes i sezonit të kaluar me “Djajtë e kuq” bënë që ai ta humbë vendin e tij në formacionin e parë.

Spanja do t’u kthehet ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 gjatë muajit shtator, mirëpo as për këto ndeshje Moreno s’e ka caktuar njërin portier si opsion të parë e njërin si rezervë.

“Portierët e mi janë De Gea Kepa dhe Pau Lopezi [i Romës]. Më pëlqen që ka konkurrencë. Kepa nuk është para De Gea dhe nuk është as para Paus”, ka thënë Moreno në një intervistë të dhënë për Cadena SER.

“Dua të shkoj në EURO me tre portierë të cilët janë gjithmonë në dispozicion. Ata po luajnë në një nivel të lartë dhe ka disa dallime mes tyre. Që të tre luajnë mirë me këmbë. Në Barcelonë, ne e fituam tripletën duke i ndërruar portierët”.

Përkundër përvojës së tij të kufizuar si trajner kryesor, Moreno u emërua në pozitën e trajnerit të Spanjës në mënyrë permanente në qershor, pasi i regjistroi tre fitore si ushtrues detyre. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart