Trajneri i Kosovës Prekazi: S’e merituam humbjen, ia dhuruam fitoren Shqipërisë


load
Gazeta Express
15 Tetor 2019 23:21

Trajneri i Kosovës U21, Rafet Prekazi, beson se ekipi i tij nuk e meritoi humbjen kundër kombëtares motër U21 të Shqipërisë, në një ndeshje kualifikuese për Euro 2021 të martën në Elbasan, duke thënë se lojtarët e tij ia falen golin kundërshtarit.

Shqipëria U21 i ia shkaktoi humbjen e dytë radhazi kombëtares U21 të Kosovës, duke ia vështirësuar punët për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian të vitit 2021, raporton Gazeta Express.

Goli i vonshëm i futbollistit të talentuar të Ballkanit, Blendi Baftiu, nuk mundi t’ia parandalojë Kosovës disfatën në Grupin 3 kualifikues, pasi dy golat e Shaqir Tafës dhe Arbnor Mucollit i mjaftuan Shqipërisë për ta arritur fitoren e parë në këtë fushatë kualifikuese të martën në Elbasan.

Kjo humbje nënkupton se Kombëtarja dardane tani ngel një pikë prapa vendit të dytë, Anglisë që i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara dhe katër prapa lideres, Austrisë.

Prekazi ishte kritik ndaj lojtarëve të vet për mënyrën sesi e pranuan golin, i cili erdhi menjëherë pas një rasti të humbur nga dardanët.

“Një kombëtare profesioniste si ne, nuk duhet të pësojë pasi humb një rast. Ne ia dhuruam golin Shqipërisë. Ata ishin më mirë, por në pjesën e parë patë një lojë individuale më mirë. Në pjesën e dytë u përmirësuam, dhe nuk patëm më probleme te porta jonë. Por, ia dhamë vetë këtë gol, kur ne gati sa po shënonim”, tha Prekazi pas ndeshjes për RTSH.

Ai e uroi Shqipërinë për tri pikët e para në këtë fushatë kualifikuese, duke shtuar: “Shqipërisë i uroj 3 pikët dhe fitoren e parë, dhe të marrë pikë dhe në të ardhmen. Ndoshta ata janë të mirë. Kosova nuk e meritonte të humbte. Por, unë po komentoj atë që ndodhi në fushë. Nuk po them që është e dobët, por në 45 minutat e dyta nuk erdhi kurrë te porta jonë. Jo për Shqipërinë, unë jam shqiptar. Edhe të jetë kombëtare tjetër nuk bëj një koment të tillë. Në pjesën e dytë, ka dallim nga e para. Lojtari me numër 9(Broja), na hapi problem, ishte i fortë një për një. Prisja që me lojë Shqipëria të ishte diçka”

/Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart