Trajneri i Dritës, pasi mori kreun e tabelës: S’do të ketë fitore të lehta - Gazeta Express
string(71) "trajneri-i-drites-pasi-mori-kreun-e-tabeles-sdo-te-kete-fitore-te-lehta"

Trajneri i Dritës, pasi mori kreun e tabelës: S’do të ketë fitore të lehta

Gazeta Express

06/06/2020 18:43

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, nuk pret që skuadra e tij të ketë rrugëtim të lehtë drejt titullit të kampionit të Ipko Superligës së Kosovës, pasi thotë se çdo fitore do të jetë e vështirë për t’u marrë tani që po afrohet fundi i sezonit.

Pas rreth tre muajsh pauzë, Drita u kthye sot në fushën e lojës në Gjilan me të njëjtat qëllime – për ta marrë kreun e tabelës së Ipko Superligës së Kosovës. Këtë qëllim gjilanasit e realizuan sot, pasi që arritën të marrin fitore me rezultat 1:0, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Drita tani i ka dy pikë para Ballkanit, që megjithatë mund ta rimarrë kreun e tabelës të dielën, kur do ta zhvillojë ndeshjen e kësaj xhiroje kundër Drenicës, në Suharekë.

Fitoren dhe tre pikët e kësaj ndeshjeje Drita i mori falë golit të shënuar nga Astrit Fazliu në minutën e 26-të të ndeshjes, i cili përfitoi nga asisti i Xhevdet Shabani.

Përkundër që ky ishte goli i vetëm gjatë 90 minutave lojë, Drita pati edhe disa raste të mira, përderisa Flamurtari, që po lufton për ta siguruar mbijetesën, u shfaq paksa më ofensiv gjatë pjesë së dytë të ndeshjes, por pa pasur ndonjë rast të artë për t’i dëmtuar nikoqirët.

“Nuk do të ketë fitore të lehta, sidomos pasi që vijmë nga një pauzë e gjatë. Gjendja fizike ndikoi në pjesë të dytë, por me rëndësi është që i morëm tre pikët. Pjesa e parë ishte shumë e mirë, kishim gjithçka në kontroll”, ka thënë Nuhiu, në intervistën e dhënë për Supersport pas ndeshjes.

“Po ta kishim shënuar edhe atë golin e dytë, do të ishim më të qetë. Por, në pjesën e parë i shfrytëzuam shumë mirë mundësitë. Në pjesën e dytë, vetë rezultati na detyroi që të tentojmë ta ruajmë atë”.

“I përgëzoj djemtë për luftën dhe për dëshirën për t’i marrë tre pikët e ndeshjes. Më vjen mirë që i fituam tre pikët, nuk do të ketë fitore të lehtë. Ndeshjet kundër klubeve që luftojnë për mbijetesë janë mjaft të vështira. Tani shohim përpara dhe përgatitemi për ndeshjen e radhës”.

Ardian Nuhiu, te Drita ka ardhur më 17 shtator të vitit 2018 si ndihmës trajner i Shpëtim Duros. Kurse drejtimin e ish-kampionëve të Kosovës e ka marrë më 10 shkurt të vitit 2019. Së fundi, Drita ia vazhdoi kontratën Nuhiut edhe për dy vjet të tjera dhe ai thotë se ndihet si në shtëpinë e vet.

“Nuk e kam menduar fare që mos të vazhdojë këtu. Ndihem si në shtëpinë time, merita është e udhëheqësve të klubit. Kështu punohet në shtetet më të avancuara. Kam ndier përkrahje shumë të madhe edhe nga udhëheqësia, edhe nga Intelektualët”.

“Tani duhet të punojmë. Këtë vit shpresojmë dhe besojmë se do t’i arrijmë objektivat tona, pastaj nuk kemi shumë kohë dhe duhet të përgatitemi për ndeshjet në Evropë”. /Gazeta Express/