Tovërlani për Express: Faleminderit “Plisa”, por nuk e dua këtë FC Prishtinë


load
Gazeta Express
5 Korrik 2019 15:17

I falënderon “Plisat” që po e duan në postin e trajnerit të FC Prishtinës. Garanton se nuk është duke i nxitur “Plisat” që t’i bëjnë presion kryesisë së klubit për ta kthyer në postin e trajnerit. Madje, as nuk e ka ndërmend ta udhëheqë FC Prishtinën në gjendjen aktuale. I frikësohet ndonjë kurthe nga ana e klubit, me të cilin i ka fituar tre tituj të kampionit. Për klubin bardh e kaltër jep kritika dhe vërejtje, por edhe e këshillon të riorganizohet nga Shkolla e Futbollit deri te mbajtja e Kuvendit. Trajneri Afrim Tovërlani flet gjerë e gjatë ekskluzivisht për Gazetën Express.

Derisa ende nuk ka përfunduar telenovela “FC Prishtina – Mirel Josa”, tifozët prishtinas, “Plisat”, vazhdojnë ta kundërshtojnë vazhdimin e bashkëpunimit të klubit të zemrës me trajnerin nga Shqipëria.

Pjesa dërmuese e tifozëve po i bëjnë presion Shoqërisë Aksionare të FC Prishtinës që në postin e trajnerit ta kthejë Afrim Tovërlanin.

Ky i fundit është trajneri më i trofeshme në Kosovë, me katër tituj të kampionit, tre prej të cilëve i ka fituar pikërisht me ekipin për të cilin edhe ka luajtur kur ishte futbollist aktiv.

Mirëpo, Tovërlani qe një kohë të gjatë nuk ka qenë në planet e drejtuesve të FC Prishtinës pasi raportet në mes tyre janë zbehur goxha moti. Ramiz Krasniqi, Bylbyl Sokoli, Albert Bunjaki dhe Gani Sejdiu shihen më kandidatë për trajnerë të FC Prishtinës sesa Tovërlani, preferenca numër 1 i “Plisave”.

“Toki” aktualisht është në pushime me familje në Ulqin të Malit të Zi dhe është befasuar kur i ka parë thirrjet e tifozëve që ai të kthehet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Nga Ulqini Tovërlani ka folur për Gazetën Express gjerë e gjatë rreth insistimit të “Plisave” në favor të tij dhe për gjendjen e krijuar në FC Prishtinë pas eliminimit të hidhur nga Europa League.

“Ndihem shumë i lumtur dhe krenar me kërkesën e tifozëve dhe qytetarëve që me këmbëngulje më dëshirojnë të rikthehem në klub. Kjo më jep shpresë se njerëzit nuk i harrojnë të mirat dhe sukseset që i kam arritur me klubin më të madh”, thotë Tovërlani.

Derisa i falënderon “Plisat”, Tovërlani në intervistën për Gazetën Express e përjashton mundësinë e rikthimit të tij në FC Prishtinën aktuale. “E vërteta është se nuk jam i opsesionuar me rikthimin tim në klub kur shoh se njerëzit në klub e urrejnë çdo gjë që ka qenë e mirë dhe e suksesshme me gjenerata të vjetra. Ata kanë komplekse dhe frikësohen se në çoftë se e kthejnë Tokin mund ta fitojë titullin dhe shihen gabimet e kryesisë”, shtoi ai.

“Jo, në një klimë të tillë nuk jam i interesuar të punojë dhe të ma ziejnë ndonjë çorbë pas dy-tre muajsh. Derisa Prishtina ka trajner nuk është korrekte të them asgjë sa i përket shtabit teknik. Prishtinës i uroj suksese dhe shërim sa më të shpejtë nga situata në të cilën ndodhen”, deklaroi për Express Tovërlani.

Tovërlani: FC Prishtina duhet të ndryshojë nga themeli

Afrim Tovërlani thotë se FC Prishtina ka nevojë për ndryshime drastike nëse dëshiron të kthehet në majën e futbollit kosovar. “E di që shumëkush nuk beson por realiteti është ky që për momentin Prishtina duhet të bëjë riorganizim nga Shkolla e Futbollit e lartë. Nuk mund të shkruaj çdokush në faqen zyrtare të Prishtinës dhe si pasojë të armiqësohesh me të gjithë, si në rastin me Llapin kur e ofenduan Tahir Batatinën dhe Llapin. Pastaj kjo ju kushtojë me moslejimin e Ahmed Januzit nga Llapi, i cili iu deshtë si kurrë më parë FC Prishtinës. Pra, pasojat po ndodhin nga brendia e klubit e jo shkaku i të tjerëve”, thotë ai.

“Nuk është e mundur që gjithmonë të tjerët të jenë fajtorë e veç ata në klub e kanë mirë. Thjeshtë, Prishtina dhe kryesia e saj ia kanë humbur dinjitetin, krenarinë dhe emrin që e ka pasur klubi më i madh kosovar. Zgjedhja më e mirë është mbajtja e Kuvendit, të riorganizohet klubi dhe t’i lënë inatet e hasmëritë për hire të së mirës së klubit dhe qytetit. Me urrejtje e inate veç çka e përkeqësojnë situatën e klubit”, deklaroi Tovërlani për Gazetën Express.

Tovërlani: Unë nuk po i nxis “Plisat”

Në ambientet e FC Prishtinës, por edhe te një pjesë e konsiderueshme e njerëzve, është krijuar një përshtypje se Afrim Tovërlani po i nxit tifozët që t’i bëjnë presion kryesisë së klubit me shpresën që të kthehet vet ai në postin e trajnerit. Por, kjo mohohet kategorikisht nga trajneri.

“Luftën më të madhe e bëj me shokët e mi të cilëve u them kurrë mos shkruani për mua në rrjetet sociale sepse ata mendojnë që unë po ju them. Por, ata janë tifozë të moçëm të Prishtinës dhe e dinë historinë dhe ecurinë e klubit me mua dhe me ata që janë sot brenda klubit. Ka individë brenda klubit që po i ofendojnë me profile të rrejshme dhe mundohen ta përlyejnë emrin tim. Por, e mira është që në qytet na njohin të gjithëve dhe e din njerëzit se kush dhe cili çfarë është”, u shpreh Tovërlani. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart