Tottenham arrin në gjysmëfinale për herë të parë pas 57 viteve, pas një triumfi dramatik ndaj Man City


Gazeta Express
17 Prill 2019 22:57

Tottenham Hotspur ka kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për herë të parë që prej vitit 1962, falë golave të shënuara si mysafir në një ndeshje dramatike në çerekfinale kundër Manchester City të mërkurën.

Skuadra e Mauricio Pochettinos humbi 4:3 në ndeshjen e kthimit në Etihad, por e kishte fituar 1:0 ndeshjen e parë në Tottenham Hotspur Stadium, dhe kalon tutje falë golave si mysafir, raporton Gazeta Express.

Hera e fundit kur Spurs ishin në gjysmëfinale, më 1962, Liga e Kampionëve quhej Kupa Evropiane.

Tottenham do të përballet me Ajaxin, sensacionin e këtij viti, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Raheem Sterling shënoi për epërsinë e Manchester City, në atë që ishte një fillim i vrullshëm, i paparë deri tani në Ligën e Kampionëve. Katër gola për 11 minuta nuk kishte ndodhur asnjëherë në Ligën e Kampionëve.

Song Heung-Min e barazoi rezultatin vetëm tre minuta më vonë, dhe më pas e kaloi Tottenhamin në epërsi 2:1 vetëm tre minuta më vonë.

Por, Bernardo Silva e barazoi rezultatin për herë të parë për Cityn një minutë më pas.

Sterling e kaloi për herë të dytë në epërsi skuadrën vendase kur shënoi në minutën e 21-të, duke i vënë kapak një pjesë të parë të çmendur.

Sergio Aguero e dyfishoi epërsinë dhe e kaloi skuadrën e Pep Guardiolës në gjysmëfinale në ato momente.

Megjithatë, Fernando Llorente pati tjetër çka në mendje, spanjolli shënoi me kokë rreth një çerek orë para fundit. City ende po fitonte 4:3, por Tottenham po kalonte në gjysmëfinale falë golave si mysafir.

Sterling shënoi edhe një herë në minutën e dytë të kohës shtesë. I gjithë Etihadi u çmend fare. Gjyqtari turk Cakir, ruajti qetësinë, edhe pse e pranoi golin, ai mori udhëzimet e dhomës së VAR, dhe pas një rishikimi të rastit, anuloi golin për pozitë jashtë lojë.

Tottenham është në gjysmëfinale pas më shumë së gjysmë shekulli. /Gazeta Express/  

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart