Topkapi, pallati i ëndrrave dhe lotëve në Perandorinë Osmane


Gazeta Express
21 Nëntor 2019 23:28

Pallati i Topkapit, pranë ngushticës së Bosforit, është dëshmi e lavdive më të mëdha por edhe tragjedive po të tilla, në historinë e Perandorisë Osmane. Aktualisht ai është një muze, por më pak se 100 vjet më parë, ishte rezidenca e një sulltani, haremit, dhe shumë prej shoqëruesve të tij. Pallati u ndërtua në Stamboll gjatë viteve 1466-1478, nga sulltan Mehmeti II.

Pas pushtimit të qytetit në vitin 1453, ai kishte nevojë për një vend të ri për të jetuar dhe sunduar perandorinë. Topkapi u ngrit në krye të rrënojave të lashta të lëna nga perandorët bizantinë. Dhe kjo, pasi osmanët donin të shiheshin si një vazhdimësi e lavdisë së pushtetit të lashtë, dhe jo si krijues të një pushteti të ri.

Në fund të shekullit XV-të, pallati u bë vendbanimi kryesor i sulltanëve. Në turqisht, “Topkapi”’ do të thotë “Porta e Topave”. Emri i pallatit vjen nga topat e mëdhenj, që shfaqen jashtë portave të tij. Ata u përdorën gjatë pushtimit të qytetit. Më 3 prill 1924, u vendos që Pallati Topkapi të transformohet në një muze.

Ai ishte muzeu i parë i Republikës së Turqisë. Pallati është i vendosur në zemër të qytetit, pranë xhamive të famshme, si Sulejmanije dhe Xhamisë Blu, pranë Bosforit. Shumë nga ndërtesat prej druri u zhdukën, ose u zëvendësuan nga ato më të reja, por tiparet kryesore arkitekturore të pallatit janë po ato.

Tre rezidencat e sulltanit

Fillimisht në pallat banonin rreth 700-800 njerëz, por përgjatë shekujve numri i tyre u rrit në 5.000 persona. Pallati ka tre pjesë kryesore: Pallati i Vjetër, Pallati i Ri, dhe Pallati Jilldiz. Ajo që njihet si Topkapi është Pallati i Ri. Pallati i Vjetër, ishte ndërtimi i parë në qytetin e sapo pushtuar.

Ai u dëmtua nga një zjarr në vitin 1514, dhe pas asaj ngjarje shumica e njerëzve shkuan të jetojnë në Pallatin e Ri. I vjetri u restaurua dhe u rindërtua pjesërisht, por zjarri e shkatërroi edhe një herë gjatë sundimit të sulltanit Abdylaziz, i cili sundoi gjatë viteve 1861-1876.

Këtë herë, në vend të pallatit u ngrit rezidenca e komandantit të përgjithshëm.

Sot, ajo godinë përbën një pjesë të Universitetit të Stambollit. Ndërtimi i Pallatit të Ri, nisi nga Mehmeti II, dhe ishte shumë më luksoz. Rezidenca e dominonte peizazhin përreth, dhe përmbante ndërtesa shtetërore, pavionet e kënaqësisë, banjot turke, punishtet e ndryshme, kuzhinat, lagjet rezidenciale etj.

E gjithë jeta private dhe politike e sulltanit, ishte e përqendruar në këtë vend. Udhëheqësi

takohej aty me këshilltarët e tij, kremtonte betejat që kishin futuar ushtarët e tij, dhe bënte plane strategjike. Me kalimin e kohës, ai u shndërrua ndërkohë në një qendër e jetës familjare dhe kulturës lokale.

Në shekullin e 18-të, në zonën e Beshiktashit në Stamboll, u ndërtua një pallat i ri. Ishte një pallat veror, për sulltan Selimin III (1789 – 1807). Sulltan Mahmudi II (1808-1839), që kishte dëshirë të dilte jashtë oborrit të mbipopulluar me njerëz, kaloi shumë kohë në këtë pallat. Pallati Jilldiz, ishte një oaz i vërtetë për sundimtarin, një vend ku ai mund të pushonte edhe pa u largua nga kryeqyteti. Megjithatë, kjo ide u ndryshua nga sulltani Abdylhamiti II, i cili e vendosi atje të gjithë oborrin e tij.

Zemra e Haremit

Haremi, ishte një shtëpi për qindra gra dhe fëmijët e tyre. Ai ishte edhe vendi ku jetonin princat, derisa mbushnin 16 vjeç. Gratë e haremëve osmanë, merrnin arsimimin më të mirë, dhe punonin për të menaxhuar financat e pallatit. Emri “Harem”’ do të thotë në arabisht “i ndaluar”.

Shumica e njerëzve, nuk mund të hynin në atë hapësirë. Fillimisht, haremi ishte i ndarë nga pallati i sulltanit. Situata ndryshoi kur një grua e bukur dhe inteligjente, vodhi zemrën e sulltan Sulejmanit të Madhërishëm.

Ajo lindi në territorin e kontrolluar nga Mbretëria e Polonisë, dhe quhej Aleksandra, por sulltani e quajti atë Hyrrem (E dërguar). Ajo ishte e krishterë, dhe donte të krijonte një marrëdhënie të vërtetë me sulltanin, por për të arritur synimin, kishte nevojë edhe për pak fat.

Sikurse shkruan në librin e tij Endrju Kolt: ”Kur një zjarr shkaktoi dëme të mëdha në Pallatin e Vjetër, ajo shfrytëzoi rastin për të kërkuar leje që të jetonte në Pallatin e Ri – i njohur nga ne si Topkapi – qendra e jetës politike dhe oborri i sulltanit, ku ai kishte gjithashtu një apartament.

Ajo morri me vete një turmë eunukësh, të zinj dhe të bardhë, dhe shërbëtorët; dhe pasi u vendos, qëndroi gjatë gjithë kohës. Haremi dhe shteti nuk ishin më të ndarë; pasojat e kësaj ishin katastrofike”.

Qendra e pushtetit në Harem, ndodhej në apartamentet e Valides së sulltanit. Valideja, ishte Nëna Mbretëresha, dhe ajo ishte zonja e parë e Haremit Perandorak Osman. Gruaja që drejtonte haremin, mund të ishte nëna ose gruaja e një sulltani. Validja e parë e madhe ishte Sulltanesha Hyrrem, por është e nevojshme të përmenden edhe gra si Sulltanesha Nurbanu, bashkëshortja e Selimit II dhe Sulltanesha Kosem, gruaja e sulltan Ahmetit I. Të gjitha këto gra ishin të plotfuqishme, dhe kishin aftësi që i mundësuan shumëfishimin e të ardhurave të krijuara nga haremi.

Një jetë e re për Pallatin Topkapi

Pallati Topkapi, ka një bibliotekë dhe arkivë mbresëlënëse, që përmban një koleksion prej rreth 300.000 dokumentash arkivore. Kopshtet e Topkapit, janë të mbushura me bimë të ndryshme si zambakët e ujit, trëndafilat, tulipanët etj, dhe janë ende të lidhura me traditën otomane.

Kur Pallati Topkapi u bë një muze, ai ishte përherë të parë në histori, në dispozicion të vizitorëve.

Muzeu përmban shumë thesare, të lëna nga njerëz që kanë jetuar atje, para më shumë se 400 vjetësh. Përveç portreteve, bizhuve dhe sendeve personale që i përkisnin sulltanëve dhe familjeve të tyre, ekspozita e muzeut përmban reliket e shenjta – duke përfshirë objekte që lidhen me profetin Muhamed.

Pallati Topkapi, mirëpret aktualisht turistë gjatë gjithë vitit. Ai është shndërruar në një qendër të njohurive mbi Perandorisë Osmane, dhe një vend relaksues për njerëzit që dëshirojnë të imagjinojnë, se si duhet të ketë qenë dikur jeta në këtë pallat madhështor.

Ancient Origins – Bota.al

Te fundit


Kthehu lart