Kampioni në fuqi Brazili ka kaluar me lehtësi në çerekfinale në futbollin e burrave në Lojërat Olimpike, por jo edhe Gjermania që më 2016 e kishte fituar medaljen e argjendtë.
Brazili e mundi 3:1 Arabinë Saudite për ta mbyllur Grupin D në vendin e parë, ndërsa Bregu i Fildishtë u rendit i dyti pas barazimit 1:1 me Gjermaninë, raporton Gazeta Express.
Nga Grupi B, Koreja e Jugut e mundi 6:0 Hondurasin për t’u kualifikuar si fituese e grupit.
Zelanda e Re barazoi 0:0 me Rumaninë për të përfunduar në vendin e dytë.
Gjermanisë duhej ta mposhte Bregun e Fildishtë për të kaluar në çerekfinale, por dështoi pavarësisht përpjekjeve të mëdha.
Brazili, që në Rio 2016 e fitoi medaljen e artë në tokën e vet, mbetet favorit për ta mbrojtur titullin. /Gazeta Express/