Tite s’pranon t’i zbulojë këshillat për Neymarin


Gazeta Express
10 Shtator 2019 9:06

Trajneri i ekipit kombëtar të Brazilit, Tite, nuk ka pranuar të zbulojë nëse i ka dhënë këshilla jetësore superyllit të Paris Saint-Germainit, Neymarit, pas verës të ndërlikuar që e ka kaluar braziliani.

Neymari e shënoi golin e tij të parë për sezonin e ri me Brazilin, në barazimin 2:2 me rivalin nga Amerika e Jugut, Kolumbinë, në një ndeshje miqësore të së premtes, transmeton Gazeta Express.

Paraqitja e tij me Brazilin erdhi pasi 27-vjeçari – i cili ende s’e ka bërë asnjë paraqitje për Paris Saint-Germainin këtë sezon të ri – e pati të pamundur të kthehet te kampionia e La Ligës, Barcelona, para se të mbyllet afati kalimtar i verës.

Neymari mbetet ende në qendër të vëmendjes, përderisa Kombëtarja e Brazilit po përgatitet për rimeçin e finales së kësaj vere të Kupës së Amerikës, kundër Perusë, të hënën.

“Se çfarë është e mirë për Neymarin nuk do ta them asnjëherë publikisht”, u shpreh trajneri Tite në konferencën për shtyp para ndeshjes miqësore kundër Perusë.

“Por, ne mund ta bëjmë këtë gjë këtu me ekipin kombëtar. Në zonat që janë kompetente për ne, në dhjetë ditët që jemi këtu, ne tentojmë të krijojmë situata që janë të mira për të dhe për ekipin”.

“Nuk mendojmë vetëm për njërën apo për tjetrën sepse unë gjithashtu e kuptoj se ai është njëri ndër tre futbollistët më të mirë në botë”.

Neymari tani e ka arritur shifrën prej 61 golave për Kombëtaren e Brazilit, duke mbetur me vetëm një gol prapa Ronaldos brazilian. Megjithatë, atij ende i duhen edhe shumë gola për ta arritur rekordin e golashënuesit më të mirë të Brazilit, Peles, i cili i ka 91 gola me Kombëtaren. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart